111 vite më parë në një situatë mjaft të vështirë qeveria e Përkohshme e Vlorës e drejtuar nga Ismail Qemali shpalli krijimin e Forcave të Rendit Publik. Në kohë të vështira ku sundon e anarkia e kërkohet zgjidhje e shpejtë për rivendosjen e normalitetit policia ka qenë e para në betejë madje duke e paguar dhe me gjakun e saj.
Policia Shqiptare në këtë 111 vjetor është ashtu si vetë shoqëria. Mjaft të rrëmosh në internet për fjalimet e politikanëve në vite, opinionistë e analistë në emisione televizive, Youtube e gazeta për të kuptuar se mosmarrëveshjet politike sjellin shtrembërim të realitetit; pozita rendit sukseset dhe opozita dështimet. Këtu përfshihet dhe Policia si një shërbim publik i veçantë. Përbën një paradoks fakti që Policisë i besohen burime publike të rëndësishme, fonde të mëdha, autoritet për përdorimin ligjor të forcës dhe armës, ndërsa nuk i lejohet të “flasë për hallet e saj” jo me statistika të kriminalitetit sepse dhe ato nga politika dhe grupet e interesit trajtohen në dy këndvështrime; njëri si rritje kriminaliteti dhe tjetri si zbulueshmëri.
Po sikur të flasin policët?
Është një pyetje që miqësisht ua drejtoj disa gazetarëve me të cilët njohja e vjetër, më bind se nuk më akuzojnë se kam tendencë për ta kthyer policinë në media, madje agresive.
Nuk po flas këtu që policët të nxjerrin në publik sekrete në lidhje me luftën ndaj krimit, informacione që për vetë natyrën e shërbimit i mësojnë sapo takojnë qytetarin dhe që disa herë lidhen me jetën private të atyre që shesin moral. Të dy rastet e sipërcituara janë në shkelje të ligjit dhe të ndëshkueshme. Por në mungesën e një sistemi vlerash të përcaktuara qartë janë disa fakte të njohur që disa analistë e media nuk i marrin në konsideratë kur e “xhveshin” shpatën ndaj Policisë e cila as nuk mbrohet e as nuk akuzon institucione.
Policisë i duhet që, pa akademizma e retorika boshe të shpjegojë, se misioni i saj i përcaktuar në ligje e VKM i ngjan tamponit që mbyll përkohësisht një plagë e cila duhet mjekuar në spital. Këmbëngulja për zgjidhjen e problemeve me kosto të ulët dhe vetëm nga Policia të kujton anekdotën ku fshatari çon tek orëndreqësi dy akrepat i bindur se prej tyre ora nuk punonte.
Çfarë performance pritet nga Policia të cilës shoqëria i beson sigurinë, ku përveç taksave (nënkupto personel, paga, dieta, mjete, ndërtesa, karburant, brënda një periudhe kohe të caktuar) i jep autoritetin të kufizojë edhe disa të drejta civile?
Sa mund t’i kërkosh siguri, qetësi sipas standardeve më të mira Evropiane një policie që si pjesë e kësaj shoqërie vepron në të njëjtin ambient të tejngopur nga kriza e vlerave? A mund të kemi një polic të gatshëm pas çdo dere madje për të luajtur rolin e punonjësit social, ose psikologut në rastet e dhunës në familje? Sa policë duhen për t’i dhënë rrugëzgjidhje të menjëherëshme e të parandalojë konfliktet për pronën, të patrullojnë lagjen në zonat e errëta kur shpërndahet drogë, të veprojë në përgjigje të mijëra telefonatave të qytetarëve për prishje rendi, parkime të gabuara, ndotjen akustike, ndërtimet pa leje, probleme me kriminelë, shjkelës ligji, endacakë, njerëz të panjohur e të sëmurë? Sa forca e mjete policie duhen për të reaguar deri dhe ndaj telefonatave nga jashtë shtetit se dikush ka ndjesinë se i ka hyrë në banesën e pabanuar? Janë qindra detyra që i besohen policisë në qytet e në fshat madje edhe dhënjen e ndihmës për personat shqiptarë e të huaj që humbasin ose aksidentohen në male, mbyten në ujë etj. Ky është misioni i Policisë dhe çdo gjë i kërkohet në pefeksion.
Por qëllimisht nuk duam të kuptojmë se pikërisht ky polici është njeri, mund të vijë nga një familje me probleme ose që përditshmëria e ka vënë në vështirësi. Që vjen nga një sistem arsimor që çertifikon më së shumti të rinj të cilët çdo ditë e më shumë gjuhën shqipe e shkruajnë tmerrësisht gabim.
