Tre vjet më parë, më 17 prill 2021 u nda nga jeta shkrimtari dhe miku Skënder Temali. Skënder Temali mbetet një zë i përveçëm në historinë e letërsisë shqiptare; një autor që lëvroi shumë zhanre të artit të fjalës, si poezinë, tregimin novelën dhe romanin. Ishte gjithashtu publicist dhe mësues me një kontribut të gjatë e të vyer në arsim.
U lind në Shkodër, ku dhe kreu Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Për 15 vjet punoi redaktor në shtypin e Radion e Shkodrës, revistën “10 Korriku” dhe për një çerek shekulli mësues i letërsisë dhe drejtues në shkollat e mesme.
Përfshihet në enciklopedi e përmbledhje të ndryshme letrare. Krijime të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në vitin 2018 doli vëllimi i tij me tregime në gjuhën malazeze “Këtë dimër nuk ra dëborë”, botim i “Centar za očuvanje i razvoj kulture manjina Crne Gore”.
Si publicist e shkrimtar nderohet me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, me tregimin “Këpucët e turpit” në gjuhën italiane, merr çmimin special të jurisë në Konkursin e 7- të Ndërkombëtar të Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve “Cristalide” të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga shumë shtete të botës. Në vitin 2015 me poemën “Unë, Ballkani dhe Europa”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në manifestimin mbarëkombëtar “Drini poetik” i akordoi çmimin “Adem Demaçi”. Pen Klubi i Malit të Zi e ka nderuar me mirënjohen e tij.
Në vitet 2013-2017 themeloi dhe kryesoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës, duke përmbledhur e redaktuar tri antologji voluminoze “Pena e Shkodrës” me krijime të anëtarëve. Udhëhoqi mjaft promovime librash dhe qe bashkëpunues në veprimtari të përbashkëta me organizata homologe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni.
Që nga viti 1971 botoi 20 vëllime më vete në poezi e prozë. Ka të përfunduar në dorëshkrim romanin “Hotel Univers”, vëllimet me poezi “Vajza që nuk putha” dhe me tregime “Ngjarje në plazhin nudo”, përmbledhjen me novela “Studentja nga Shkodra” si dhe monodramën “Vijmë në këtë botë për t’u gënjyer”.
Në krijimtarinë e tij në poezi autori Skënder Temali është afirmuar herët, që në vitin 1971 me vëllimin poetik “Këngë cigane”. Poezia ka qenë një nga pasionet më të mëdha në krijimtarinë e tij letrare, që e ka shoqëruar gjithë jetën. Kjo i është bashkuar edhe kontributit të tij në fushën e letërsisë për fëmijë, konkretisht me poemën e vitit 2000 “Ishte një lajthishte”, “Tre shokët” (2007), si dhe vëllime të tjera poetike “Lirika të hershme dhe të vona” 2010, “Të pathënat” (2016), “Kur vuaj shkruaj” (2012) “Curriculum vitae” 2013, “Vajza që nuk putha” (2019) “Unë Ballkani dhe Evropa” 2015 etj.
Krijimtaria në prozë nis me prozën e gjatë në vitin 1982, me romanin “Kjo ndodhi në Lis”. Të tjera romane janë shkruar nga autori Temali edhe përgjatë krijimtarisë së tij të mëvonshme. Kështu kemi romanin “Askushi” në vitin 2006, si dhe novelat “Nesër do të them mirëmëngjes” (2002) “Studentja e Bolonjës” (2004), “Stina e divorceve” (2014). Ka shkruar gjithashtu edhe vëllimet me tregime “Ballo në mbrëmjen e maturës” 2001, “Këpucët e turpit” (2002), “Shtëpia pa pasqyra” (2006), “Këtë dimër nuk ra borë” (2016). Shkrimtari Skënder Temali ka shkruar edhe aforizma që përmblidhen në vëllimin “Një det pa dallgë s’është det” (2017) dhe është edhe autor tekstesh shkollore.
Veprimtaria krijuese e shkrimtarit Temali shtrihet në dy epoka; në epokën e letërsisë së traditës dhe në atë të pas viteve ’90. Duhet thënë se në të dy epokat që shkroi dhe krijoi la gjurmë të pashlyera, duke pasuruar me kontributin e tij krijues vlerat e letërsisë sonë kombëtare. I pajisur me vokacionin e artistit të fjalës dhe falë përvojave letrare dhe vëzhgimeve të mprehta, solli në të gjitha zhanret që trajtoi vepra me një vulë të spikatur origjinaliteti. Veprat e tij sidomos në poezi, u bënë të dashurura për lexuesit dhe u deklamuan nga breza të ndryshëm, veçanërisht nga nxënësit e studentët.
Me vdekjen e tij më 17 prill 2021, pas një beteje me Covid 19, letërsia shkodrane dhe ajo kombëtare humbi një vlerë të vërtetë krijuese.
