Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rijt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje.
Akti rebel që pothuejse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
******
Gjendja ime mori nji karakter tragjik! Çdo ditë e ma shumë isha i ndërgjegjshëm për frikën e arrestimit, burgosjes ose ekzekutimit. Sa ma shumë rritej ky ndërgjegjshim, aq ma i madh ishte shpirti i revoltës, urgjenca me shpërthye, e pasioni me thye muret e trasha të “burgut” që më rrethonte. Fryma që më shtyu për veprim, kërkonte shfrytëzimin në themel të çdo mundësie, e krijimin e konditave të reja, të përshtatshme për aktin heroik, përtej së zakonshmes, në zonën e privilegjueme të atyne që përbuzin vdekjen, tue njohë mirë paevitueshmëninë e saj. Kujtimet e së kaluemes, ishin të pashlyeshme e të padurueshme. Pamjet e përditshme ishin të papranueshme. Kudo mbretnonte dhuna. Vrejsha me kujdes çdo gja, si nji “i jashtëm”, që refuzon me hedhë vallen e përgjithshme, nji “i jashtëm”, që shikon e regjistron.
Në mendje, sjelleshin rrotull me nji saktësi të çuditshme, ngjarjet e së kaluemes. Dënimi i së tashmes ishte i plotë, absolut, i përhershëm, e mungesa e nji dileme ishte siguria ma e madhe për nji qetësi të brendshme, dhurata ma e madhe që mund të shpresojsha. Isha i lirë me veprue! Çdo ditë që kalonte, rriste padurimin e, nji lloj nervozizmi i pakontrollueshëm, filloi me mbizotnue vendosmëninë, me qëndrue i qetë. Mbramja në familje u ba nji torturë.
Në prani të nanës, motrës e vëllaut, çdo natë, gjatë dhe mbas darkës, këto krijesa të pafajshme e fisnike, që kishin ba aq shumë për mue, ballafaqoheshin me idenë e arratisjes sime të mundshme. Sikur i shihsha përsëri, ashtu si dhjetë vjet ma parë, të ngarkuem në kamionet e Sigurimit, me nji strajcë rrobash në kurriz, të hedhun me forcë jashtë shtëpisë stërgjyshore, e të drejtuem kah kampet e dëbimit, ku fati i keq, kishte mbledhë mijra shqiptarë të pafajshëm, për dekada të gjata.
Tre fatzezët do të paguejshin randë, aktin e vëllaut që rrezikonte jetën për liri. Ky ballafaqim më lodhte shumë, orët e natës kalojshin pa gjumë, ndërsa lodhja nga puna e përditshme, m’i dobësonte fuqitë. Vendimi me u arratisë, krijoi gjithashtu, edhe nji gjendje euforie të papërmbajtshme, që më transformoi në nji gjykatës të qëndrimit të shokëve, që pranojshin nënshtrimin e jetën nën komunizëm, si fati i tyne i pandryshueshëm.
Nuk kisha guxim me folë, me i kapë për xhaketë, me i shkundë nga letargjia që i kishte molisë e, frika që i kishte zvetënue. Padrejtësisht i dënojsha këta shokë, vuejtja e të cilëve, ishte në vetvete, njena nga arsyet e revoltimit tim, të paqetësueshëm. Pa pushim, ndiejsha nji nxitje të brendshme me sfidue frikën mbytëse e, indiferencën masive të shokëve të punës.
Nji trokitje në derë. Ishte mbramje, e i lodhun nga puna e ditës, punojsha i patrazuem, mbi nji kanape të vjetrueme. Trokitja me ndërpreu mendimet. U ngrita me përtesë e u drejtova kah dera, me njifarë shqetësimi të kuptueshëm. Ishte nji shok i vjetër burgu, i afërt me shoqnuesin tim. Nuk pranoi me hy. I nervozuem e me gjysëm zani, më tha: “Sot kam takue M. Në treg…! Më tha që nji javë si sot, me 22 gusht, në orën katër mbasdreke, të pret në lulishten para stadiumit”! Para se të përgjigjesha, ai shtoi: “Kam armë për ty”, e zgjati dorën.
