Shkrimtari-dramaturg Fadil Kraja ishte një nga autorët kryesorë i teksteve të dramës e të komedisë, që u shfaqën në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Bile, mund të themi se, në rrugëtimin artistik përmes shfaqjeve të këtij teatri, në një hark kohor prej 15 vitesh, shkrimtari Kraja ishte kryesori dhe, pati bashkudhëtar regjisorin e talentuar Serafin Fanko. E, në këtë bashkudhëtim, në vitin 1981, ishte dhe drama “Gjaku i Arbrit”. Kësaj here bashkëpunimi autor – regjisor, ishte ndryshe, në stade më të larta artistike. Regjisori Fanko, që në leximin e parë, e mirëpriti. U entuziazmua! Shënimet e shumta në tekst të bërë prej shikimit të vëmendshëm dhe studimit të dramës; shumë shpejt u shndrruan në materializim e jetësim të dramës. Mbase ishte i vetmi, regjisori Serafin Fanko, që e shihte dramën të realizuar në skenë, e me shumë cilësi. Dhe ashtu ndodhi, ndonëse drama pati shumë prova, dilema e diskutime.
Për rrjedhojë “Gjaku i Arbrit” nuk e pati rrugën të lehtë të dilte si premierë. Më në fund, falë tekstit poetik plot shpirt të shkrimtarit dhe koncepteve estetike, simbolikave, parafytyrave të imazheve nganjëherë surreale që mbartnin kohësitë e nevojshme, drama pa dritën e skenës si shfaqje. “Gjaku i Arbrit”, edhe pse u shfaq 43-vjet më parë, ajo edhe sot e kësaj dite e nderon cilësisht jo vetëm teatrin “Migjeni” por edhe dramaturgjinë shqipe për problematikat që trajton e për fantazinë reale dhe flurore që shfaqet përmes tablove që flasin për kohësi të largëta, kohësi të tashme e kohësi të ardhshme që i mishëroi e i realizoi artistikisht regjisori, Mjeshtri Serafin Fanko.
Duhet thënë, edhe për këtë dramë gjatë provave të saj dhe diskutimeve pas shfaqjeve, u paraqitën disa probleme, të cilat koha i quante “delikate”, dhe disa prej ishin: – raporti dhe koncepti i legjendës me realen, si dhe sa mund të shpirtëzohen ato, sa motivuese mund të jenë, përparësitë ndaj njëra-tjetrës. – sa bindëse ishte dhe është mistikja në raport me çmistifikimin e saj etj. Ngjallja e këtyre diskutimeve ishte përherë e tillë, kur flitej për legjendën, mitet, për besueshmërinë e saj. Dhe këto diskutime, shpesh, vuanin nga argumenti i pamjaftueshëm shkencor e kulturor. Arsyeja, se argumentet veniteshin nga metoda e realizmit famëkeq socialist. Ky fenomen, që shpesh e “lodhi” dramën “Gjaku i Arbrit”, çuditërisht përkonte edhe me problemin e përrallës shqipe. Studiuesit dhe kritikët, duke glorifikuar përrallën me tipare socialiste, kurrë nuk morën një përgjigje të saktë e zgjidhje për përrallën e vërtetë, gjatë shkrimeve të tyre që ata bënin. Dhe disa nga problemet ishin këto: – raporti i reales me irealen. – mitikja dhe amitikja. – prania në vendosjen dhe shtjellimin e ngjarjeve të shtrigës, magjisë, magjistricave e fantastikes. Këto probleme u zgjidhën, vetëm, pas viteve ’90.
Duke rikujtuar prezantimin e dramës…, 43-vjet më parë
“Gjaku i Arbrit” (dramë në dy pjesë) nga Fadil Kraja; regjisor: Serafin Fanko; skenograf: Agim Zajmi, Artist i Merituar; as / regjisor: Z. Kurti; as / teknik: Z. Cungeli; garderobë – rekuizitë: Sh. Pepa; piktor: A. Kadillari; rrobaqepës: S. Hyseni; Butaforist: E. Koka; Inspektor skene: I. Shkreli; Marangozë: E. Kastrati, Gj. Toni; Elektricistë: B. Lloja, P. Prendi, F. Gokovi; Teknikë skene: M. Sejdini, Ç. Petani.
