Ti, Anilë, në rrugëtimin tënd kishe aq ëndrra të bukura, sa papritur vdekja t’i mori në moshën 54-vjeçare, por nuk t’i humbi… Ti le aq vlera në rrugën tënde, sa ëndrrat çelën e do të çelin përsëri përmes kujtimeve, dhimbjeve, lotëve, historive, ndodhive… dhe porosive edukative që u jepje nxënësve të tu e këshillave të urta prej gazetareje që u jepje të rinjve që donin të hynin në këtë fushë, që gjithsesi, një fushë sa e vështirë aq edhe e bukur.
Nga jetëshkrimi i Anilës…
Anila Dushi u lind në Shkodër në vitin 1967, dhe ndërroi jetë po në këtë qytet, më, 10.04.2021. Ka mbaruar shkollën e lartë pranë Institutit të Lartë Pedagogjik Shkodër (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”) për mësuesi në vitin 1988, profesion që e vazhdoi deri në ditët e fundit të jetës së saj. Ka mbaruar studimet pasuniversitare ‘Master’ në shkencat e komunikimit pranë UET në vitin 2010. Prej mbi 20 vitesh është gazetare, kryesisht e mediave të shkruara kombëtare, nga të cilat 18 vite me gazetën “Shekulli”, në grupet mediatike “Spektër” e “Unipres” duke mbuluar Qarkun e Shkodrës. Përveç mediave të shkruara ka punuar dhe në ato audiovizive si radion kombëtare “+ 2” (2001 – 2006), A1 TV (2005 – 2011), “Shkodra Tv 1”, “TV Channel” dhe “Star Plus TV”. Nga viti 2014 e në vazhdim bashkëpunoi me BIRN /Albania dhe www. Reporter.al.
Në vitin 2016 ka marrë çmimin “Hamit Boriçi”. Për pesë vite ka qenë asistent pedagoge me kohë të pjesshme pranë Universitetit të Shkodrës në degën e gazetarisë dhe komunikimit. Është autore shkrimesh në revistat “Spektër”, “Etika” dhe punimeve shkencore në fushën e komunikimit në buletinin “Progres” në Maqedoni. Në vitin 1998 ka botuar librin me poezi “Këngët e Dhimbjes”. Në vitin 2013 ka botuar gazetën “Pjacë”. Në vitin 2020 botoi librin monografik: “Pavlina… (kushtuar aktores së shkëlqyer të skenës së teatrit dhe të filmit shqiptar Pavlina Mani). Për t’iu përshtatur zhvillimeve teknologjike në fushën e medias, në vitin 2016 themeloi portalin ëëë. Gazeta pjace.com, e cila ishte një dritare e re informimi.
Çfarë kujtoj nga Anila…
Në mos gaboj, Anila ishte gjenerata e dytë e studentëve të C.U., që do t’ju jepja mësim. Sapo isha kthyer nga një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, ku kisha mbrojtur mikrotezën “Letërsia fantastiko-shkencore dhe fëmijët”. Studentëve u jepja lëndën e Letërsisë për fëmijë e të rinj (leksione dhe seminare). Gjatë seminareve, Anilën e njoha më mirë. Nga natyra ishte kurajoze. Nuk zmbrapsej lehtë. Të vështronte gjatë në sy. Ishte “biramele”. Nuk pushonte së pyeturi. Pyetjet e saj, nganjëherë, ishin dhe të vështira e delikate, por për Anilën ishin brenda natyrës së saj kurajoze.
Pyetjet ishin aq guximtare sa ndonjëherë e kalonin cakun e arsyes. Për Anilën të pyesësh e të hysh në dialog nuk ishte gabim. Ajo pyeste, sepse kishte objektiva ndaj vetvetes. Ajo pyeste se çdoherë e kishte një vizion. Kur nuk i mbushej mendja, pyeste përsëri, por në një formë tjetër… Ishte këmbëngulëse, e rregullt, serioze dhe e dinjitetshme.
Vitet kaluan. Shpesh kur e takoja Anilën-mësuese e Anilën-gazetare përshëndeteshim me përzemërsi. Ishte e përzemërt Anila! Ishte njerëzore e rrezatonte dritë mirësie! Humanizmi nuk u shua kurrë në sytë e saj!