Meqenëse jemi në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të këtij shkrimtari të shquar, mendova që ndërmendjen dhe nderimin ndaj këtij miku dhe artisti të fjalës ta shpreh me një këndvështrim kushtuar vëllimit poetik “Të pathënat”, botim i vitit 2016.
Ky vëllim poetik përbën një stacion të rëndësishëm të rrugëtimit artistik të shkrimtarit Skënder Temali në fushën e letërsisë shqipe në përgjithësi e në veçanti të poezisë. Ky autor tani e prej disa dekadash ka profilin e vet të spikatur dhe kontributi i tij i vyer letrar është materializuar me këtë libër me titull kuptimplotë dhe tejet provokues për intelektin dhe ndërgjegjen krijuese. Provokues, sepse na jep të kuptojmë se poezia është impuls jo vetëm artistik, por edhe një lloj kumti njerëzor, për të komunikuar, për të thënë, për të shpërfaqur, ballafaquar, dialoguar, ndarë me tjetrin apo të tjerët pjesë të errëta apo shkëlqimtare të shpirtit apo mendjes, të trurit apo të zemrës.
Por historia e gjatë e njeriut, e artit, e letërsisë dhe e poezisë na mundëson të kuptojmë se është shumë e vështirë të thuhen gjëra që nuk janë thënë (të pathëna). Kritika moderne strukturaliste, veçanërisht Roland Barthes flet për vdekjen e autorit, duke e shkrirë këtë sintagmë në lëngun e argumentit se çdo tekst është riorganizim i teksteve të mëparshme, të cilat janë formuar nga strukturat tradicionale që gjuha i ka ofruar si parafabrikate të gatshme e tutje me këtë argument deri në tepri. Por nëse gjuha ka mjete dhe forma deri diku shteruese, shpirti i njeriut është i pashtershëm, situatat njerëzore ku pluskojnë gëzimet dhe brengat e jetës janë të pafundme dhe mundësia për të thënë “të pathëna” është gjithmonë e hapur. E bëra këtë digresion të vogël, i provokuar nga titulli, i cili në vetvete shpreh edhe provokimin artistik dhe intelektual të një poeti të vërtetë në fazën e një pjekurie të lartë e përfundimtare; në atë fazë kur ai jo vetëm ka krijuar modele të ndryshme artistike dhe nuk bën kompromise jashtëletrare me veten, por ka kuptuar thellë domosdoshmërinë e sqimës dhe përgjegjësinë e lartë krijuese, si dhe rrezikun që i kanoset një autori të përsërisë vetveten. Pra autori Temali duket sikur jep që në titull porosinë e madhe: “Të shkruajmë vetëm atëherë kur kemi diçka për të thënë.” Por a ka thënë autori Skënder Temali “të pathëna”? Çfarë të “pathënash” janë ato? Dhe, së fundi, si i ka thënë? Vëllimi poetik “Të pathënat” përmban mbi tetëdhjetë poezi dhe është kompozuar mbi dy tematika ciklike: “Dialog me kohën” dhe “Dialog me veten”. Titujt e këtyre dy cikleve shpjegojnë më së miri impostimin e unit krijues apo lirik dhe vëzhgimin meditativ të raportit të tij me botën që e rrethon brenda hapësirave të kohës fizike të njeriut dhe raportet e individit me vetveten. Cikli i parë dhe vetë libri hapet me poezinë “E pathëna”, që i ka dhënë edhe titullin librit dhe përbën lajtmotivin dhe kredon estetike të këtij vëllimi. Ky rrëfim i sinqertë poetik në vetën e parë, i ngritur mbi idenë dhe emocionin e përkohshmërisë së gjërave finalizohet si një lutje për përjetësi krijuese që e ka misterin tek freskia e formave dhe motiveve që ofron dialogu i poetit me kohën, nën ankthin e braktisjes nga e pathëna:
“Të gjithë më braktisën,/
Më braktisi dhe e thëna,/
Por mbi të gjitha/
trembem të më bratktisë e pathëna.”
Leximi i poezive të ciklit të parë, “Dialog me veten” përbën një udhëtim nëpër shtigjet poetike të lindura nga variacione të begatshme motivesh. Takojmë poezi imazhesh dhe poezi mendimi. Ndeshim procedime artistike të larmishme, që nga format klasike të vargëzimit, tek vargu i rimuar, me skema të ndryshme ritmike, me asonanca e rima të plota apo kryqëzime të hijshme me të cilat autori ka kompozuar poezi të mirëfillta, etyde, si dhe vjersha me trajta dhe elemente të dukshme të fabulave dhe sidomos të epigrameve, të cilat shfaqen si shpërthime revoltash poetike që burojnë nga shpirti i njeriut që aspiron lirinë dhe e ka të pamundur të bashkëjetojë me të keqen. Të tilla janë poezitë “Llumi”, Çfarë Jam”, “Prejardhja e kafshëve” “Moratoriumi”, “Zero” etj. Dhe ja imazhi tragjikomik tek “Llumi”:
“N’kët’ breg llum e n’at breg llum,
/Përmes llumrash rrjedh një lumë./
Vjen një çast kridhem në lumë,/
Po kur dal bëhem më llum!/
Dal si dal e n’at’ moment/
I bëj llumit monument.”