Mandej m’u hodh në qafë e, më përqafoi me lot në sy. “Me fat të mirë”, më tha. Nuk fola asnji fjalë. Ai u largue, pa ndigjue falenderimin tim. E shikova derisa u zhduk në errësinë. Përsëri, edhe nji shok që rrezikonte jetën, me ndihmue nji tjetër. Solidariteti burrnor i të shtypunve! Kjo frymë vllaznimi, ishte e pashpjegueshme me fjalë, por padyshim, ishte lidhja ma e ngushtë, ma fisnike, e ma kuptimplotë në mes dy qeniesh njerëzore.
Ajo mund vetminë, shëron dëshprimin, përballon rrezikun, edhe atë të vdekjes, me kryenaltësinë që kanë vetëm qeniet njerëzore. “Fat të mirë, edhe për ty, o vëlla, që mbetesh mbrapa e përballon nji jetë plot të paprituna…! E falemnderit për dhuratën e shoqnisë së pakushtëzueme, që më falë sot”! pëshpërita me vete. Por ai ishte largue. Kisha në dorë nji revolver të mbushun, e dy bomba dore. Metali i ftohtë, më pruni të dridhunat në trup.
E shikova! “Kjo armë”, thashë me vete, “mund të jetë instrumenti i vdekjes sime”! Isha i ri, e dojsha jetën. Isha i ri e, friksohesha nga vdekja. Por isha i vendosun, me kërkue jetën e lirë, mos me pranue vite të gjata poshtnimi, skllavënimi e torture, në burg e, kampe pune të detyrueshme…! Edhe nji hap tjetër vendimtar, në rrugën time. Vuna në xhep “materialin” e, pa u diktue nga familja, i msheha ne nji vrimë të sigurt.
Nuk më zente vendi. Mandej, gëzimi i papërshkrueshëm që më sollën armët e marruna, më mbuloi. Nuk guxojsha me e shfaqë. Pa shkaktue dyshime, u ula përsëri në kanape, por mendja më mbeti tek armët e mshehuna. Ata ishin mburoja ime e, sikur më garantojshin kalimin e kufinit, pa rrezik. Atëherë, më erdhi nji ide e çuditshme! Në rast rreziku, a do të isha në gjendje me u mbrojtë me armë, që nuk kisha përdorë asnjiherë? E sikur prania e rojeve të kufinit, të ishte aq kërcënuese, sa të mos më lejonte kohë për përdorimin e armës, a do të kisha guximin, në momentin e fundit, me ba vetëvrasje, që të mos përfundojsha në burgje e kampe përqendrimi, përjetë?! Çuditërisht, pyetja e dytë, gjente përgjegjen pa hezitim: Po! Kuptova se isha plotësisht i vendosun, mos me u dorëzue i gjallë. Vdekja në përpjekje, ose edhe vetëvrasja, ishte ma e pranueshme, e kjo ndjenjë më siguronte se, nji jetë në konditat e krijueme në vendin tim, ishte e papranueshme, e pakuptim si vdekja, e nji akt çlirimtar.
Rreziku i arratisjes ishte shumë serioz, e viktimat e vrame, ose të zanuna nga policia, ishin të shumta. Të vdekunit tërhiqeshin zvarrë, ose silleshin në qytet me karroca e, kufomat vendoseshin në trotuaret e qendresës e, ashtu të përgjakuna, shikoheshin nga masat e tmerrueme. Ishte nji taktikë terrori e Sigurimit. Nganjiherë, rojet ose komunistët fanatike, i shkelmojshin ose i pështyjshin, si provë e urrejtjes së tyne për “armikun” që ngrinte kokë kundër “pushtetit popullor”.
Ishte dëshmia e nënçmimit të jetës njerëzore! Asgja nuk më friksonte ma! Ishte e dielë. Vendosa të shëtis nëpër rrugët e qytetit, me mendimin se ky ishte rasti i fundit, për mue. Njihsha pak banorë, e të paktën ishin ata që më njihshin. Dhjetë vjetë në burg e, vetizolimi mbas daljes nga burgu, kishin pasë efektin e vet. Më dukej vetja si i shpërngulun, “jabanxhi”, në qytetin tim të lindjes. Por për mue, kjo gjendje ishte e mirëpritun.
