Po lexoja diçka për Qazim Mulletin, me rastin e kthimit të eshtrave në atdhe pas më shumë se 6 dekadash. Ajo që bën përshtypje, është injorimi me dashje i autoriteteve për një personalitet, i cili fatkeqësisht, përpara syve tonë është pikturuar në mënyrën më të shëmtuar nga regjimi, nëpërmjet komedisë famëkeqe “Prefekti”. Një komedi, për të cilën, ende sot ka pseudoaktorë të cilët marrin fonde bashkie për ta vënë në skenë.
Në realitet, tallja dhe përqeshja e regjimit të atëhershëm dhe të sotëm me figurën e Mulletit, janë të ngjashme në stil por dhe të ndryshme me raste të tjera figurash antikomuniste të cilat janë bërë personazhe librash apo filmash. Në ndryshim nga të tjeret, ndaj Mulletit është përdorur një dozë super e ekzagjeruar e (gjoja) talljes.
Duke shfytëzuar talentin e aktorëve të kohës, përpara shqiptarëve u shfaq historia groteske e një prefekti, me një grua injorante dhe me një djalë idiot. Tallja jepej fundjavave në ekranin e TVSH dhe shqiptarët qeshnin dhe habiteshin se si mund të ekzistonin persona kaq deficente në Tiranën e viteve 40-të. Fatmirësisht, vetëm dy persona nuk e panë asnjëherë atë komedi, vepër e Besim Levonjës, i cili u strehua dhe u mbajt si mik në atë shtëpi. Ata dy persona ishin Hajrije dhe Reshit Mulleti, të cilët vuanin internimin në një barakë në fshatrat e Lushnjës.
Në këtë dënim të pamëshirshëm ndaj kësaj familjeje, mendoj se ka një objektiv shumë më madhor se një familje e vetme, që lidhet ngushtë me diskriminimin që i është bërë një komuniteti, pinjollë të themeluesve të Tiranës, apo tironsin e vjetër siç njihen gjërësisht. Pasi iu morën dhunshëm pasuritë, pasi i vranë, burgosën dhe internuan, pasi e ri-pushtuan kryeqytetin, ky operacion ndaj tironsve të tabanit, do të kishte dhe një fazë tjetër, atë të depersonalizimit.
Tironsit, duhej të ngjanin si njerëz pa intelekt dhe të kufizuar mendërisht. Vetëm keshtu do të mund të lindte domosdoshmëria e freskimit të kryeqytetit me “qytetarë” të rinj, që do të sillnin dije dhe përparim, duke i kthyer tironsit gradualisht në qenie të dorës së dytë.
Prandaj dhe komedia “Prefekti”, nuk është thjeshtë një venie në lojë e Qazim Mulletit, por është tallje dashakeqe ndaj një komuniteti ekselent të asaj periudhe, të cilit kushdo që shkel sot në kryeqytet, i detyrohet një “faleminderit”.
Prandaj të hënën, pavarësisht injorimit të qëllimshëm të shtetit, jam i sigurt që në ceremoninë e rivarrimit të Qazim Mulletit, qytetarët do të tregojnë se kush ishte vertetë “Prefekti i Tironës”. /Nga Taulant KOPLIKU, publikuar në Facebook/