Personazhet dhe interpretët: – Nënëmadhja – Tinka Kurti (Artiste e Popullit); – Rina – Paskualina Gruda; – Pali – Fatbardh Smaja, Bruno Shllaku; – Plaku i Urtë – Lec Bushati (Artist i merituar), Elez Kadria; – Ujkani – Ymer Bala; – Tre djemtë – Enver Hyseni, Gjon Kola, Zef Kurti; – Mbreti Blu – Ramiz Rama; – Tanusha – Donika Franja; – Peshkopi – Esat Kola; – Zonja e madhe – Violeta Sekuj, Miriam Bruçeti; – Danieli – Tonin Ujka, Agron Dizdari; roja – Nefail Piraniqi. Marrin pjesë: M. Qyrsaqi, A. Gjini, Sh. Garuci, Sh. Malaj, R. Selaj, K. Metani, M. Pepa, A. Haveri, A. Çuliqi, S. Koçiu, A. Spahia, E. Alibali, K. Çekrezi, M. Vuksani, G. Furra, I. Ademi.
Pak fjalë për dramën: Virtytet e larta të popullit shqiptar, patriotizmi, besa, nderi, burrëria, kaluan të pastërta ndër stuhitë e shekujve, u trashëguan nga brezi në brez, duke ardhur gjer në ditët tona të përjetësuara në këngë e valle, në rapsodi e legjenda, të pashoqe për bukurinë dhe qëndresën, për dhimbjen dhe krenarinë me të cilat shquhen Arbëria dhe Arbëreshët. Këto janë idetë që shkrimtari Fadil Kraja i shtjellon në dramën “Gjaku i Arbrit”, duke marrë shkas nga legjendat e bukura e të rralla të popullit tonë dhe, duke i sjellur ato tek ne me emocione të forta dhe tingull aktual. – Shkodër, 1981 –
“Gjaku i Arbrit” merr pjesë në Javën e teatrove profesioniste të vendit. Shfaqja u dha më, 21.10.1981, në Tiranë.
Gazeta “Drita”, 25.10.1981, në shkrimin: “Takim i teatrove profesioniste të vendit”, thotë: “Drama “Gjaku i Arbrit” i Fadil Krajës, me të cilën teatri “Migjeni” i Shkodrës çeli këtë aktivitet të bukur, sjell momente të së kaluarës së largët të popullit tonë. I nisur nga disa motive të baladave tona popullore, autori i dramës mishëron idenë se në shekuj populli ynë i ka ruajtur dhe kultivuar si gjëra tepër të shtrenjta virtyte të tilla të larta si besa, atdhedashuria, pastërtia morale etj. Regjia e Serafin Fankos, skenografia e Agim Zajmit (Artist i merituar) si dhe interpretimi i aktorëve, krijuan atmosferën e një kohe të largët, por njëkohësisht të afërt e të dashur për spektatorin tonë. Veçanërisht u ndoq me interes dhe u duartrokit ngrohtësisht loja e aktorëve Tinka Kurti (Artiste e Popullit), Lec Bushati, Ymer Bala, Paskualina Gruda, Violeta Sekuj, Donika Franja etj. Loja-ansambël e aktorëve, me regjinë e pastër dhe të kulturuar, si dhe me skenografinë shprehëse, bënë që pjesa të ndiqet me interes nga spektatorët.” Ndërsa në shkrimin me titull: “Besa e shqiptarit” të autorit Astrit Karadaku, dt. 22.10.1981, gazeta “Bashkimi”, lexojmë për këtë moment artistik:
“Spektatori ndjek me interesim në rritje dramën. Kjo për meritë të regjisorit Serafin Fanko që ka mundur të ndërtojë një spektakël me vlerë, duke na dhënë tablo të plota të situatave dhe të karaktereve të personazheve. Drama ka veprim, ka kahje të qartë zhvillimi dhe në skenë pamjet vinë në mënyrë të logjikshme dhe emocionale, duke zbërthyer në mënyrë bindëse idetë dhe karakteret e personazheve. Dhe kjo meritë u takon edhe aktorëve. Piktori Agim Zajmi ka krijuar skena të goditura artistikisht.” Pas shfaqjes së dhënë, u bë dhe diskutimi i kësaj drame me komponentët e saj artistikë. Po japim pjesë nga diskutimet, duke u fokusuar në problematikat e shfaqjes, që ngritën diskutantët. Për shfaqjen e dramës “Gjaku i Arbrit”, oponent ishte shkrimtari dhe regjisori Gjergj Vlashi.