Largimi im do të ishte ma pak i dhimbshëm. Në mes të këtij konfuzioni emocional ku kisha ra, pamja e kështjellit Rozafat, filloi të imponohet, e nji dëshirë e papërmbajtun më shtynte drejt kësaj fortese, që kishte ndezë gjithëherë imagjinatën time rinore. Muret e kalasë qëndrojshin të patunduna, simbol i kufinit që armiku nuk mund të kalojë, mbrojtje e pathyeshme e origjinalitetit shqiptar, si muri i nji qelie të vetme, ku vetëm shqiptari, qëndron pa frikë e i lirë.
Nga jashtë, më ngjallej dëshira me kalue orë të tana, në atë fortesë mijëvjeçare, që sifdonte edhe të tashmen çnjerëzuese, me imagjinue veten të lirë nga bota tjetër, si nji qenie që instinktivisht, ndjen nevojën me ripërtri çastet e lirisë së të parëve…! Nga brenda, vrejsha me dhimbje në zemër se, nuk ndryshonte gja në botën e ledheve iliriane. Kjo permanencë e kështjellit, ishte në të vërtetë, jetë e shueme.
Aty, asgja nuk lëvizte, nuk jetonte asgja në atë hapsinë që mbështjellte si gjanësia imponuese e nji katedraleje, gjatë nji meshë përshpirtjeje. Kjo mungesë jete e kështjellit, në nji çast kur përgatitesha për ndryshimin e plotë të jetës sime, më friksoi në fillim. Ma vonë, filloi me më nervozue e me më neveritë pak nga pak, derisa më pruni në pikën e shpërthimit, të pakontrolluem.
Pa mendue ma gjatë, rroka me inat nji gur të madh, të ramë nga muret përqark, e me të gjithë fuqinë e krahëve, e përplasa kundër nji grumbulli gurësh të rrëzuem, ku kisha ndejë disa herë ma parë, tue lëshue bashkë, edhe të gjithë mëninë time. Atëherë, shijova deri në fund shkoklimin e grumbullit e gëzimin e madh të çlirimit, që më krijonte zhurma e rrokullisjes së gurëve poshtë.
Prishja e pamjes së maparshme, e ndryshimit të saj në nji të re, që mbante vulën e punës sime, më kënaqi edhe ma shumë. Shpresa se ndryshimi mbante në vetvete bërthamën e krijimit, e së resë që e zëvendsonte, më mbushi me nji galdim që ndryshoi, si për mrekulli, predispozicionin tim shpirtnor, pesimist! Rreth e rrotull meje, përsëri qetësi. Asgja nuk lëvizte. Këtu nuk kishte sy të më shikojshin, as veshë të më ndigjojshin. Isha unë, i ndamë nga të tjerët, nga masa e gjanë e bashkudhëtarëve që shkojshin e vijshin në rrugën buzë kështjellit, pa ngritë kokën nalt, kah ledhët që zotnojnë vendin me pamjen e tyne mretnore, të nji të kaluemet tremijëvjeçare.
Atëherë, ndjenja e shkëputjes, edhe nga kështjelli, edhe nga masa, arrijti pikën e pjekunisë së plotë. Përsëri u ndjeva i huej në vendin tim. Shpirtnisht, isha i përgatitun për arratisje! Tue zbritë nga ky tempull që nuk do të shihsha përsëri, fillova monologun e përshëndetjes së fundit. “Do të ruej kujtimin e së kaluemes”, thashë, “pa i imponue vetes kufizimet që Rozafa më sugjeron. Le të soditet kështjelli si mendim e punë e kohës, që e sajoi e që e ndërtoi. Atëherë, unë do të gjej arsyen e qënies së tij, të dhana të mjaftueshme me e shkallëzue në raftet e landës historike, si hije ende e fortë e nji kohe të perëndueme kah moti.
