Nesër, 19 korrik 2023, mbushet një muaj nga dita kur Benet Beci u ul në karrigen e kryetarit të Bashkisë Shkodër. Pritshmëritë për mandatin e tij kanë qenë, janë e do të jenë të larta. Ajo që nuk i është dhënë në 30 e kusur vite Shkodrës si qytet e bashki, pritet të nisë ti jepet me qeverisjen lokale të asministratës Beci.
Në fakt, edhe gjatë fushatës elektorale, Benet Beci ka prezantuar projekte madhore ambicioze. Mjafton të përmendim projektin e hyrjes së Shkodrës dhe rrugën e Dukagjinit. I pari do të “çlironte” qytetin që në impaktin e parë me të duke i dhënë imazhin e merituar të metropolit të Veriut, ndërsa i dyti do tē “çlironte” nga rrethimi dhjetra vjeçar potenciale të shumta natyrore me impakt në zhvillimin e gjithanshëm, sidomos turizmin familjar. Do të mjaftonte realizimi i këtyre dy projekteve që mandati i Benet Becit të konsiderohej i suksesshëm.
Ndërkohë, bashkia ka edhe atë që konsiderohet përditshmëria e sherbimeve në territor, duke nisur me pastrimin. Për hir të realitetit, ky sherbim ka patur gjithmonë polemika këto 30 vite. Sidomos pas 2015- ës kur qytetit iu bashkuan edhe 10 ish- komuna, duke krijuar bashkinë e madhe të Shkodrës, nga Dukagjini malor deri tek Velipoja bregdetare. Me këto problematika janë përballur e do të përballen edhe për shumë vite kryebashkiakët jo vetëm në Shkodër, por mbarë vendin, pavarësisht ngjyrës politike. Arsyet janë të shumta por dy më kryesoret: cilësia dhe sasia e sherbimit që ofrohet, po ashtu, vetëdijësimi i qytetarëve se po ndotin apo mbajnë pastër “shtëpinë e tyre”.
Kush ha, bën edhe thërrime apo dromca, të cilat në fund të një vakti mblidhen dhe hidhen në një vend të caktuar të shtëpisë. Nëse përveç kuzhinës, vaktet konsumohen edhe në dhoma të tjera të shtëpisë, sasia e dromcave rritet por duhet sërish të mblidhen tek i njëjti vend. Në fund të ditës apo mengjesin e ditës tjetër, këto mbetje hiqen nga shtëpia e vogël për tu depozituar në vendet e caktuara të shtëpisë së madhe, Shkodrës. Nga aty, në një orar e frekuencë të caktuar, evadohen drejt landfillit të Bushatit. A funksionon si duhet dhe çdo herë ky mekanizëm që nis me shtëpinë e vogël për tu mbyllur tek shtëpia e madhe? Sigurisht që jo dhe për shkak të ndonjë hallke të zinxhirit të këtij procesi.
Me të drejtë ka kritika për këtë sherbim. Mjaft qytetarë me dojnë se meqë paguajnëbpër këtë sherbim, duhet ta marrin perfekt, me cilësinë e një ore zviceriane. A ka një sherbim që qytetarët e marrin 100% të saktë keto 30 vite? Asnjë! Arsyet janë të shumta, por secili po të pyetet, e jep të paktën një dhe jo detyrimisht, është e pavlefshme. Natyrisht, nuk po përpiqemi të justifikojmë mungesën e cilësisë së një sherbimi por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet kohë. I duhet dhënë kohë qeverisjes vendore, pavarësisht ngjyrës. I duhet dhënë kohë edhe qytetarëve.
Prej vitesh qarkullojnë në media sociale foto nga më të ndryshmet. Konteinerë të mbushur plot dhe plehra jashtë tyre, konteinerë thuajse bosh dhe plehra rrotull tyre, pirgje me kuti kartoni e ambalazhe edhe në ndarësen e rrugës në mes të qytetit. Këto janë rastet më të reklamuara deri tani. Deri këtu jemi në konstatimin e problematikave. Cila mund të jetë zgjidhja? Janë disa dhe secili mund ti japë zë të paktën në mediat sociale. Dhe nuk kemi nevojë të shpikim, të ekserimentojmë.
Për shembull, shumë komuna në Itali ku unë jetoj prej më shumë se 25 vitesh, kanë vendosur një rregull. Mbetjet lejohen të hidhen në vendet e caktuara pas orës 20.00 deri në orën 02.00 të mëngjesit. Edhe nëse nuk ka më hapësirë tek konteinerët, qeset lihen pranë tyre. Punonjësit e sherbimit të pastrimit, i evadojnë të gjitha, brenda apo jashtë konteinerëve. Sanksionet, gjobat për mosrespektimin e këtij rregulli nga qytetarët, arrijnë deri në 200 euro.
Në fakt, çdo gjë mendoj se duhet të nisë nga shtëpia e vogël. Ka akoma raste kur qeset “fluturojnë” nga katet e larta të pallateve, duke u përpjekur të shenjestrohen konteinerët e mbeturinave. Janë jo të pakta rastet e pirgjeve me qese mbetyrinash pas dyerve të apartamenteve apo shtëpive private, të cilat askush nga pjestarët e shtëpisë së vogël nuk marrin përsipër ti largojnë për ditë të tëra. Dhe e fundit por jo nga rëndësia, sa vëmendje i kushtojmë edukimit edhe në këtë pikë, të fëmijëve në shkollat tona?! Pak ose aspak! Që me krijimin e strukturës “shtet” tek njerëzoret, kanë ecur paralelisht të drejtat e detyrimet. Këto të fundit, në shumë raste, janë respektuar edhe përmes masave shtrënguese apo ndëshkimore, sigurisht me ligj e rregulla. Nuk është e lehtë për shumë arsye. Të parët që do reagonin do të ishin ata që sot me të drejtë ngrejnë shqetësimin për mbetjet urbane. Varfëria, papunësia, selektiviteti do të ishin disa nga termat e përdorur. E këtu hyjmë në një sferë tjetër, jo kompetencë e qeverisjes vendore! Kjo është politika, në kuptimin më të keq e tradicional të saj! /Nga Sokol N. SOKOLI/