LEXONI EDHE: “Konstatova ca mangësi….”, aktori shkodran Ymer Bala polemikë me shkrimtarin Xhahid Bushati për “Gjakun e Arbrit”
– Vangjel Heba: “Puna e regjisë dhe e trupës është me dinjitet, të mbush, ka kulturë dhe është shfaqje me vlera të mëdha. Më pëlqen edhe gjuha e autorit, e punuar me mjeshtri. Me këtë shfaqje Teatri i Shkodrës ka bërë një punë shumë të mirë, që tregon pjekurinë e trupës dhe të regjisorit. I përgëzoj.”
– Josif Papagjoni: “Kjo dramë është nga arritjet më të mira të autorit edhe për trajtimin e folklorit. Drama është shumë e arrirë, shumë e plotë që transmeton ide të mëdha e që i flet kohës. Dramën e përshkon stili epiko-dramatik dhe kësaj i janë përgjegjë edhe regjisori, edhe skenografi. Më pëlqen tabloja e tretë. Tabloja të emocionon shumë e arrin pikëkulmore. Edhe tabloja e fundit, ashtu. Dy tablotë e tjera duheshin punuar më shumë. Tabloja e katërt kalon në momente dramatike. Kam fjalë shumë të mira për trupën e Shkodrës, na dhanë interpretime të larta. T. Kurti në mënyrë të veçantë, të duket sikur nuk mund ta lozë ndonjë aktore tjetër. Edhe B. Shllaku, mirë. Mizanskenat e regjisorit janë shumë të bukura.
– Naum Prifti: “Ka një problem që meriton ta diskutojmë: legjenda është një mistifikim e autorët po bëjnë përpjekje për çmistifikimin e për një trajtim realist. Fadili ia ka arritë kësaj. Këtu janë vlerat e dramës. Fundi, edhe po të mbetej në legjendë, do të ishte bukur! Muzika është gjetë shumë bukur. Më pëlqejnë: T. Kurti, P. Gruda, e cila ka të dhëna shumë të mira për të ecë përpara. Edhe B. Shllaku, L. Bushati, si dhe loja me elegancë e Y. Balës.”
– Loni Papa: “Do të flas vetëm për shfaqjen. Legjenda është e njohur, e dashur dhe emocionuese. Këtu janë vështirësitë, por që janë kaluar, duke ruajtur çështjen e klasikes e të traditës. Kjo është ruajtë në gjuhën e autorit, në botën e personazheve dhe në aktualen. Në lojë dhe në trajtimin regjisorial është trajtuar në mënyrë monumentale si statujë. Çdo personazh ka botën e vet. Nuk ka lëvizje të tepërta. Çdo aktor është në botën e tij. Dekori është shumë i mirë e funksional.”
– Vargjel Moisiu: “Drama i gërsheton në mënyrë të harmonizuar e bukur tre komponentët, lënda dramaturgjike ishte një poezi e bukur e virtyteve të Arbrit për të cilat na njohin e na nderojnë në botë. Puna e regjisorit ishte tepër e pastër, e qëndisur dhe loja e aktorëve ishte mjaft e bukur.”
– Bashkim Kozeli: “Jam befasuar nga shfaqja për virtuozitetin e interpretimit, e mendimit regjisorial mbi bazën e autorit. Ajo është legjendë, dramë e poezi, prandaj ajo militon për të na edukuar me krenarinë për gjuhën, vetëm kjo të ishte do të mjaftonte, por ne çdo gjë ka vlera. Merita e autorit është se nga legjendë e ka shkëputë dhe e ka bërë dramë realiste. Ngjarja është reale.”