Por vullnetshëm, me u ba robi i tij? Ah, jo! Atë, as që e mendoj! Të mbaj mbi shpatullat e mia nji peshë që më ndrydh, nuk më duket e drejtë. Kokën nalt, gjoksin hapet, me kambë e krahë të lehtë, unë due të jem njeri i lire, i ditëve që jetoj. Kam nji rol me luejtë, nji detyrë me krye: farkëtimin e fatit tim, me duert e mia, në nji botë çdo ditë e ma shumë, të lirë…”! O kështjelli shekullor i Rozafës! Të falem për madhështinë e vendit ku gjindesh, sepse mbi gërmadhat tueja, ti më lejon, me shikue ma mirë rreth e rrotull meje, më pa ma qartë rrugën time, me vrejtë ma me kujdes, fatin e qenies sime të përkoshme!
Të nesërmen, dola në punë si zakonisht. Asgja nuk kishte ndryshue, gjatë këtyne dy ditëve, në botën rreth meje. Por në botën time të brendshme, nji bombë kishte shpërthye e rrjedhimet e saj, më kishin transformue rranjësisht. Me gjithë përpjekjet me kontrollue çdo fjalë e çdo lëvizje, që mund të shkaktonte edhe dyshimin ma të vogël, nuk isha në gjendje me pengue tundimet emocionale që, herë mbas here, delshin në shesh me vrull. Në punë, u aktivizova me nji entuziazëm, që nuk përmbahej. Fillova me fol ma shumë se zakonisht, me ba shaka me shokë, fishkllye edhe me këndue, me za të ulët, kangët që më kujtoheshin.
Shokët qeshnin, e unë bashkë me ata. Ishte nji atmosferë e mbarsun, me pritjen e lajmeve të mira. Diçka e madhe, e mrekullueshme, e jashtëzakonshme, dukej në horizont. Larg, shihej mali i Rumies së Krajes. Atje, përtej horizontit ishte bota tjetër, jashtë burgut që më ndrydhte, ishte premtimi i nji jetë ma të mirë, ishte liria që kërkojsha, që në ditët e shkollës, kur luftohej okupatori e ushqehej shpresa e lirisë. Atje, përtej horizontit, ishte e ardhmja ime e ndritun, që më priste me krahë hapët. Të paktën, ashtu mendojsha unë, ato ditë të mbarsuna me pritjen e lajmit të mirë.
Mbramjet në shtëpi u banë çdo ditë e ma të dhimbshme. Porsa kthehesha, kontrollojsha me kujdes armët e mshehuna, e sigurohesha që ishin të paprekuna, ose rastësisht, të zbulueme nga nana. Mandej, mbas përqafimeve të zakonshme e pastrimit, shtrohej darka. Me qëllim që të mos shqetësojsha të tjerët me heshtjen e zakonshme, fillova të flas pothuejse pa pushim, për punën e ditës. Nana u kënaqte, e dukej qartë se ishte e gëzueme, që unë hapesha në bisedë. Gjithçka dukej e qetë, e rregullt, e bile edhe e kënaqshme, në këtë familje të përndjekun ditë e natë.
Mbas darke, përpiqesha me kalue kohën me lexime, që në të vërtetë, ishin pre të gjata mendimi, për aventurën e re që përgatitej e të ardhmen time e të familjes, derisa më kapte gjumi. Nji ditë ma vonë, ndjeva nji nevojë të fortë, me vizitue vorrin e babës, në vorrezat jo larg nga vendi i punës. Baba im, si fetar i bindun, kishte pranue pa kundërshtim “kismetin”, që e mundonte, si “vullneti i të Madhit Zot”! Me dukej sikur, në brendinë e tij, nuk kishte dilema. Paqsor për natyrë, ai jetonte nji jetë, të mbështetun në parimet fetare e traditat shekullore të qytetit tonë; ishte nji tradicionalist i përkryem!
