Këto ditë të klimaksit të verës më sollën ndërmend Skënder Drinin, shkrimtar, diplomat dhe shahist i sferës elitare. Kjo, sepse në këtë periudhë ai gjendej gjithmonë në bregdetin e Shëngjinit, ku qëndronte për 2 muaj bashkë me Karolinën, bashkëshorten e tij. I etur për detin, kjo periudhë qëndrimi atje i dukej e vogël.
E niste përgatitjen për plazh një javë para. Në bregdet e çonte Besa, Besnik Gjetja, kampioni i boksit, por edhe kampion i fisnikërisë njerëzore. Në lokalin e tij Skenderi kishte çerdhen e vet. Tavolina që i kishte rezervuar Besa te “Venezia” është edhe sot e paprekur dhe qëndron si një pjesë monumentale e këtij lokali, por edhe e memories kulturore të qytetit. Në atë tryezë u ngjiz edhe “Testamenti”- një tregim i rrallë i kolanës me prozë të shkurtër. Aty bëheshin biseda pa fund për letërsinë dhe jetën.
Në Shëngjin Skënderin e priste miku i tij i rrallë, shqiptari i pashoq Nosh Gila. Noshi i kishte lënë pjesën e vet të shtëpisë, që ky të ndihej rehat dhe kujdesej për çdo nevojë të çiftit të miqve të tij. Çdo 9 gusht Noshi dhe miqtë e çmuar lezhjanë i festonin aty në bregdet ditëlindjen Skënder Drinit. Ia festonin në mënyrë letrare. Shpesh shkonte edhe Besa, boksieri lexues i pasionuar.
Lezha e donte Skënderin dhe ky e donte Lezhën. Shkodra çuditërisht pati një indiferencë të akullt ndaj tij. Kur u propozua disa herë nga këmbëngulja e qarqeve kulturore dhe e artistëve për titullin modest “Qytetar nderi”, strukturat e pushtetit vendor grushtbashkuar, shpalosën jo vetëm indiferencën e tyre recidiviste tepër sistematike dhe afatgjatë e sistematike, por edhe një aversion dhe përbuzje si lopët ndaj luleve dhe në unisonin e moçalit refuzuan t’i jepnin edhe kaq pak. Por ai i urrente titujt dhe gradat. Kënaqej kur i kujtoja Bërnsin, te “Varfëri e ndershme” dhe shpesh më bënte t’ia citoja:
“Ashtu kështu
më vjen drang drung
I mbushur me merita,
por trungu prapë mbetet trung
me urdhra dhe shirita.” /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/