– Spiro Urumi: “Drama, kështu, siç është, është shumë e bukur. Çdo vrejtje që iu bë dramës, mendoj se, nuk qëndron. Për shfaqjen kam mendim shumë të mirë. Është vënë me mendim të qartë nga S. Fanku. Interpretimi është shumë i bukur. Çdo lëvizje është e kursyer dhe e bukur. E përgëzoj S. Fankon për këtë shfaqje të mrekullueshme. T. Kurti dha një nënë madhështore që të emocionon, me botë të madhe shpirtërore. Bruno Shllaku është për t’u përgëzuar për lojën e bukur; edhe në qoftë se kishte ndonjë teprim, i falet për mungesë eksperience. Më pëlqen figura e Lec Bushatit. Figurë shumë të bukur krijon Ymer Bala. Violeta dhe Agroni më pëlqejnë.”
– Llazar Siliqi: “Shfaqja është tepër aktuale. Shohim diçka nga historia (e përgjithësuar dhe e konkretizuar, dhe është tepër aktuale). I flet kohës sonë. Drama është një hap shumë i mirë i autorit, ku kemi dramaturgun + poetin. Kjo mënyrë e bashkimit të dramës me poetin është një gjë shumë e mirë, se poezia i jep forcë artit dramaturgjik. Këtu kemi një përcaktim të individualitetit të regjisorit S. Fanko. Shihet se ky ka disa veçori si regjisor, është punë e talentuar dhe shumë e bukur. Kishte unitet të stilit prej fillimit deri në fund. Në shfaqje ka një sens mase… në konceptimin nga fillimi deri në fund. Dante Aligheri thotë: “S’më le me u shty ma tutje freni i artit”. Këtu çdo gjë ishte me fre.”
“Gjaku i Arbrit” në shtypin e kohës
Shkrimi: “Në shfaqjen e miqve gjetëm atë që i shërben dhe punës sonë” (Mbresa nga turneu i trupës së teatrit “Migjeni” në qytetin tonë), autori: Dhimitër Orgocka, regjisor i teatrit “A. Z. Çajupi”, gazeta “Përpara” (e Korçës), dt. 04.05.1983.
“Për dhjetë ditë rresht shikuesit artdashës të qytetit tonë ndoqën me interesim të madh dramën “Gjaku i Arbrit”, të dramaturgut të njohur Fadil Kraja, me regjisor Artistin e merituar Serafin Fanko. Shfaqja pa dyshim që korri sukses të plotë. Afrimi midis dy trupave ka filluar që në vitet e para kur ato u krijuan si trupa profesioniste fill pas ngritjes së Teatrit Popullor. Afrimi i hodhi rrënjët gjatë turneve në gëzimin e përbashkët, që lindte pas shfaqjeve të suksesshme. Në këto marrëdhënie të ngrohta ka pjesën e vet regjisori i përbashkët, i cili ka realizuar shfaqje të suksesshme në të dy trupat, veterani i teatrit Artisti i merituar Sokrat Mio. Kanë ndikuar marrëdhëniet shoqërore të aktorëve të vjetër të teatrit tonë Vangjel Grabocka, Dhimitër Trajçe, Aleko Skali, Dhimitra Mele, Pandi Raidhi etj., me aktorë të vjetër të teatrit të Shkodrës që nga Zef Jubani, Preng Lëkunda e Ndrekë Prela, Tinka Kurti, Lec Bushati etj. Dhe u krijua një traditë e mirë. [… …] Po le të kthehemi tek shfaqja “Gjaku i Arbrit”, tek “sekretet” që e bënë atë të pritej aq ngrohtë. Duhet thënë që në fillim se trupa e teatrit “Migjeni” ka mundur që me mjetet e veta të realizojë evidencimin e ideve të veprës, bile mund të themi në atë shkallë sa spektakli të ngrihet mbi nivelin e dramës.