Mjafton një krahasim i vogël. Në 1993 filloi për herë të parë procesi i testimit për pranim në Akademinë e Rendit Publik. Megjithëse lëkundjet e sistemit arsimor në atë periudhë ndër të tjera testimi intelektual kërkonte shkrimin e një eseje (hartim) në gjuhën shqipe. Me të drejtë një gjuhëtar i njohur tha se policët duhet të jenë dhe mbrojtës të gjuhës shqipe sepse gjuha është më shumë se një simbol identiteti.
Atëhere dallohej gjimnazisti, nga shkolla profesionale; shkolla e ditës nga ajo e natës apo me korepsondencë. Sot ka me mijëra të rinj e të reja që e shkruajnë shqipen si në rrjete sociale edhe kur formulojnë një kërkesë, denoncim etj. Shumë prej tyre aplikojnë për të filluar punë në administratë shtetërore. Aplikantët fitues në Polici pas përfundimit të shkollës do të dalin në rrugë e pakta e punës do të takojnë qytetarët e në raste ngjarjesh e ankesash do të marrin deklarimet shpesh herë nga moshatarët e tyre analfabetë. Një informacion, deklaratë, raportim i shkruar keq e me gabime ortografike e konceptuale vonon, deformon ose dëmton procesin, vret drejtësinë. Lind pyetja. Ku do ti gjejmë të rinjtë e të rejat të arsimuar që do tu besojmë të ruajnë rendin e sigurinë. Policia nuk mund të akuzojë sistemin arsimor për prurjet e dobëta.
Çfarë performance pret nga një punonjës policie që ndihet i frustuar nga media që e ndjek me “vigjilencë e manipulim dixhital” për qëllime të këqia? Mjafton një fakt i pa vënë re; Nëse klikon në internet sheh se ende ruhen njoftime për punonjës policie të arrestuar kur në fakt këta kanë fituar të drejtat dhe janë rikthyer denjësisht në polici. Si mund të ndihen ata, familja, fëmijët, miqtë madje dhe vetë publiku sepse media i mban si të damkosur, ende nën “hetim” apo të “arrestuar”. Politika historikisht nuk e ka përkrahur aq sa duhet policinë përballë presionit asimetrik të medias, madje e ka penguar policinë të mbajë një qasje të profesionalizuar me median për promovimin e vlerave më të mira të policisë. Ky fakt ndikon thellë në kulturën e policisë saqë është e turpshme kur sheh në rrugë punonjës policie të cilët nuk janë trembur nga plumbi, u largohen si lepuj gazetarëve që i ndjekin nga pas me mikrofonë e kamera. Frika ndaj eprorit i cili po ashtu edhe në rastet e manipulimit të materialit filmik mund të qortohet nga eprori më i lartë për prishje imazhi të policisë, e bën policin viktimë e më pas cinik, duke dëmtuar keqas filozofinë e policimit në komunitet për të cilën janë derdhur me mijëra euro.
Për shkak të ngarkesës në punë policët nuk janë trajnuar me programe të veçanta si të reagojnë profesionalisht para kamerave ose celularëve të qytetarëve që kërkojnë medoemos të godasin mediatikisht policin në rrugë.
Policia nuk mund të akuzojë median për sulme të pandershme ajo nuk është platformë mediatike për të sqaruar publikun në favor të saj.
Për raste të kësaj natyre International Police Assosacion IPA- Seksion Albania si shoqatë që ka në përbërjen e saj edhe ish punonjës të policisë të niveleve të ndryshme dhe me përvojë të madhe e ka në qendër të vëmendjes problemin e përcjelljes së një imazhi sa më real dhe mbrojtës me të drejtë të policisë. Nuk mund të pretendojë të bëjë mrekulli por të paktën të sqarojë aq sa mundet politikanët, median dhe publikun se parandalimi dhe lufta ndaj kriminalitetit, menaxhimi i rreziqeve, bëhet me njerëz të motivuzar jo vetëm financiarisht e materialisht por edhe moralisht. Për këtë qëllim aktivitete që rrisin kohezionin në radhët e brezave të policisë promovimi i historive pozitive policore, i shërben krijimit dhe ruajtjes së besimit publik, ndikon në parandalimin, reduktimin dhe goditjen e kriminalitetit, rendin dhe sigurinë publike. /Nga presidenti i IPA Albania Skender DODA,a publikuar në Facebook/