Mendoj se sot, në këtë situatë që po kalon Shqipëria, ku Europa rri e barazlarguar prej nesh të paktën që prej një dekade, fati dhe e ardhmja e qyteteve tona varen në një masë të madhe nga kultura mbizotëruese e qytetarëve të vet. Sot Shqipëria nuk mund të ofrojë vetëm pejsazhin, por edhe kulturën e vet ende të pashkatërruar.
Por, po ashtu si dhe pejsazhi, edhe kultura e mbetur është në rrezik. Edhe pse kultura nuk hahet dhe nuk pihet, ajo prapë rrezikon të dystohet, të asimilohet nga shfaqjet më të shëmtuara të kitchit dhe komercializmit. Thjesht, kultura shkatërrohet. Dhe ajo që e shkatërron kulturën është vetëm ideja e varfër dhe e mjerë e të ashtuquajturit “efikasitet ekonomik”.
Mjaft më “kulturë” për turistët. Mjaft më “kulturë” që shitet per pesë aspra. Kultura para të gjithash duhet të ketë për destinacion vendasit, të cilët nisin e dashurohen dhe bëhen “shërbëtorë” të saj.
S’ka dyshim që një copë park në qendër të një lagjeje nuk ka “efikasitet ekonomik”, prandaj dalin përditë “mendjemprehtë”, që pa i ftuar askush duan t’i japin këtyre hapësirave “efikasitet ekonomik”, me anë të një kulle, apo edhe të një kioske. Mjaft duke i dhënë qyteteve tona këtë soj “efikasiteti ekonomik”! Nuk e duam!
Kultura është thjesht krijimi i ideve, aftësia për të prodhuar një mendim më shumë, jo domosdoshmërisht me funksionalitet të lartë. Vetëm kultura mund t’i japë energji dhe shpirt të gjallëve që jetojnë në një zonë të përbashkët, dhe t’i lejojë ata të ndërtojnë në mënyrë kritike dëshirat, vizionet, shpresat dhe mbi të gjitha perspektivat përparimtare. Është e nevojshme të thuhet se kultura nuk është thjeshtë erudicion. Ajo është lidhja misterioze midis asaj që dihet dhe asaj që nuk dihet, midis asaj që tashmë është menduar dhe asaj që ende po projektohet.
Në këtë kuptim, një qytet vdes sa herë që tentohet të ngadalësohen apo nëpërkëmben proceset kulturore. Me vdekjen e kulturës qytetit i ndërpriten lidhjet logjike, të përkohshme dhe hapësinore, mes njerëzve, midis njerëzve dhe gjërave. Prej atij moment komuniteti nuk është më në gjendje të ushqehet vetë dhe e mira kryesore e tij, hapësira e përbashkët, pikërisht si e përbashkët, nis e humbet kuptimin e saj deri në asgjësim.
Mua, për shembull, do të më kënaqte një qytet ku askush nuk do mund të na pengonte të shihnim qiellin dhe yjet dhe askush nuk mund të na cënonte ëndërrimin; një qytet ku të argëtoheshin fëmijët; një qytet me një punëtori që ia del të riprodhojë traditat, ku të rinjtë dhe të moshuarit mund të rikthehen te rrënjët e tyre; një qytet ku flitet për të ardhmen; një qytet që u jep të gjithë banorëve të saj mundësinë për të përjetuar eksperienca të reja shqisore në çdo cep; një qytet i aftë për të promovuar të mirat e tokës dhe bukuritë e territoreve. Por mbi të gjitha unë do të doja të jetoj në një qytet të aftë për të ndryshuar, për t’i rinovuar vazhdimisht shprehitë kulturore të banorëve të vet. /Nga Stefan ÇAPALIKU, publikuar në Facebook/