Takimi me Ferdinand Bushatin qe një befasi e këndshme. Edhe pse mbi supe i qëndrojnë shumë vite, flokët e thinjura ishin po ato. Ndoshta me një nur bardhësie. Po ato ishin edhe sytë që ruanin shkëlqimin shprehës e mirëbërës. Po e njëllojtë ishin edhe lëvizjet e duarve, edhe sjelljet nazike plot edukatë. E folura, si dhe ecjet, ishin më të ngadalta. E qeshura nuk kishte ndryshuar. Ajo ngjante si një gurgullimë drite, të cilën e shoqëronte një rreze dielli e asaj dite fillimprilli. Ndërsa, tek e shihja Nardin, mua m’u zgjuan plot kujtime…
Shumë vite rinie kalova në atë vatër të ngrohtë e të dashur që quhej: Klubi i rinisë “Heronjtë e Vigut”. Respekt dhe dashuri, mirënjohje dhe fisnikëri për Zotni Nardin (Ferdinand Bushatin) si drejtor e regjisorin gazmor e plot humor shkodran Hilmi Tukaj! Shpresoj që, gjithë atyre brezave që “u shkolluan” në këtë vatër, sadopak t’u zgjoj kujtime për ato vite të bukura, të paharruara e të hijshme…
Klubi i rinisë “Heronjtë e Vigut”, gjatë gjithë periudhës së jetës artistike të tij, qe një vatër e rëndësishme e talenteve të reja në shumë fusha, si në muzikë, letërsi, pikturë etj., për rrjedhojë dhe vatër vlerash, të cilën studiuesit, me siguri, do të thonë fjalën e tyre në studimet e ardhshme.
Duke hulumtuar në arkivat e këtij institucioni kulturor, dëshmon se jetën e tij e nisi me emërtesën Klubi i Artizanatit dhe ishte i vendosur në Shtëpinë e Dabërdakëve. Në stafin drejtues, në mes të tjerëve ishin: Seit Malja, Zef Lekaj etj. Më vonë, rreth viteve 1962 –1963, na shfaqen këto emra: Fadil Kraja (drejtor), Teufik Duka (regjisor), Tonin Daija (shef muzike), Serafin Fanko (koreograf), Franc Ashiku (piktor). Në vitet e mëvonshme në historikun e Klubit të Rinisë, përmenden edhe këto drejtues: Shaban Bajrami (drejtor), Mark Kaftalli (shef muzike), Ahmet Zeqiri (regjisor). Më pas, për një periudhë të shkurtër, kemi: Fejzi Spahia (drejtor), Ymer Bërcana (regjisor), Ferid Bala (shef muzike). Ky i fundit, ka një periudhë më të gjatë veprimtarie.
Nga viti në vit, institucioni në fjalë, vjen dhe merr portretin e tij artistik. Konsolidim dhe thellim, një frymëmarrje të gjerë, duke i kapërcyer “muret’ e vendlindjes, e duke bërë emër të mirë në gjithë Shqipërinë, njeh me stafin më të gjatë drejtues në vite (1968 – 2001): Ferdinand Bushati (drejtor), Hilmi Tukaj (regjisor), Fatbardh Luga (shef muzike).Më vonë në sektorin e muzikës do të punojnë dhe Luan Borova, Nimet Salobegu, Tonin Tërnaku.
Problematika themelore e këtij institucioni ishte që të gjitha aktivitetet e zhvilluara ruanin veçoritë e moshës së rinisë, moshë e cila ishte e mirëpritur kurdoherë në mjediset e saj. Talenti zhvillohej dhe merrte udhë. Kjo ishte arsyeja që ky Klub rinie kishte fituar emër, sepse shumë emra që e nisën jetën te ky institucion nisën të jepnin kontribute të rëndësishme në jetën e v endit, si në sferën e muzikës, të letërsisë, pikturës, humorit etj. U bënë personalitete me spikatje të theksuar artistike, gjë që reflekton edhe sot në ditët tona.
Krahas veprimtarive në rang lokal, në shumë veprimtari që kishin si strukturë ndërtimi “Koncertin-variete” dhe që kishin vlera të veçanta dhe fitonin admirim edhe në rrafsh kombëtar, ishte dhe pjesëmarrja e shumë këngëtarëve nga Tirana e rrethet, të cilët ishin mysafirë e miq në këto aktivitete. Kujtojmë: Sherif Merdanin, Ema Qazimin, Liljana Kondakçiun, Justina Aliaj, Lindita Theodhorin, Zija Saraçin, Françesk Radin, Manjola Nallbanin, grupin “Na bashkoi kënga popullore” etj. Nuk besoj që këngëtar me emër në estradat profesioniste ku punonin apo në fusha të tjera, të mos kenë në CV-në e tyre dhe “Pjesëmarrës në veprimtaritë e Klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut”. Nga gjithë ai gjerdan i madh aktivitetesh mund të përmendim: “Stacion i dashur”, “Portreti i Festivalit të 11-të”, “Ekipi “Vllaznia””, mbasdreke kushtuar figurave të shquara në fusha të ndryshme të jetës, si ajo për Alfons Gurashin, Ismet Bellovën, etj.