Më vonë mësova se jeta e saj u bë tragjike. Ajo u rrëzua keqas, por u ngrit në këmbë. U ngrit në këmbë por me plagë dhimbjesh që nuk iu shëruan asnjëherë dhe nuk i tregoi asnjëherë. Me këto plagë që i mbante dhe i ruante në heshtje, ajo ecte, bisedonte, ëndërronte nga pak, buzëqeshte diku pak e diku shumë, mësonte me shumë dashuri e përkujdesje nxënësit e saj…
Anila, përmes dhimbjes e vetmisë së saj, e donte shumë Shkodrën, qytetin e lindjes. Veprimtaria e saj si gazetare e terrenit, gazetare kërkimtare, hulumtuese dhe ëndërrimtare u shfaq dinjitetshëm në shkrimet përmes gjinive dhe zhanreve gazetareske në gazetën “Shekulli”. Me stilin e saj elegant, shpesh poetik, Shkodrën me gjithë problematikat e saj e vizatoi me dashuri dhe sikur “e puthte” po me dashuri! Mjafton të sjellë në vëmendje ciklet e shkrimeve për kulturën dhe artin. Ata janë një kurorë lavdie dhe identiteti për Shkodrën e saj. Shkodra e pranoi këtë kurorë, që jo shumëkush ia qëndis. Anila ia qëndisi si një Rozafë.
Shumë vite më pas, papritur për mua, me Anilën na lidhi dhe një libër monografik. Kësaj here Anila ishte në rolin e shkrimtares. Nuk u habita dhe nuk më erdhi e papritur. E njihja, dhe dija ambicjet e saj.
Ky dorëshkrim për t’u bërë libër, na i shpeshtoi takimet, bisedat, telefonatat… Shkëmbyem mendime dhe punuam pafund. Kuptova se Anila ëndërronte si shpresa, flinte e zgjohej si shpresa. Nuk e di, por ishte një e vërtetë se ëndërrimi i ishte kthyer në dashuri e dashuria i ishte kthyer në ëndërrim. Por di që nga dita në ditë ajo ishte aq e zonja e me karakter sa mund të rikrijonte vetveten dhe njëkohësisht ta kritikonte vetveten në lidhje me atë që ajo dëshironte të ishte dhe ku donte të arrinte… Mu kujtua përafërsisht kjo frazë, që sapo përmenda më lart, e shkruar nga autorja Kathi Diamant për Dora Diamantin, që ishte dashuria e fundit e Franc Kafkës.
Një telefonatë nga Anila, një telefonatë e papritur…
Zakonisht në të përditëshmen time kam një ritual: zakonisht punën krijuese e filloj mbrëmjeve, kur në dritaren time shfaqen plot yje. Pastaj vazhdojnë orët, vazhdon shumësia e yjeve në qiell e në dritare… Pastaj afrohet mesnata dhe unë vazhdoj të punoj në qetësinë që më fal nata.
Kur mëngjesi erdhi dhe u shfaq edhe në dritaren time, papritur ra zilja e celularit. Dëgjova zërin e Anila Dushit, që më thoshte: “Profesor… dua të takohem e të bisedoj me ty…”. I thashë përnjëherë: “Po. – Te “Tullat e Kuqe”. Kaq ishte biseda. E shkurtër. Ndonëse solla edhe njëherë në mendje zërin e Anilës. Mu duk emocionues. Sikur në atë emocion shëtiste një dritëz gëzimi, shprese dhe ëndrre. Unë nuk e dija se çfarë më priste…
U takuam të nesërmen. Ishte ora 12.30. Vinte nga Shkolla “Ali Laçej”, ku ishte mësuese e çiklit të ulët dhe, tashmë, e kishte mbaruar mësimin. Nga dritarja ndiqja lëvizjet e saj. La biçikletën. E çlirët hyri në lokal dhe nisëm bisedën… Biseda në fillim ishte me kujtime, pastaj gjithë emoçion më thotë: “Profesor… unë kam shkruar një libër për Artisten Pavlina Mani. Pavlina Mani ka hyrë në kujtesën time që kur drejtonte emisionet për fëmijë dhe unë isha një prej tyre që sidomos të shtunave ngulesha para televizorit për ta parë. Me kalimin e viteve, pasioni im për të lexuar për artin, me naivitetin e adoleshencës së atëhershme dhe më pas të rinisë së parë shkonte paralelisht me ndjekjen e rubrikës “Teatri në Ekran” apo filmave shqiptarë që i vetmi ekran në Shqipëri, TVSH transmetonte të premten mbrëma (teatrin) dhe të dielën paradite (film shqiptar). Aty kam njohur e admiruar magjinë e artit skenik dhe të interpretimit, duke veçuar natyrshëm Pavlina Manin.
