Historinë na e kishin shkrue e po e shkruejshin simbas udhëzimeve e interesave politike të të huejve dhe me qëllime e përfundime të hueja për kombin tonë. U nxi ajo që ishte e bardhë dhe u zbardh ajo që ishte e mbetej e zezë.
Të kthehemi te Shkodra. Kur flasim për të nuk duhet të kemi nji mendim të ngushtë e të kufizuem., Shkodrën ta kuptojmë gjithmonë si zemër e pjesë përbase e njisisë së kombit, bashkë me Vlonën e Pavarësisë, Korçën e Rilindjes, Elbasanin e Noemales dhe sa e sa qytete të tjera. Megjithat[, nuk mund të mendohet Shkodra pa Shqipninë, as Shqipnia pa Shkodrën. Kjo asht nji aksiomë. Në mos kryeqytet administrativ, Shkodra ka qenë kryeqyteti shpirtnor, kulturor dhe i atdhetarizmit të vertetë, si dje ashtu edhe sot në kohën e kthesës së madhe, në kohën e ndërtimit të vuejtun të demokracisë.
Kur bajmë fjalë për demokraci nuk mund të mohohen bazat e ndjenjës demokratike të popullit tonë, madje të maleve. Vetë Kanuni asht shprehje e nji botëkuptimi demokrat e republikan, që janë në themelet e nji botëkuptimi modern të shtetit. Vetë kuvendet e maleve, vetë liria e fjalës në to, që nuk merrte parasysh shkallën shoqnore të pjesëmarrësve, janë shprehje e qartë e vlerës dhe e qenies aë nji mënyre vetësundimi, në nji kohë kur shteti jo vetëm që mungonte por edhe ishte krejt i huej për ta, madje edhe anmiqsor tue dashtë me vendosë me detyrim forma mesjetare e të njianashme qeverimi, që kishin për qëllim asimilimin përfundimtar me dhunë të popullit të këtyne trevave.
Tue pasë parasysh këto parabumje, arsyetohet e spjegohet shpërthimi demokratik i Shkodrës në kohën ma demokratike të historisë së Shqipnisë. E kjo periudhë u shtri prej vjetit 1920, mbas Kongresit të Lushnjes, deri në 1924, tue mbërrijtë kulmin e vet me Revolucionin Demokratik të Qershorit.
Thotë për te Ernest Koliqi, kronist e bashkëpunëtor i “Orës së Maleve”: “Nji lëvizje demokratike e vertetë, qi mbështetej në barazi të drejtavet shoqnore e në vllaznim kombtar, xuni fill atëherë në Shkodër nën drejtimin e Luigj Gurakuqit…dhe përpiqej me shkundë nga shoqnija shqiptare qyrkun aziatik për t’u dhanë rendimeve shtetnore të kombit drejtime e strukturë prendimore”.
Vlerësimi i së kaluemes asht nji shenj se na duem me ecë përpara. Pa nji qëndrim të tillë as mund të mendohet se jemi në gjendje të dalim nga e kaluemja dhe të futemi në rrugën e së resë. Nuk duhet harrue kurrgja nga e kaluemja, po deshëm që të përparojmë pa i përsëritë gabimet që na nxinë jetën, që na humbën si komb dhe krijuen brezni, të cilat nuk e kanë për gja të mohojnë edhe atdheun, brezni që i formoi shkolla marksiste- leniniste, në emën të nji ideali të rrejshëm, në sherbim dhe në varësi të plotë të anmiqve tonë, ideologji që mujti me ba at[ lajme të trunit, sidomos te rinia jonë.
Përtëritja e së kaluemes nuk don me thanë me u shkëputë prej njimendësisë por me qenë me të renë e me të ardhmen. Si i kemi thanë edhe ma sipri, pa njoftë vetveten nuk mund të çmojmë atë që po bajmë, atë që kemi ndërmend të bajmë, për me u kthye edhe nji herë në botën tonë europiane. /Nga Willy KAMSI, shkëputur nga botimi “Seminari i Dytë Nderkombëtar, Shkodra në Shekuj”, Vëll. I, 1998, f 8/