Një drejtim tjetër në platformat e këtij institucioni ishte dhe thellimi i elementëve tradicionalë që kishte Shkodra, si kënga popullore, vallja, humori, sporti, etj.
Krahas koncerteve me këngë popullore, ku shfaqeshin zërat e rinj dhe premtues, do të ishin dhe emrat e Bujar Qamilit, Violeta Zefit, Bashkim Alibalit, Eduard Jubanit, Frederik Ndocit, etj., por edhe puna e palodhur e drejtuesve: Gani Tahiri, Mark Kaftalli, Nazmi Lishi, Osman Mula, Fatbardh Luga etj.
Humori dhe në veçanti ai shkodran, me problemet që shfaqte koha në kontekste të caktuara historike, ishte një element i pranishëm në shfaqjet artistike të Klubit të rinisë, shfaqje që jepeshin në mënyrë periodike. Në skenën e këtij institucioni, në skenën e teatrit “Migjeni, e më gjerë, shfaqën talentin dhe interpretuan me dinjitet aktorë të tillë, si Gjosho Vasia, Gëzim Kruja, Kolë Saraçi, Moisi Preka, Aleks Selmani, Edi Vata, Kolë Kakarriqi, Rita Gjeka, Gj. Jaku etj, të cilët fituan duartrokitjet e spektatorëve. Rolet e tyre do të mbahen mend gjatë, se i punuan me shpirt dhe dashuri, i ndërtuan me realizëm dhe sollën prurje vlerash artistike. Për kontributet dhe arritjet, për vlerat që dhuruan dhe arritën, ka meritë të veçantë dhe regjisori Hilmi Tukaj.
Në Klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut” funksiononte dhe rrethi letrar, duke mos gabuar, ishte një nga më të dallueshmit në Shqipëri. Nga viti në vit mozaiku i krijimtarisë së letrarëve të rinj vinte duke u bërë më interesant dhe objekt diskutimesh e vlerash edhe në studimet letrare.
Krahas përgatitjes së materialeve të ndryshme, veçanërisht montazheve letrare e letraro-muzikore, gjë që rritnin më tej cilësinë e aktiviteteve, firmat e tyre nisën të dukën me cikle me poezi, tregime, e më vonë edhe me libra artistikë. Vërtetë janë të shumtë, por po përmendim disa prej tyre: Mehmet Gucia, Skënder Temali, Mehmet Shpuza, Dodë Kaçaj, Bedri Islami, Tonin Shtjefni, Alfred Çapaliku, Agim Spahiu, Hysni Milloshi, Burhan Kurtaj, Visar Zhiti, Novruz Shehu, Skënder Rusi, Nazif Agalliu, Hamdi Meça, Xhahid Bushati, Pëllumb Sulo, Petrit Ruka, Vojsava Nelo, Mimoza Gjokutaj, Qemal Hoxha etj. Disa prej tyre janë sot emra të njohur në letërsinë shqipe.
Për një njohje dhe publikimi të krijimtarisë së tyre shërbente botimi i almanakut “Shtigje të çelura”. U botuan vetëm tre numra. Numri i katërt, i cili u përgatit, u ndalua me argumentin “për shenja modernizmi”.
Edhe rrethi i pikturës bëri emër të mirë. Ai u drejtua me dinjitet nga piktori i njohur Angjelin Dodmasej. Lëvrimi i gjinive dhe hapja e ekspozita lokale, personale e kombëtare, bënë që shumë nga këto piktorë që jetën artistike e nisën në këtë Klub rinie të vazhdonin edhe Akademinë e arteve (sot Universiteti i Arteve). Disa prej tyre dalloheshin për individualitetin e tyre artistik.
Klubi i rinisë “Heronjtë e Vigut”, në tërë vitet e jetës së tij, me larminë e veprimtarive që dha, u fali njerëzve jetë, gjallëri dhe buzëqeshje, bëri emër të mirë dhe qe dinjitoz dhe me vlerë edhe në rrafsh kombëtar.
Kjo ishte dhe arsyeja që takimi me Nard Bushatin më kujtoj vitet e bukura të rinisë sime dhe më zgjoi në shpirt kujtime pafund… /Nga Xhahid BUSHATI, publikuar me 25 prill 2019/