Kur u gjinda para vorrit të tij, i gjunjëzuem nga malli e respekti për kujtimin e tij, nuk munda me kuptue, si ai nuk u revoltue kundër vuejtjes e vorfnisë, që e munduen aq shumë, sidomos vitet e fundit të jetës, si i qëndroi besnik fatalizmit nënshtrues të islamizmit! Vuejtje e qetësi e brendshme: nuk kishte vend për revoltë. E tashti, djali i tij gjunjëzohej para vorrit, por me frymën e revoltës, që e ushqeu gjatë rezistencës kundër të huejit, gjatë burgimit të gjatë, e që tashti e shtynte me abandonue familjen e, me rrezikue jetën, me arratisje në nji vend të huaj, me të paprituna e plot të panjohuna…si aventurier!
“Kështu më deshe, besnik i vetvetes”, thashë me za të ulët. “Sot, jam këtu para vorrit tand, me të tregue se po nisem për aventurën e dytë…! Nga ti mësova të luftoj, për parime të drejta, që kërkojnë vuejtje e sakrificë. Nana do të vuejë e do të vdesë e vetmueme! A do të ma falë ajo, shkelmin e dhanun? Kam ndërgjegjen e randë…! Të lutem babë, lutu për mue! E kur e vetmuemja nanë, do të vijë këtu, me vue lulet në përvjetorin e vdekjes sate, do të pastrojë barnat e këqia, ashtu si çdo vit e, mandej do të mbështetë njenën dorë, mbi këtë vorr tandin, e ulun, e heshtun, e tue fshi lotët, që nuk pushojnë, do të përsërisë si gjithëherë: “Pse më le vetëm, o burrë…kur fëmijët po rriten e, unë kisha ma shumë nevojë se kurrë, për ty”?!
Ajo do të fillojë mandej të ankohet, për largimin tim e vuejtjet e reja, që largimi do të sjellë…! Atë çast, të lutem babë, ngrejë zanin ma nalt se i vdekuni, aq sa ajo të ndigjoje e, thuej se, ti je i kënaqun që unë jam ashtu si më deshte, i ndershëm me veten time. Vetëm atëherë, në dheun e largët, ku do të kaloj unë ditët e vjetët pa numrim, do të qetsohet zemra ime e trazueme. Lamtumirë babë, e pushofsh në paqe”! Kontrasti i filozofisë së jetës, mes babës e djalit, ishte i plotë! Sikur të mos kishte ra kataklizma mbi vendin tonë, a do të kisha qenë edhe unë si ai?
I nënshtruem fatit, pa pyetë, i qetë, me jetue e me vdekë, njilloj si ditën që lindëm? Nëqoftëse përgjegja asht “po”, atëherë, si duhet të kuptojsha kataklizmën që ra mbi kokë?! Bekim apo mallkim i fatit?! Në atë gjendje mobilizimi të plotë të gjithanshëm e të pakompromis që gjindesha, katalizma ishte aleati im ma i mirë, ishte shoku i rrugës ma besnik, ishte stuhia e parezistueshme, që më shtynte kah horizontet e reja, ku liria e pacënueme, ushqente shpirtin e individit te lirë. Kataklizma që më ra mbi kokë, ashtu si frika e vdekjes së harrueme, më kishte gjallnue!
XXXI
22 gusht 1959 – Po gdhihej dita fatale për mue! Cili do të jetë fati ynë sot, o i riu shqiptar, që u rritë me ushqimin e dashunisë për atdhe e bashkatdhetarë, që u përbuzë kaq randë, për dekada me radhë, e që sot, përsëri vajton, pse detyrohesh me shkelmue gjithçka e të gjithë, në kërkim të nji jetë të lirë, të nji bote që nuk të zen frymën, e të nji shoqnie, që nuk të urren e, nuk të shtyp, kur nuk i përshtatesh kallëpit të hekurt, që nuk len vend për zhvillim? Nata e randë, e pagjumë, e plot halucinacione frikësuese, më lodhi pa masë. Kisha nevojë për pushim, për energji.
