Si vajzë e katërt në familjen teme, edhe telegram ngushëllimi i pat ardhë babës tem për mu… Në fakt Zoti e sprovoi tim atë para se të ndihej klithma jeme e parë, mjekët i thanë nëse donte gruan apo “djalin” gjallë… Ishte dashnia për gruan, pafuqia për me rritë tre jetimë apo mungesa e dashnisë për një qenie që akoma s’e ke pa e s’e ke prekë nga afër, pavarësisht se ka përkatësinë tande që në momentin e krijimit në barkun e nanës, se di cila nga alternativat apo të tana bashkë, banë që baba jem të zgjidhte gruan në një moment deçiziv jetësor siç na bjen tanve rasti me u gjind…
Zoti vendosi që mama jeme e mirë të kishte jetën e gjatë e të rriste, edukonte, mësonte katër vajza… Sot falenderoj Zotin që nuk isha djali i shumëpritun i shtëpisë… Çdo ditë që kalon përforcon tek unë kurajon, guximin, përballjen, butësinë, dashninë, të mirën, heroiken që ndodhet brenda një gruaje… Për asgja në botë nuk do ta ndërroja atë shterzim të trupit, atë forcë gjigande që të duket sikur të çon mbi re e të ul prapë me një qënie të vogël në tokë, që asht krijesë e bukur e Zotit por njëkohësisht mishi e gjaku yt, jeta jote që pulson në një tjetër jetë, një mrekulli me të cilën bekohesh vetëm duke qenë grua!
Por ajo është vetëm një pjesë e testit, një grua është bija, motra, bashkëshortja, mama, reja, kunata, shoqja, mikja e secili rol kërkon impenjim në vete, secili rol pretendon perfeksionimin tand, pritshmëritë janë kudo për maksimumin tënd! E ndërkohë ke edhe një profesion, apo më shume ku duhet të japësh më të miren, ndaj koha për vetveten është gjithmonë e më e pakët!
Duaje vedin fort, më pat thanë mama jeme e mirë para se semundja t’ja mjegullonte aresyen por jo dashninë e mirësinë që e rrezatoi deri në të fundmen frymë! E unë kam vendosë me ja dëgju fjalën, kurrë nuk je vonë për me fillu me e dashtë veten, pa vetëkënaqësi rrenuese, pa egoizëm të marrë, thjesht butësisht e mençurisht duaje veten, moj krijesë e bekume e Zotit!!! /Nga Suela REXHEPI DËRGUTI, publikuar në Facebook/