– Epirotët dhe Maqedonasit formonin një degë të madhe të mëvetësishme të trungut ilir
Parimi i së drejtës historike, bazuar në studimet arkeologjike, etnologjike, linguistike, antropologjike, arkivistike etj., është një nga kriteret kryesore në përcaktimin e identitetit etnokulturor të popullsisë në një gjeohapësirë. Bazuar në këto studime gjatë dy shekujve të fundit janë botuar shumë shkrime dhe vepra të plota, kushtuar prejardhjes së shqiptarëve nga një popullsi e lashtë para greke të quajtur “Pellazgë”. Lidhur me tempullin e Dodonës shumë autorë antikë si Skymni, Homeri, Herodoti, Straboni etj., por edhe studiues të kohëve moderne si: Pukëvili, Hahn, Faulnemajer, Hamond etj., thonë se ishte themeluar nga Pellazgët, prandaj e quajnë Dodona Pellazgjike parahelene. Edhe fiset epirote këta autorë të vjetër grekë i kanë quajtur pellazgjikë. Sipas tyre gjuha shqipe është zhvilluar nga evolucioni i gjuhës së pellazgëve. Ndër autorët e kohëve moderne që argumenton orgjinën pellazgjike të shqiptarëve është edhe dekani i studiumeve albanologjike, Hahn-i. Në faqen 213 të vëllimit I, të veprës së tij “Albanesische Studien” Hahn-i shkruan: “ duke qenë se shqiptarët, nuk janë sllavë dhe nuk kanë afërsi me asnjë popull tjetër të njohur, atëherë duhet pranuar që shqiptarët e sotëm janë pasardhës të banorëve të lashtë para sllavë te vendet” Këta banorë parasllavë ai i quan pellazgë dhe këta i konsideron paraardhës të ilirëve. Shqiptarët meritojnë të quhen “Pellazgë të rinj”. Ai shtonte se: “Epirotët”, Maqedonasit dhe Ilirët ishin farefis. Sipas tij Epirotët dhe Maqedonasit formonin një degë të madhe të mëvetësishme të trungut ilir. Teza e afërsisë së Epirotëve, Maqedonëve dhe Ilirëve mes tyre është një mendim i pranuar pothuajse gjithkund, sepse dëshmitë që kanë mbetur nga gjuhët e këtyre popujve flasin qartë për një afërsi të tillë. Nga shtjellimet e autorit gjerman Johan Hahn rezulton se pellazgo-iliro-epirotët janë popuj më të vjetër se grekët në Ballkan.
Një mendim të ngjashëm për origjinën pellazgo-iliro-epirotëve të shqiptarëve kanë shprehur në veprat e tyre edhe disa autorë të tjerë të huaj si Robert d’Angely, Zaharia Mayani, autori amerikan Edëin Jacques etj. Hipoteza, sipas të cilës shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve të vjetër ka gjetur përhapje edhe ndër autorët arbëresh e shqiptarë të shekujve të fundit. Ndër ta duhen përmendur Jeronim De Rada, Nikollë Keta, Dhimitër Kamarda, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Jani Vreto etj. Jeronim De Rada në vitin 1840, 14 vjet përpara se Hahn-i të mbronte tezën mbi origjinën pellazgjike te shqiptarët doli me studimin e tij “Mbi hyjnitë e pellazgëve”. Sami Frashëri në kreun e parë të veprës së tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” (1899), pohon se: “…Më të vjetrit e prindërve tanë bota i quajnë pellazgë”. Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe e kanë mbrojtur edhe Spiro Konda në librin: “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik” botuar greqisht (1962) dhe shqip (1964), Dhimitër Pilika në librin “Pellazgët, origjina jonë e mohuar” (2005), Aristidh Kola, i cili në vitin 1985 krijoi Qendrën e Studimeve Pellazgjike në Athinë dhe ndoqi tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe duke sjellë një mori argumentash e dëshmi të reja në mbrojtjen e kësaj teze.