Regjisorin Serafin Fanko dhe gjithë kolektivin e teatrit i kish entuziazmuar ideja e veprës, besa e shqiptarit, qëndresa e tij e pathyer në truallin e vet. Kjo ide i kishte pushtuar të gjithë duke u ndezur shkëndijën e krijimit artistik. Trupa e teatrit “Migjeni” ka vënë disa pjesë të dramaturgut Fadil Kraja, kjo ka bërë që ajo të jetë në gjendje të ruajë atë veçanti që ka stili i këtij autori. Dhe “Gjaku i Arbrit” për materialin dramaturgjik, ndërtimin, problemet që ngre, përbën një të veçantë: shikuesve u duhet folur në ditët e sotme duke marrë një temë nga legjendat. Këtë të veçantë ata mundën ta realizojnë me sukses. Ne dallojmë interpretimet e “Djemve të mbarë” nga “Gjaku i Arbrit”, ndonëse të dy pjesët janë të të njëjtit autor. Regjisori i shfaqjes kishte gjetur mjetet përkatëse, formën e përshtatshme skenike. Procesi i fantastikimit jepet i figurshëm, por jo abstrakt, ai shkakton emocione konkrete. Vepra e cila i ka të gjitha elementet e formës dramatike (fabulën, intrigën, veprimin), rrjedh natyrshëm. Për vetë natyrën e veprës është i pranueshëm në shfaqje një ton i lartë konvencionalizimi në ndërtim, në lojën aktoreske dhe në mjedisin material që rrethon personazhet, është i pranueshëm dhe një statizëm dinamik i mizanskenave, që ndonjëherë prishej nga një lëvizje e madhe energjike. Gjuha regjisoriale ishte lakonike e rigoroze. Në spektakël ka zgjidhje krijuese të papritura, larmi individualitetesh të qarta ne krijimet aktoreske.”
Shkrimi: “Me brendi të pasur dhe interpretim realist” (“Gjaku i Arbrit” – premierë e teatrit “Migjeni”, autori: Hysen Sinani, gazeta “Drita”, 14.06.1981, f. 6.
Analiza e këtij shkrimi bërë nga shkrimtari Hysen Sinani, mendoj se, është më e plota dhe profesionalja në adresë të shfaqjes “Gjaku i Arbrit”. Evidentimi i detajeve në aktrim, në procesin krijues-regjisor dhe poetika me të cilën operon drama bënë që shfaqja të plotësojë më së miri vlerat dhe mesazhet, t’i flasë kohës së largët e kohës që vjen…”Gjaku i Arbrit”, në radhë të parë, është një dramë për të djeshmen historike të popullit tonë, sepse, ndonëse e mbështetur mbi elementë të legjendës, flet me realizëm për qëndresën, për gjakun e derdhur të popullit tonë në mbrojtje të trojeve, të jetës dhe të dinjitetit të tij, si një popull i papërkulshëm. Por ajo është gjithashtu edhe një dramë për të sotmen, në kuptimin që shpirti luftarak, fryma patriotike dhe heroike, dashuria për atdheun, besnikëria ndaj çështjes kombëtare, sinqeriteti, pastërtia morale etj., janë ndër tiparet dalluese të shqiptarit, të ngritura sot, më lart se kurrë ndonjëherë, në vlera të shquara kombëtare.
Përsa i përket vënies në skenë dhe interpretimit, mund të flitet shumë. Edhe në shfaqjet e tjera të mëparshme, regjisori Serafin Fanko është mirëpritur për pasionin, finesën dhe fantazinë krijuese në realizimet skenike. Në këtë shfaqje puna e tij dukej kudo. Që nga konceptimi regjisorial, që shkrihej me atë të autorit dhe tregonte për një bashkëpunim të ngushtë midis tyre, e deri te mizanskenat më të thjeshta, ndihej kujdesi i regjisorit kërkues, për të dhënë një spektakël realist, të bukur e emocionues. Dhe vërtet, shfaqja e tillë erdhi te spektatori. Pa e shkëputur nga trungu ideoemocional i saj, disa anë të tjera të paraqitjes skenike, që ndodh të mos përfillen nga ndonjë regjisor, e bënin shfaqjen estetikisht të bukur në sytë e spektatorëve. Ndihmuan për këtë edhe vendosja, lëvizja, intonacionet e gjuhës së aktorëve e deri kostumet e tyre. Në këtë shfaqje binte në sy edhe skenografia e Piktorit të merituar Agim Zajmi, i cili kishte mundur të krijonte një dekor të tillë që të tërhiqte menjëherë në atmosferën e kohës për të cilën bënte fjalë drama.
