Osmani ishte me origjinë nga Gjirokastra. Ishte i martuar me zj.Dilfo nga Kolonja, nuk kishin fëmijë. Dilfo për disa vite ishte dado e Valbonës. Më vonë Vali u rrit te daja. Në vitet ’60 e internojnë në Savër. Mbas pak vitesh internimi, çifti Kuçuku vendoset në Lushnjë, në shtëpinë e Kongresit të Lushnjës, pronë e patriotit Kaso Fuga.
Valbona në kampin e internimit njihet me vëllain tim dhe në 1964 martohet. Martesa na dha mundësinë e njohjes me Osman e Dilfo Kuçukun. Na deshën e i deshëm. Nga viti 1975, Dilfo ndahet nga jeta prej sëmundjes së azotemisë. Osmani mbeti vetëm, ishte njeri shumë i rregullt e dinjitoz. Në vitin 1960 në Lushnjë bie tërmet i fuqishëm.
Mbas disa ditësh në Lushnjë mbërrin diktatori, i cili kishte qenë shok fëmijërie me Osmanin. Osmani punonte punëtor në nyjen e llaçit. Enver Hoxha shkon për të parë masat e marra për të përballuar dëmet dhe shkon të nyja e llaçit kur shikon një burrë që iu duk si shoku i fëmijërisë. Osmani e pa që ai po e shikonte, atëherë heq kapelën. Komandanti e njohu dhe shkoi e u përqafua me Osmanin e i thotë:
-Çfarë do nga unë?
-Nuk dua asgjë, jam shumë mirë.
Të nesermen e thërrasin në Komitet të Partisë e i thonë:
-Çfarë kërkon nga partia?
-Nuk kërkoj, vetem të më jepni triskat e Frontit, të cilat ia dhanë.
Osmani, kur ne na transferuan në internim në Gjazë, vinte një herë në muaj, na sillte ushqime se ne i kishim me racion si kafe etj. Kaloi do kohë që nuk po vinte e u bëmë merak. Sokoli i thotë kunatës, Valit:
-Shko në Lushnje e shiko çfarç i ka ndodhur.
Vali shkon në Lushnje dhe e gjen Osmanin të shtrirë në krevat, ishte paralizuar. Kthehet në Gjazë e i thotë Sokolit se Osmani është paralizuar.
-Çfarë do bëjmë?
Sokoli i thotë kunatës ta marrim e ti bëjmë ne sherbim sa të mundemi po duhet të pysim dhe Simonin. Sa u ktheva nga puna e hyra në shtëpi, pyes Valin:
-Si ishte Osmani?
-Osmani është paralizu. Sokoli më thotë po sikur ta marrim ne me i shërby, si mendon?
-Unë jam plotësisht dakort veç mu s’më vjen përdoresh veç lopatës.
Të nesermen ambulanca mbërrin me Osmanin dhe e vendosim në dhomen ku rrija unë me fëmijët. Unë dola në kasollen me kallama. Sokoli çdo ditë kur kthehej nga puna, i bënte gjimnastikë Osmanit, i cili mbërriti me u përmirsu. Në mbrëmje merrnim shishen e rakisë. Osmani e kishte qejf me e pi një gotë.
Ne merrnim shishen e shkonim te dhoma e Osmanit. Kunata na përgatiste pak meze. Osmani me ndihmën tonë, ngriheshte e fillonim me pi. Në një moment Osmani merr shishen e përplas në tavolinë e thotë:
-E Pal Biba, djemtë i bëre ti e po i gëzoj unë.
Nën kujdesin tonë u përmirësua shumë, filloi të ecë duke e mbajtur përkrahësh. Mbas gjashtë muajsh ndrroi jetë. Ne i bëmë të gjitha shërbimet e varrimin ia bëmë në varrezat e Lushnjes. Pushofshin në paqe! /Nga Simon MIRAKAJ, publikuar në Facebook/