Vllaznia “ia merr dorën” Laçit, pasi e mposht sërish, këtë herë me rezultatin minimal 1-0. Nën një shi të vazhdueshëm në “Loro Boriçi”, kuqeblutë i falen një goli të fantazistit brazilian Victor Da Silva, i cili shënoi me prekjen e parë të topit, ndërsa Mirel Josa pëson humbjen e parë në krye të skuadrës kurbinase.
Në “Loro Boriçi” u zhvillua një shfaqje mjaft interesante, me ritëm të lartë dhe raste të shumta shënimi, por ndryshe nga ndeshja e fazës së parë, këtë herë tifozët shijuan vetëm një gol, atë me vlerë tre pikëshe të Da Silvës.
Kjo është fitorja e dytë radhazi për shkodranët, që blindojnë vendin e tretë të renditjes me 16 pikë dhe tani e shohin veten edhe më afër kreut, pasi kanë vetëm 5 pikë më pak se Tirana që mban vendin e parë. Nga ana tjetër Laçi mbetet në vendin e gjashtë me 12 pikë dhe nuk njeh fitoren prej dy javësh radhazi.
Vllaznia – Laçi 1-0 Da Silva 49′