Shtrirja gjeo-hapësinore e Epirit (Çamërisë) në lashtësi
Emri Epir, siç dihet, qysh nga lashtësia, është përdorur për të emërtuar atë trevë (gjeohapësire) e cila në kuptimin më të ngushtë shtrihej që nga Saranda deri në gjirin e Artës (Ambrakisë), por në një kuptim më të gjerë Epiri shtrihej më në veri deri te malet e Vetëtimës (Llogara a Gadishulli i Karaburunit). Kurse në lindje kufirin e asaj treve me Maqedoninë dhe Thesalinë e shënonin malet e Pindit. Përsa i kufirit jugor të Epirit në lashtësi, në përgjithësi, është pohuar që caku më jugor i tij ishte bregu i sipërm i Gjirit të Ambrakisë. E për këtë dëshmon qartë edhe gjeografi grek Straboni, i cili ka jetuar në kapërcyll të erës së re. Në veprën e tij “Gjeografia” (libri 7), ai pohon: “Më poshtë vjen gryka e Gjirit të Ambrakisë; gryka e këtij gjiri është pak më e madhe se katër stade, ndërsa rrethi i tij arrin deri në treqind stade dhe i gjithi ka limane të mira. Kur lundron në të, në të djathtë banojnë akarnanët, fis grek…. Nga ana e majtë ndodhet Nikopoli dhe një fis epirotësh, kasiopët, që shtrihen deri në gjirin e Ambrakisë” (shih Straboni: 1549, f. 314, shih edhe ilirët dhe Iliria tek autorët antikë f. 159). Në trevën e Epirit, sipas Strabonit, banonin katërmbëdhjetë fise, si Kaonët, Molosët, Thesprotët, Amfiokët, Atintanet etj. Në një kuptim edhe më të gjerë emri Epir nga disa qarqe greke gjatë shekujve të fundit është përdorur për gjithë Shqipërinë Jugore deri në Shkumbin. Në ndarjen administrative te perandori Dioklecian të fundit të shek. III të erës së re është përdorur edhe emri “Epiri i Ri”, që përfshinte krahinat midis Vjosës dhe Matit. Në mesjetë në disa qarqe europiane emri “Epirot” është përdorur për të emërtuar arbëreshët e shqiptarët në përgjithësi, por ata atëherë zakonisht njiheshin me emrin arbanese a albanese. Ky toponim e ka burimin tek emri i fisit ilir të arbanëve a albanëve të Shqipërisë së Mesme, që përmend edhe Ptolemeu në shek. II të erës sonë. Një përdorim të tillë të emrit Epir e gjejmë edhe te Marin Barleti dhe Frang Bardhi. Kështu Barleti, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e quan “Princ i Epirotëve”. Edhe Frang Bardhi fjalorin e tij latinisht-shqip të vitit 1635 e titullon “Diksioner latinisht-epirotisht”. Gjithashtu në Apologjinë e tij për Skënderbeun të vitit 1636 Frang Bardhi e quan atë “Epirot” ose “Princ i Epirotëve”. Emri Epir e ka burimin nga fjala greke Eperios “tokë” (kontinentale)” (anglisht “mainland”) në kundërvënie me ishullin a ishujt përballë. Ky emërtim është përdorur nga grekët për të dalluar këtë trevë (gjeohapësirë) nga ishujt jonian përballë e sidomos nga ishulli i Korfuzit. (Ka pasur edhe rajone të tjera përballë ishujsh, që janë quajtur gjithashtu Eperios, sidomos në Azinë e Vogël, Florida etj). Termi Epir është përdorur nga Talqidhidi e autorë të tjerë grekë që nga shek. V para erës sonë. Pas erës sonë, në kohët e njohur historike banorët shqipfolës të kësaj treve (gjeohapësirë) e quajnë veten, sipas viseve të tyre, përkatësisht Çamë, Labë a Arbëreshë dhe Toskë kurse viset përkatëse ata i quajnë përkatësisht Çamëri, Labëri dhe Toskëri. Nuk ka asnjë dëshmi që emërtimet Epir dhe Epirot të jenë përdorur nga banorët shqipfolës të këtyre viseve në marrëdhëniet e tyre të përditshme.
Ç’gjuhë flisnin banorët e të ashtuquajturit Epir në lashtësi?
Disa albanologë të huaj dhe shqiptarë si Hahn-i, Kretschmer-i, Nilson-i, Çabej, Metais-i kanë arritur në përfundimin se fiset epirote flisnin një gjuhë të ndryshme nga greqishtja, pra ishin një popull jo grek. Në mungesë të dhënash të shkruara në gjuhën e banuesve të lashtë të Epirit, studiuesit janë përpjekur të shfrytëzojnë burime të tjera si mbishkrimet e tempullit të Dodonës dhe viseve të tjera të Epirit, emrat e njerëzve të fiseve e të viseve të Epirit, dëshmitë e autorëve të vjetër grekë etj.
Lindja e çështjes çame
Gjatë shek. XVIII-XIX-të kur çështja e orientit zinte vendin kryesor në problemet e diplomacisë europiane, Çamëria apo Epiri deri në Artë, konsiderohej nga shkencëtarët (studiuesit) udhëtarët e huaj dhe gjithë enciklopeditë e botës si trevë e banuar me shumicë nga shqiptarët. Edhe grekët deri në atë kohë nuk guxonin të shtrinin hetimet e tyre mbi Çamërinë,. Në fillim të shek. XIX në të gjithë Europën dhe Gadishullin e Ballkanit fillojnë lëvizjet nacionale për çlirim kombëtar dhe për krijimin e shteteve -kombe. Në këtë periudhë Lëvizja Kombëtare Shqiptare u përball me doktrina nacionaliste dhe ksenofobinë ballkanike, që kishin në bazë të tyre pabarazinë e egër etnike. Çështja Çame në gjenezën e saj ka lindur në gjysmën e parë të shek. XIX, si çështje politike e lidhur me platformën nacionaliste te “Megali Idesë” që projektoi shtrirjen e kufirit të shtetit grek të sapoformuar në kufijtë (gjeo-hapësirat) e Perandorisë Bizantine. Pjesë e kësaj strategjie politike ishte edhe lakmi nacionaliste greke për të aneksuar Epirin e Jugut (Çamërinë), por edhe “Vorio Epirin”, krahinat e Korçës e Gjirokastrës të cilat nuk u përfshinë në shtetin grek. “Megali Ideja” për nacionalistët grekë ishte dhe vazhdon të jetë një koncept intelektual po aq sa politik. /Nga Prof. Dr. Sleman SHEME/