Mëngjeset e vona dhe netët e lagshta të vjeshtës të krijonin një gjendje gjysëm depresive. Kjo jo në kandvështrim psikik por së paku emocional e të përkohshëm. Vinte paradreka dhe dielli ngrihej nalt e kështu disi të bante me mendue se vera halá s’ka shkue. Me shokët mbasdite te kambët e urës së Bahçallekut disa ec e pêja në not krol dhe mbylleshin ditët e vokta për t’ia lëshue vendin mbramjeve të ngathëta e të errëta. Shkodra ka pasë përherë aftësinë me t’errunit e ditës së ngrohtë vjeshtore e mbramjet e lagshta me t’bâ me parajetue zymtinë e dimnit që do pasonte vrik.
Dimni në atë qytet asht i errët. sillet me qytetarët si pushtues i rreptë. I ndryn ata në shtëpi heret e qytetin e mblon njifarë terri si muzike mortore. Hem e trishtë e hem e gjatë, pa ndalesa, pa mëshirë; si të ishte kangë e gjatë jazi.
Çka i mungonte ma së shumti qytetit dimnit, ishin vajzat. Ndonëse qyteti ka namin e të qënit liberal, vajzat përherë kanë qenë disi verore. Pra me vjeshten ikte edhe vera gjinore e qytetit. Ashikët e rinj “mjaftoheshin” me një fikje-ndezje të dritës së odës së hyrive kur ndigjojshin vishkullimen sekrete, atë që në mënyrën pyetëse do të thoshte pakashumë “a më do? ‘shumë’ – sa më do? ‘shumë-shumë’“. Shumë-shumë do deshifrohej fikja e ndezja e dritës dy herë. një pjesë tjetër ishin ashikë gotash.
Emra kafeneshë nga ma të çuditshmit kishte në qytetin tonë. Lokale me emnin “Kafe Moska” apo gjelltore me emnin “Restorant Shangai” ishin ma së shumti që i shkonin dimnit. “Kafja e Shkrimtarëve dhe Veteranëve” ishte ajo që po të ishte pjesë biçiklete do të qè me siguri kundrapedali. Aty s’kishte shkrimtarë por ndoshta kishte lexues dhe s’kishte veteranë por spijunë ndoshta po. Kafja që edhe në netët e lagështa të stinës që ngjante me pushtim, të kujtonte disi verën e vajzat, diellin e plazhin bri liqeni a bri Drinit ishte ”Kafe Rinia”. Por për dreq edhe ajo qè në katin e parë të një pallati që qytetarët akoma edhe sot e thërrasin pallati i kinezëve. Kafet e lagjeve nuk punonin mbrëmjeve vonë.
E djela paradite fillonte bukur në kafenetë me emra gjeometrik si “Rrumbullaku” apo “ Zig-zagu”. Vendi ku ndodhej “Rrumbullaku” dikur, pra në fillimet e saj, quhej “Milet Bahçe” që ma vonë u shqipnue në “Lulishta Popullore” por e shkërdhyen disi me mbrapashtesën “1 Maji”. Pra edhe ferneti, edhe konjaku e ponçi, shpesh do piheshin në lokale me emertime ideologjike. E sa për Zig-zagun kuptohet besoj se forma e ndërtesës në katin e parë të së cilës ndodhej lokali kishte formë zig-zage.
Ishte edhe një kafe me emërtim etnik “Kafja e Magjypve”. Sot do merrej edhe si me kuptim racist por atëbotë nuk e kishte ketë ngarkesë negative. Atje pihej mbi fuçi birrash prej druni që barte erën e “qelbët” e të dashtun të alkolit. Mbi gazetë shtrohej mezja e thjeshtë e lagjes, gjuhca apo saraga e skorta. Herë të njoma e herë të thara në tym. Pija ishte raki frutash apo si i thoshin shkodranët “raki gozhdash”.
E diela në mahallën e Parrucës mblidhte përeç vendalijve edhe ashikët e katundeve përreth. Mblidheshin te një lokal që kurrë s’mori emër, por që qeflijtë e putirave i thonin “Mejhana e Parrucës”. Aty rrokullisnin do dopjo shoqnue me djath bebe, lidhshin biçikletat njêna me tjetrën e i drejtoheshin stadiumit me thirrjet Vllaznija – Vllaznija!
Në stadium s’lejohej alkol, por mbllaçitshin farë luledielli ashtu në rresht si të ishin mjeranë kolkozesh.
Vjeshta e lagësht e qytetit tonë s’do t’ishte dhe aq trishtuese po të mos kishte atë aftësine e dreqit me paralajmërue një dimën të gjatë, të errët, me rrugat bosh në mbramje. /Nga Xhabir TABAKU/