Me emrin e muzikantit të shquar Simon Gjoni, jam njohur që kur isha fëmijë dhe kisha filluar të frekuentoi mësimin e muzikës. Përveç mjediseve muzikore ku e dëgjoja emrin e dirigjentit dhe kompozitorit Simon Gjoni, e dëgjoja në transmetimet radiofonike të Radio Shkodrës e të Radio Tiranës, si edhe e shikoja të shkruar edhe në ndonjë libër e fletë muzike. E dëgjoja të përmendej me konsideratë e vlerësim të veçantë emri i tij, në institucionet ku bëhej art e kulturë dhe flitej e bisedohej për shkrimtarët e artistët: në shkollë, në Shtëpinë e Pionierit (kështu quhej Qendra e Kulturës e Fëmijëve), në Klubin e Rinisë, në Shtëpinë e Kulturës, në Teatrin “Migjeni” etj.
Një arsye e veçantë që ky emër ishte shumë i përmendur, ishte edhe fakti se ai i përkiste një rrethi muzikantësh të njohur, që kishin lindur e ishin rritur në qytetin tim të lindjes në Shkodër dhe e kishin filluar aktivitetin artistik që në vogli. Çesk Zadeja, Tish Daija, Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Abdullah Grimci e ndërmjet tyre edhe Simon Gjoni etj., në Shkodër kishin bërë emër si muzikantë të mirë, instrumentistë, krijues e drejtues të talentuar, e për këtë disa prej tyre i dërguan për studime të larta jashtë vendit.
Për mua ishte shumë i njohur edhe sepse përmendej shumë nga dy dajat e mij Gjovalin dhe Pjerin Xhanxhafili muzikantë profesionistë, i pari violinist dhe i dyti violinçelist, mësues në shkollën e muzikës dhe pjesëtarë në orkestrën simfonike të Shkodrës, nderkohë që Simon Gjoni ishte kthyer nga studimet që kishte kryer në Çeki(Pragë) dhe ishte dirigjent e kompozitor i afirmuar.
Nuk kishte artëdashës e shkodranë që emrin e Simon Gjonit të mos e njihte, si autori i shumë këngëve dhe i këngës “LULE BORE”që e këndonin të gjithë.
Eshtë viti 1969, i veçantë për jetën time sepse fitova të drejtën të vazhdoj studimet në Institutin e Lartë të Arteve, e që më dha mundësi të njihem nga afer edhe me profesorin Simon Gjoni. Fillimisht dëgjova të përmendej me konsiderata shumë larta si një dirigjent, kompozitor e pedagog i kompletuar, njohës i shkëlqyer i disiplinave formuese kryesore e në veçanti i artit të dirigjimit dhe orkestracionit. Në sallat e koncerteve si ajo e Institutit të Lartë të Arteve, Teatrit të Operas dhe Baletit, njoha veprat e tija të luajtura nga orkestrat simfonike si ajo e Radio Tiranës, e Teatrit të Operas dhe Baletit, Institutit të Lartë të Arteve dhe e Liceut Artistik. E shikoja kur vinte në shkollë për të dhënë leksione duke ecur me një hap të shtrirë, të sigurt e të shtruar, me shtatin krejt drejtë, në fytyrë i menduar e me një pamje serioze, me vështrim përpara. Kur ishte i shoqëruar në bashkëbisedim, buzët i vizatonin një buzëqeshje të lehtë miqësore. Me një fjalë të krijonte përshtypjen e një njeriu tepër të disiplinuar, e se përsonaliteti i tij e kishte të mishëruar karakterin e dirigjentit. Edhe tani e kam parasysh, e kujtoj kur rastiste të ecte vetëm i përqendruar dhe angazhuar tërësisht, sikur në mëndjen e tij të ishte muzika dhe pritej vetëm gjesti i fillimit, ataku.
Meqenëse studimet i vazhdoja për dirigjim koral, në program kisha edhe një vit studime në mësimin e lëndës së dirizhimit simfonik. Këto njohuri më caktuan ti marr në klasen profesor Simon Gjonit. E prita me kënaqësi këtë vendim të drejtuesve të katedrës. E kujtoj mirë procesin e marrëdhënieve që kriojonte me studentin që nga zgjedhja e veprës, studimi skrupuloz i partiturës në të gjitha drejtimet e me të gjitha detajet. Një kujtim të veçantë ruaj edhe në dokumentin e përfundimit të studimeve të larta, sepse “DIPLOMA” mban firmen e kryetarit të komisionit Simon Gjoni.
Momentet që tegova më sipër, konsoliduan marrëdhëniet e mija me muzikantin e shquar e profesorin tim Simon Gjoni. Sigurisht ndihesha mirë dhe i privilegjuar që një emër shumë i njohur i muzikës shqiptare, aktiv në jetën kulturore e artistike më njihte mirë dhe kur fillova aktivitetin profesional pas mbarimit të studimeve, tregonte interesim për ecjen time. Janë të shumta takimet e bashkëpunimet kulturore e artistike miqësore profesionale, që na bashkuan në detyrime institucionale.
Pasi mbarova studimet u emërova në qytetin e Peshkopisë, me detyren “Përgjegjës muzikë” pranë Shtëpisë së Kulturës. Profesor Simoni vinte shpesh i deleguar kryesisht nga Ministria e Kulturës dhe institucionet e rëndësishme të vëndit, për të ndjekur problematikat që kishin të bënin me artin e kulturën dhe për të ndihmuar me eksperiencen, bagazhin dhe autoritetin e tij. Këto takime për mua ishin shumë të çmuara, sepse konsultohesha për rrugëtimin tim si muzikant, drejtues, studiues, si kompozitor, si pedagog e në tërësi si një i ri që me pasion e përkushtim isha angazhuar në rrugen e bukur e me plot sfida të muzikës e të artit.
Kur në fund të vitit 1980 u tranferova me punë në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, takimet i kisha më të shpeshta për shumë arësye. Shkodra ishte një qëndër me tradita të shquara në fushen e artit dhe kulturës, ku pëveç aktiviteteve të rëndësishme me karakter lokal, zhvilloheshin edhe ngjarje artistike me karakter kombëtarë. Një prej tyre ishte Festivali Kombëtarë i Këngës për Fëmijë. Ka rastisur që në drejtim të këtij evenimenti artistik të bashkëpunonim ngushtësisht, sepse profesor Simon Gjonit i ishte besuar detyra e udhëheqësit artistik, ndersa mua detyra e dirigjentit.
Kishte eksperiencë të mirë oganizative e drejtuese, dhe shpirt praktik në zgjidhjen e problemeve. Ishte i qetë, autoritar dhe bashkëpunues, i vendosur dhe i saktë në çdo vendimmarrje.
Shprehi respekt të thellë për kontributin e gjërë dhe të rëndësishem që dha për muziken në vëndin tonë si dirigjent, kompozitor, pedagog edukator, si studiues dhe organizator. Shprehi respekt e mirënjohje dhe ruaj kujtime të bukura, për rolin pozitiv që luajti në formimin tim profesional, inkurajimin dhe për bashkëpunimin. /Nga Zef ÇOBA/