Shkrimi: “Dramë me temë nga e kaluara dhe me tingëllim aktual” (Rreth dramës e shfaqjes “Gjaku i Arbrit”, gazeta “Jeta e re” (e Shkodrës), autori: Ndue Lazri, dt. 08.08.1981.
“… autori mbështetet në folklor, në baladën e njohur të Kostandinit e Doruntinës. Por, shkrimtari Fadil Kraja nuk ka qëndruar brenda kuadrit të baladës, duke e kthyer atë në dialog. Përkundrazi, ai ka bërë konceptim poetik të veprës, duke e gërshetuar atë edhe me balada të tjera të folklorit tonë, si “Kënga e Ago Ymerit” etj., për të nxjerrë idenë e fuqishme të besës së shqiptarit. Si e tillë “Gjaku i Arbrit” është një dramë për besën e shqiptarit, e cila është trashëguar nga brezi në brez si një nga virtytet më të vyera të popullit tonë. Brenda këtij konceptimi autori ka ditur t’i japë veprës një theks të fuqishëm aktual. Mënyra e shtjellimit të ngjarjeve e episodeve, gjuha poetike që përshkon tërë veprën që nga fillimi në fund, e bëjnë spektatorin ta harrojë baladën dhe të zhytet në subjektin e dramës, të jetojë me personazhet dhe të provojë emocione të forta. Dialogu është punuar me mjeshtëri, në përshtatje të plotë me natyrën e dramës e të ngjarjeve. Nëpërmjet gjuhës (krahas veprimeve) autori i individualizon bukur personazhet. Spikasin nga njëra anë mençuria popullore e Plakut të urtë dhe e Nënëmadhes, nga ana tjetër dinakëria prej katili e Zonjës së Madhe, temperamenti i zjarrtë prej trimi të vendosur i Palit, lirizmi i hollë dhe stoicizmi vetmohues i Rinës, naiviteti dhe pafuqishmëria e princit të përkëdhelur, që është “vegël qorre” për realizimin e planeve djallëzore të së ëmës mbretëreshë dinake, zemërgjerësia e pafund dhe pjekuria e trimit Ujkan etj. Autori me finesë i është larguar aty-këtu baladës, duke i dhënë dramës nota më realiste e më të besueshme për spektatorin. Drama u vu në skenë nga Serafin Fanko. Regjisori kishte punuar me mjeshtëri për të nxjerrë në pah vlerat pozitive të dramës. Ai ia kishte arritur këtij synimi, duke na dhënë një shfaqje të pjekur e të arrirë artistikisht, ndonëse në ndonjë skenë ndjehej nevoja për më shumë dritë. E tërë trupa e drejtuar prej tij lot si një ansambël harmonik. Punë të kujdesshme kishte bërë Piktori i merituar Agim Zajmi në realizimin e skenave dhe të kostumeve, që u përshtateshin mjaft mirë si atmosferës së kohës për të cilën bëhet fjalë në dramë, ashtu edhe ngjarjeve e situatave të krijuara nga autori.”
* * *
“Gjaku i Arbrit” mbetet një dramë-ikonë. Për mesazhet, vlerat që mbart, lojën e aktorëve, konceptet estetike dhe shijen kulturologjike, si dhe hapësirën regjisoriale ka lënë vendin dhe shenjën e vet në historikun teatror të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Për cilësinë artistike të komponentëve të shfaqjes, në shumë aspekte e tipologji, mbetet e paarritshme. Ajo ishte një pikëkthese. Ç’dua të them me këtë? Ajo iu largua një lloj patetizmi dhe prirjes të një heroizmi (qoftë individual, qoftë kolektiv), në lojën e aktorëve, të një lloj formule-rutinë në realizimin e subjekteve, që shpesh herë ishin të njëllojta, deri në një shtampim apo formatim të aktorëve, të cilëve paraprakisht e dinin që më parë, se cilin rol do të interpretonin… etj. Pra, “Gjaku i Arbrit” solli një erë të re në freskimin e repertorit, dhe bëri që Teatri “Migjeni” i Shkodrës të kthente sytë nga guximi i mënyrës së re të trajtimit të temës dhe idesë, si dhe nga magjia e evropianizimit teatror.