Para dy ditësh u prononcova në faqen time në FB në lidhje me veprën figurative, që fitoi të drejtën të quhet “Çelësi” dhe të ngulfatej në dheun e atdheut tonë. Komentin u përpoqa ta bëja sa më të paqtë, të qetë dhe brenda rregullave të komunikimit qytetar. Ashtu ishin edhe komentet e reagimet e lexuesve dhe përgjithësisht gjithçka u kthye në një dialog miqsh, falë cilësive të larta njerëzore e kulturore të bashkëdialoguesve të mi, që edhe kur nuk qenë dakord me mendimin tim, më lanë shije zotnillëku, durimi dhe kulture.
Pra, u kuptua një gjë kryesore: qytetin e duam të gjithë sipas mënyrave tona dhe askush nuk mundet me pasë çelësin e dominimit estetik apo logjik e as ka të drejtë të marrë pozicionin e demiurgut, të dijetarit absolut, as të kujdestarit të moralit, as të estetit masovik, as të kulturës, as të oksidentalizmit, as të globalizmit, as të neo-liberalizmit, as të buzëhollit as të buzëtrashit, as të arrivistit që don të iluminojë turmat me shprehjen: “Kjo ndodh këtu e këtu…” etj., ndërkohë që ne vetëm sa vetëshpallemi se “unë nuk jam turmë”, gjë për të cilën nuk kemi asnjë dëshmi, përveç egoizmit dhe narcizmit tonë.
Për këtë paditemi menjëherë, kur kalojmë nga gjykimi estetik, në politikë a teologji, a teozofi etj., rreshtohemi në bazë të semantikës popuDHore të termave “negativizëm” dhe “pozitivizëm” (respektivisht, kundër dhe pro pushtetit) E, po, paradoksalisht unë jam i majtë, sipas mënyrës sime. Jo kunjuktural as jesmen. Jam njeriu që thotë “JO” dhe kam forcën ta dua e ta vlerësoj edhe atë që thotë “PO”, edhe atë që ia drejtova “JO”-në time. Interesant m’u duk një fakt, që prapë shpresoj ta ndaj me zotnillëkun e paqen e mëparshëm.
Shkrimi im modest pati 137 komente nga të cilat 130 ishin pro pikëpamjes sime. 7 ishin kundër. Kjo s’do të thotë asgjë. 7 mund të kenë më shumë të drejtë se 137. Shpesh zgjuarsia buron nga minorancat. Por ajo që më hutoi ishte shpjegimi i këtyre 7 zotërinjve të nderuar. Me qëllimin e mirë që të më shpëtonin nga injoranca u ngutën të më shpjegonin simbolikën e çelësit të deformuar. Përndryshe, më sugjeruan të fusja kokën e të lexoja, deri sa ta kuptoja edhe unë dynjallëkun.
Për ironi të fatit tim të keq, simbolika e çelësit m’u shpjegua prej 7 vetash në 7 mënyra të ndryshme pothuajse të gjitha kontradiktore me njëra- tjetrën. E prapë, kjo nuk do të thotë asgjë. E gëzofshim! Gjithçka me shpresën të mos futen edhe 7 a 8 të tjerë që të më japin shpjegime.