Ne që kemi harxhuar jetën në arsim ose, e thënë ndryshe, ia kemi kushtuar jetën arsimit, kemi nevojë shpesh të reflektojmë, të meditojmë, të kujtojmë e të kujtohemi për realitetet arsimore që kemi kaluar e po kalojmë. Unë bëj pjesë në veteranët e arsimit, me rreth katër dekada punë. 7 Marsi më kujton çdo vit rrugëtimin tim modest, por mjaft të gjatë në profesionin e mësuesit.
U gëzova deri në mallëngjim kur pashë në televizor festimet që ishin organizuar me mësues të vjetër e të dalluar me rastin e Festës së Mësuesit. Mirë bëjnë që festojnë, sepse na mbajnë gjallë kujtesën. E kujtesa më shpie në Ndrejaj të Shoshit, në Palaj, në Vig, në Domën, në Repisht, në Bogë, në Dedaj, Në Koplik të Sipërm, në Laç Vau Dejës, në “Martin Camaj”, në “Shejnaze Juka” dhe së fundi në “Jordan Misja, aty ku mbarova gjimnazin dhe nisa e po mbyll rrugëtimin tim të jetës, të paktën profesionale.
Imagjinoni pak se ç’ka ndodhur me jetën e një njeriu të thjeshtë si puna ime. Përfytyroni pak sa i kulturuar mund të isha bërë, nëse gjithë këta emra fshatrash ku unë lashë rininë, të kishin qenë emra qytetesh evropiane, ku njerëzit e privilegjuar të kohës së sotme shkojnë për të studiuar për semiotikë e glotologji.
Çfarë mund të kujtojë më parë njeriu pas kësaj maratone donkishoteske? I shkon kujt në mendje të imagjinojë se si kanë jetuar mësuesit e kësaj kohe: ku kanë fjetur, si kanë fjetur, si janë ushqyer, si janë veshur, si janë ngrohur, sa herë kanë ardhur pranë familjes sipër skodave të druve ose në zetorë. Sa vajzave arsimtare u ka ndërruar në mënyrë dramatike kursi i jetës? Kush e kupton më mirë se ne “Shkretëtirën e tartarëve” të Dino Buxatit apo “Procesin” e Kafkës? Askush? Të gjithë bëjnë si snobë dhe hiqen sikur i kanë kuptuar.
Një udhëtim mes dy sistemesh, në dy kohë mjaft të ndryshme. Me protagonistë të ndryshëm e shkolla të ndryshme pedagogjie. Me programe e tekste të konceptuara nga specialistë e pseudospecialistë. Ushqyer nga konformizmi dhe servilizmi heroik i njeriut shqiptar si atëherë dhe sot. Shumë gjëra kanë ndryshuar dhe shumë të tjera, sidomos ato kryesoret, kanë mbetur vendnumëro. Po të kujtojmë pak shtrirjen e rrjetit arsimor. Është po ai i para viteve ’90.
Por më i rrëgjuar për shkak të shkretimit e të boshatisjes së fshatrave. Ose të kujtojmë kontrollet dhe ankthin që buronte prej tyre. Edhe sot ndodh e njëjta gjë. Si në komedinë e zezë “Revizori” të Gogolit. Kontrolli është kthyer në psikozë. E ka kaluar mësuesin e gjorë në gjendje paranormale. O qenie e brishtë, e pafajshme dhe shumë e frikësuar nga shteti, nga kontrolli, nga taskforca, nga sektori i statistikave, nga portali, nga kreditet, nga trainimet, nga performanca, nga kompetenca, nga piari, nga kodi etik, nga IKAP-i nga partia, nga komuniteti, nga media investigative, nga gazetarët sahanlëpirës etj., etj,; e sidomos nga revolucioni kulturor i Covidit nga pandemia, nga “le maschere nude”, si në botën pirandeliane.
Pastaj vijnë metodat e mësimdhënies. Të gjitha perëndimore. Entuziazëm i paparë. Lumturi e madhe e atyre që i përkthejnë tekstet dhe metodat perëndimore të mësimdhënies. Dhe përkthimi është i keq. Terminologji e jashtëzakonshme; lumenj fjalësh të reja për të thënë gjëra të vjetra, që janë thënë qysh në vitin 1887 në arsimin tonë. “Në çdo kaçubë po mbin nga një abacedar…” thoshte Fishta. Koha ka evoluar. Kjo nuk do të thotë asgjë, sepse ka evolucione inverse.
Sot qarkullon brezi i ri i mësuesve. Ky brez mund të jetë më i mirë ose më i keq se brezi ynë që po ikën, por një gjë është e sigurt: fakultetet e mësuesisë janë në pikën e tyre më të ulët dhe frekuentohen nga kontingjentet e të rinjve që i kanë humbur shpresat për degë më të mira. Tek ne po bëhet shumë teori, po prodhohen shkresa, letra, rregullore, kode, tekste për forma e metoda që e kanë çorientuar kaq shumë mësuesin, sa është zor të orientohet më. Por në gjithë këtë zallamahi kemi harruar një gjë fare.. po fare të vogël. Nivelin e nxënësve që mbarojnë shkollën. A kemi analfabetizëm funksional me gjithë këtë megalomani, inflacion termash dhe teori pedagogjike që po bëjmë; me gjithë këta terma të bukur, që janë më të mëdhenj se mundësia jonë për t’i përtypur si: performancë, kompetencë, etj. etj. Analfabetizëm, funksional ose jo, kemi me shumicë dhe e kemi në rritje. Megjithatë, siç thotë Volteri te “Kandidi”: “Il faut cultiver le jardin”. Gëzuar festën!