Nëna ime e ndjerë gjysmën e vitit e kalonte në spital, vuante nga zemra. Në spital për t’a parë nënën shkonte motra (Lajdja) dhe Vali (kunata ime). Unë dhe Sokoli nuk shkonim dot në spital për t’a parë, i kishim këmbët e lidhura nuk na jepnin leje. Sa herë që vinte operativi në Gjazë, i kërkonim që nëse është e mundur të na jepte leje për të shkuar në spital mbasi nëna ka tre muaj e shtruar dhe ne nuk kemi mundur të shkojmë.
Përgjigja e operativit ishte e prerë për ju nuk ka leje. Ktheshim mjaft të mërzitur megjithëse e dinim se me kë kishin të bënim, ishin njerëz të pa shpirt. Nëna kur kishte mundësi, afrohej te dritarja e shikonte se mos na shikonte në atë mori njerzish që kishin ardhur për të parë njerzit e afërt të shtruar në spital, rrinte sa rrinte e kthehej në krevat duke ju lutur Zotit për ne. Ndërsa ne i luteshim Zotit që ti japi shëndet e të kthehet sa ma parë në shtëpi, kishim mall, kishim tre muaj pa e parë.
Një mbasdite përgjegjësi i apelit na lajmëron të dalim në apel se ka ardhë një operativ i ri për t’u prezantuar. Operativi ishte një burrë i shkurtër, kishte qenë inxhinier nafte, e kishin futur në Sigurim. Mbasi mbaruam apelin, unë iu afrova e iu drejtova:
-Zotni operativ, kam nënën të shtruar në spital, ka tre muaj, nuk kemi pasë mundësi me shku në spital për t’a parë se nuk na japin leje, nëse është e mundur një leje sa për të shkuar deri në spital.
Operativi iu drejtua përgjegjësit:
-Bëje një leje me shkrim.
Përgjegjësi i apelit nxorri një bllok dhe filloi të shkruajë lejen: “Sot në datë 15 nëntor i jepet leje të internuarit Simon Mirakaj të shkojë në Lushnje për të parë nënën e tij të shtruar në spital nga ora 8-14. I lejohet vetëm rruga që shkon për spital”. Leja u firmos nga operativi dhe përgjegjësi i apelit. Kisha një biçikletë “Tirana” që e përdornim verës për në punë. Mora pak ushqime për nënën dhe u nisa.
Kisha ulur kokën, nuk doja të shikoja njeri, njerëzit ishin bërë të frikshëm (jo të gjithë), gjatë gjithë rrugës i lutesha Zotit që t’a gjejë nënën mirë. Po i afrohesha Savrës kur dalloj nga larg një burrë me lopatë në krah. Kur u afrova, ndala biçikletën ishte xha Nuli Konomi ish- i burgosur politik prej Përmeti.
Nuli nuk kishte njeri, jetonte në kazermën e beqarëve. Nga burgu kishte dalë i moshuar por i duhej të punonte për të nxjerrë bukën e përditëshme. Brigadieri Qani Ganiu e trajtonte mjaft mirë duke i gjetur një punë të lehte që të merrte 150 lek. Qaniu ishte me origjinë nga Skrapari, ishte antar partie por njeri me shpirt.
Gjate kohës prej 30 vjet si punëtor bujqësie, kam njoftë dy brigadjeri që ishin njerëz, Qani Ganiun në Savër e Petref Kurtin në Gjaz. Pertrefi nuk ishte komunist, ishte personifikimi i njeriut të ndershëm. Ata nuk jetojne, pushofshin në paqe…
Kur ndala biçikletën z.Nuli ngriti koken:
-O Simon si je?
-Mirë po shkoj në Lushnje në spital për të parë nënën. Po ju si jeni zotni Nuli?
-Po çfarë zotnie jam unë, për mua je zotni e kaluar zotnia, po si jeni?
-Si zogu i Korabit, përgjigja me ka mbetur në mend, zogu i Korabit vjen duke i nxirë çdo ditë.
-Zotni Nuli po më duhet të largohem, Zoti ju dhëntë shëndet.
Kur mbërrita te spitali, roja më pa, më njohu:
-Ke ardhë për të parë nënën, shko dhe thirri nga poshtë.
Nuk pata nevojë me i thirrë se ajo qëndronte në dritare, kur më pa i gëzua pa masë. Filloi duke pyetur si është Sokoli, si janë femijët, a po lodheni te puna. Pak ushqime që kisha, ia dhashë infermieres që të ia dërgonte.
-Nanë, duhet të largohem se lejen duhet me e dërgue në Degë. Nanë mos u mërzit se ne jemi mirë veç merakun për ty, e kemi të vështirë me ardh se nuk na japin leje.
Infermieres iu luta që të shkoja dhe unë me të sa tu përqafoja me nanën, ajo u tregua e njerëzishme. Nana ishte e shtrirë në krevat, shkova e putha në dy faqet e përqafova, kur mbylla derën e pata shumë të vështirë shkëputjen prej saj. Shkova në Degë, firmosa lejen e u nisa për në Gjazë, i mërzitur se nanën e lash aty. /Nga Simon MIRAKAJ, ish- përndjekur, publikuar në Facebook/