Nganjiherë, më dukej sikur shihsha veten të vrarë, plot plagë pushke, të përgjakun e të tërhequn zvarrë nëpër rrugët e qytetit, të ekspozuem për publikun që duhej të tmerrohej nga pamje të këtilla. Here të tjera, më duke sikur isha lirue nga prangat e hekurta, të regjimit të kuq e gjakatar, e i lirë, akoma i ri e plot vullnet, jetojsha pa frikë në qytete të panjohuna, flitsha me entuziazëm e përgatitsha të ardhmen time, plot premtime, sidomos arsimin tim të ndërpremë. Edhe në këtë gjendje fantazie, shkollimi mbetej pikësynim kryesor!
Duhet të mësoj ma shumë, të ngrihem ma nalt, të kuptoj ma mirë…! Ide të këtilla, më mbushnin me gëzim, më dukej sikur fluturojsha, derisa kuptojsha se ende gjindesha në shtëpi e se, aventura që më priste, ishte para meje, me të gjitha rreziqet që e shoqnojshin…! Ashtu i këputun, dola në punë. Ishte ditë e shtunë, e punohej me “orar unik”, prej orës shtatë e mëngjesit, deri në orën tre mbas dreke, pa ndërpremje. Gjatë punës, isha gjysëm i hutuem, i heshtun, i ngadalshëm e plot frikë. Orët kalojshin ngadalë e padurimi rritej vazhdimisht. Shokët e punës, nuk më shqetësojshin. Nganjiherë, mendojsha se prania e tyne, më ruente mendtë e kokës, e se vetmia, në ato çaste, do të më kishte çmendë.
Isha në prag të nji krize nervore, që mund të shkatërronte të gjitha përpjekjet e mia, për arratisje. Melodia e veglës që më ndoqi çdo ditë në qendrat e punës – furrat shkrirëse të energjive tona, – kishte humbë. Ndërton punëtori e, vegla ndihmon. Por çastet e paqësimit, që na falte shpesh puna ndërtuese, sot nuk i gjej ma. Tingulli familjar i sqeparit, më dukej ai i varrmihësit, që ndigjova sa herë që shoqnova shokët e vdekun në banesën e fundit… tingull që të tjerët, kurdo të vijë dita, do të ndigjojnë pranë vorrit tim, ndoshta për së shpejti, në “Rrmajin” e lagjes sime. Shija e vdekjes e prania e saj, më rrethuen atë ditë gushti, plot diell…!
Me mbarimin e orarit të punës, u largova menjiherë. Në orën katër të mbasdrekes, do të takojsha shoqnuesin, në lulishten para stadiumit. A do të isha fatlum që, gjithë kjo veprimtari, të kalonte pa ra në sy të Sigurimit? Po sikur Sigurimi, të ishte në dijeni e të më arrestonte në flagrancë?! “E pamundun”! thashë me vete. “Jemi vetëm tre veta që e dimë, e tre shokë burgu, besnikë. E pamundun”!
Me këtë siguri në vete, në orën e caktueme, u gjeta në park. Mbas pak minutash, që për mue ishin të gjata sa nji shekull, erdhi shoqnuesi. Nuk u përshëndetëm. Ecëm së bashku, shkurtimisht. Pa gjeste, ai më informoi se, në krahun lindor të lumit Buna, rreth njizet minuta udhë nga Ura e Drinit, rruga pranë lumit, shpinte në nji vend, nga ku shihen tre plepa, në bregun tjetër.
“Atje asht lumi ma i ngushtë për kalim”, më tha. “Posa të errësohet, unë do të jem atje, e herë mbas here, do të ndez çakmakun. Flaka do të ndizet e shuhet, tri herë me radhë. Atëherë, ti kalo lumin. Unë të pres e, drejtohemi kah kufini…”! – “Mirë, – i thashë. – E shtova: – Kam nji revolver e dy bomba dore…! E ti”? – “Edhe unë kam nji revolver…sa për vete”!…– u përgjigj. Armatimi jonë nuk ishte për rezistencë, e aq ma pak, për nji aksion sulmues. Nji ndjenjë e çuditshme më erdhi, e fortë, e parezistueshme. Ishte frika e kapjes gjatë rrugës. Heshta! Shoqnuesi vrejti këtë heshtje të papritun, më shikoi drejt në sy, e më pyeti: – “A je i sigurt që do të ndërmarrësh këtë udhëtim të rrezikshëm?! Po të dëshirosh…”! Nuk mbaroi fjalën. Unë isha ngri në vend.