… do të ishte nëntori i vitit 2017, komunikimi i parë me Pavlinën, me shkrim, përmes facebook-ut të djalit të saj, Bendisit që ma krijoi këtë mundësi. Erdhi nëntori i viti 2018. Data ishte 13-të dhe Pavlina mbushte 70-vjeç. Gjatë gjithë vitit 2018 mendoja për diçka të veçantë për këtë 70-vjetor dhe arrita të bëj disa video me fragmente nga interpretimet e saj në skenë e në ekran si dhe një shkrim shoqëruar me një video urimi me foto që i publikova në portalin tim “gazetapjacë. com”, si dhe në facebook-un e Bendisit. Data 22 nëntor do të ishte pikënisja e asaj që për mua do të thoshte shumë. Komunikova për herë të parë në telefon me Pavlina Manin. Zëri i saj i veçantë më fliste me mjaft dashamirësi nga ana tjetër e telefonit dhe për mua ishte realizimi i një ëndrre të fjetur, por që tashmë u zgjua. Gjatë kësaj bisede, natyrshëm i propozova idenë e shkrimit të një libri për të, dhe miratimin që mora ishte një gëzim që “më ngriti në qiell”. Ata që më njohin e dinë se jam tip i përmbajtur dhe jo shumë emotive, por atë natë vërtet isha ndryshe. Madje në profilin tim personal në rrjetin social facebook, postova me një fjali të vetme atë që po përjetoja: “E kënaqur, e motivuar profesionalisht, pas një telefonate nga larg.”
“Po më jepej mundësia, ndoshta për herë të parë që të bëja diçka që e kisha dëshiruar dhe menduar shumë kohë më parë. Një sfidë profesionale, një mal i lartë për t’u ngjitur.”
Kështu m’u prezantua Anila në bisedën e parë. Pasi pushoi pak, më vështroi dhe rinisi bisedën: “Librin tim dua ta besoj Ty. Dua të jeni redaktori im. Unë si një nxënëse kokulur do të pranoj çdo sugjerim që do të më jepni.” – dhe më pas heshti. Priste përgjigjen time. “Anilë, nuk e kam lexuar librin… Unë kam besim te ti! Pranoj që të jem redaktor.”
Përsëri më vështroi, sytë i qeshën dhe më tha: “Faleminderit!” Fjalën “Faleminderit!” nuk kam për ta harruar. Ka mbetur në kujtesën time, si një virtyt njerëzor.
Nga biseda që më bëri Anila zbulova edhe një “sekret”. Ky libër me emrin e çmuar “Pavlina…” ke thënë gjithçka, shëtiste si ëndrra e kahershme e shkrimtares së re. Kjo ëndërr, nga mënyra se si e shprehte ajo, ishte e vetmja pasuri që kishte Anila; pasuri që e donte fort, një ëndërr magjike që e shtrëngonte fort e fort! Ajo nuk mund të ikte më. Anila si roje kishte vënë peng shpirtin e zemrën e saj…
Pas një pune shumëditëshe libri përfundoi. Libri u botua. Kur më dha kopjen e parë me shënim-kujtimi, pashë se Anila ishte kthyer në një diell, një diell që fal e merr ngrohtësi prej gëzimit të syve të lexuesve e miqve plot dashamirësi. /Nga Xhahid BUSHATI, shtator, 2023/