Mandej, me nji gjysëm zani, u përgjigja: – “Jo! Nuk kthehem mbrapa. Në orën tetë do të jem në vendin e caktuem e, do të kaloj lumin me not. Më prit…”! E mbas nji heshtjeje të shkurtër, vazhdova: – “Jam i vendosun mos me u dorëzue i gjallë…! Por, në qoftë se, në rast rreziku, nuk do të gjej mjaft guxim me rezistue, e mundësisht me vra veten, atëherë, dua të më sigurosh, se do ta kryesh ti…! Të lutem, më premto, tashti, para se të nisemi…”! Ai u pre në fytyrë. Më shikoi drejt në sy, kuptoi vendosmëninë time, e pa largue shikimin, u përgjigj: – “Nuk besoj të përballojmë nji rrezik të këtillë…por e kuptoj”. –
Mandej, tue ulë kokën, shtoi: “As unë nuk dorëzohem i gjallë…as ti”, e tue me shtri dorën, shtoi: “Të jap besën”! Shtrëngova atë dorë burrnore, që pranonte me më vra… e çuditërisht, u ndjeva i qetë! Në këtë çast solemn, ku jeta e vdekja, varen vetëm nga nji kombinacion banal e i pakontrollueshëm i ngjarjeve përreth, më erdhi nji dëshirë e madhe, me ju hedhë në qafë e me përqafue, këtë hero që, jo vetëm rrezikonte jetën e vet, për nji shok, por kuptonte edhe gjendjen time shpirtnore, aq mirë, saqë pranonte me marrë mbi vete barrën e padurueshme të vrasësit. O solidaritet i të shtypunve! Ti je vula ma fisnike e racës sonë njerëzore…!
Me vra nji shok të ngushtë, pavarësisht nga rrethanat, duhet të jetë akti ma i papranueshëm, për çdo mendje të shëndoshë e ndërgjegje të pastër. Por, kur ngjet nji tragjedi e këtillë, e akti i vrasjes, shfaqet si shkalla ma e naltë e solidaritetit për shokun, atëherë gjykimi i “krimit” të kryem, hyn në fushën mbinjerëzore, aty ku nuk gjykohet ma. Nji jetë me vuajtje të padurueshme e, të përhershme, nuk asht jetë. Vdekja me dinjitet, asht ma e pranueshme. Përndryshe…heronjtë që na adhurojmë e, që pasunojnë mediokritetin e jetëve tona, do të kishin vdek në krevat, si krymbat e shkelun me kambë…! Falë këtyne kulmeve të historisë së njerëzimit, na flasim sot, për lavdinë e qenies njeri, me nji lloj krenarie, që mund ndjenjën e pafuqisë e të kufizimeve, të jetës mbi tokë…!
Edhe nji hap tjetër vendimtar për arratisjen, ishte i marrë. Nuk kishte ma rrugë kthimi. Vetëm përpara! Në shtëpi, nana e motra më përgatitën drekën e vonueme. Isha i uritun, por pa oreks. Fillova të ha me kokë ulun. Nuk mund të shikojsha fytyrat e atyne, që do të shkelmojsha atë natë, e mendimit i internimit në kampe dëbimi, më torturonte përtej kufinit. Asnjeri nuk dinte planin tim.
– “Sonte do të shkoj në nji katund, jo larg qytetit, – thashë pa ngritë kokën. – Kemi nji çati me përfundue…asht punë private, e paguejnë mirë, – vazhdova pa bindje. – Kthehem të hanën”. Nana u përgjigj menjiherë: – “Pse nuk pushon nesër?! Ti je i lodhun…gjashtë ditë në javë…do të kalojmë ashtu si mundemi…! Rri e pusho…”! – |Nuk mundem, – thashë. – I kam dhanë fjalën shokëve”. /Nga SAMI REPISHTI/