Ky etyd i vogël, i organizuar mbi tri distike tepër elegante, proceduar me finesën e një poeti të vërtetë, është i mjaftueshëm për të krijuar përfytyrime të plota të një peizazhi grotesk të ndeshur vetëm tek mjeshtrat e kinematografisë. Po kështu tek “Moratorium”:
“Në historinë shqiptare,/
Më së pari/
Moratoriumi u ra për hise gjahtarëve,/
por më shtrenjtë ai u kushtoi zagarëve.”
Kryefjala poetike e poetit Temali është dashuria. Këtë të vërtetë ai e shpall poetikisht tek poezia “Fjalori im fillon me gërmën D”:
“Mua dashuria kurrë s’më tha lamtumirë/
Se fjalori im i jetës fillon me gërmën D,/
Se dashuria për mua do të thotë zog i lirë,/
Që as kam jetuar e as rroj dot pa të!”
Dhe spikasin në këtë tematikë poezitë “Nënë Tereza”, “Miliarderja ime”, “Jep dhe merr”, “Urat dhe muret” etj. Tek “Dialog me kohën” takojmë poetin dhe njeriun: poetin me forcën vëzhguese dhe vështrimin klinik dhe njeriun e rrahur me dallgët e jetës e të pajisur me aspiratat e artistit dhe të qytetarit. Në këtë këndvështrim, në mjaft poezi dallojmë zhgënjimet poetike dhe njerëzore nga paradokset e jetës. E gjejmë këtë edhe në disa poezi alegorike me elemente fabuleske, si “Lëvozhga”, “Ajo ditë mos ardhtë kurrë“, “Narcisti dhe unë“, “Rrënjët” etj. Për t’u thelluar dhe konkretizuar në poezitë “Korniza”, “Hiçët”, “Në kërkim”, “Fitimtari” etj. Pjesa e dytë e vëllimit, që titullohet “Dialog me vetveten” karakterizohet nga një frymë më optimiste. Edhe poezitë e këtij cikli kanë variacione të pasura motivesh, edhe aty është pasqyruar jeta me gëzimet brengat dhe të gjitha dritëhijet. Edhe aty ka paradokse, dhimbje, trishtim, udhëkryqe ekzistenciale, por ka më shumë dritë besimi në kuptimin e jetës. Edhe këtu poeti këlthet, por klithma e tij ka diçka optimiste. Përvojat krijuese dhe vitet jo vetëm e kanë fisnikëruar, por edhe ia kanë ftohur e kthjelluar shikimin, ia kanë zbukuruar këndin e vështrimit, duke i dhënë sigurinë e transmetimit të qartë të mençurisë dhe artit poetik. “Jam 17-vjeçar” e ka titullin poezia e parë e ciklit të dytë, ku poeti jep idenë e forcës së poezisë si sekreti i rinisë së përjetshme, si eliksiri i njeriut artist. Poezitë e ciklit të dytë janë më personale. Shpesh janë rrëfime të sinqerta lirike të përshkuara edhe nga një ndjenjë pafajësie dhe humori. Tek poezia “Jam pensionist” autori shprehet:
“S’kam epror,/
S’jam as vartës/
Thjesht kam çelësat e kashtës!” …]
“Se pension nuk ka/
Kurrë për poetët/
Aq sa ka gjumë/
Për lumenjtë e detet”.
Me dozën e një ironie që përshkallëzohet në sarkazëm autori Temali ka pasqyruar poetikisht ngacmimet dhe refleksionet që i vijnë nga arti poetik, nga realitetet poetike të kaluara e të sotme, nga orientimi ndaj vlerave dhe njohja me antivlerat, në poezi të tilla si “Për poetët”, Çeta e poetëve” e sidomos “Miss Broçkulla”:
“Një ditë zhgarravita një broçkull poetike,/
U binda më pas se shkrova në rërë,/
Se fjalët m’u sollën në mënyrë kaotike/
Ndryshe në ujë e hapa një vërë”
Dhe siç ndodh shpesh në poezitë e poetit Temali, edhe këtu dyvargëshi i fundit zbulon kuintesencën:
“Vetes i thashë, ku vajte medet,/
Një kosh mbeturinash të bëka dhe mbret.”
Mund të themi se cikli i dytë i kushtohet më shumë artit poetik, duke e parë dhe shqyrtuar në kënde të ndryshme shikimi dhe kjo na bën të mendojmë për një individ që poezinë e ka gjithçka. Përsiatjet dhe meditimet e poetit këtu u ngjajnë adhurimeve të shenjta:
“Mbretëria ime nuk ka cak,/
Çuditërisht nuk ka as mbret,/
As princ/ As maxhordom,/
Shërbëtorë aspak,/
Se secili është poet.”
Ose:
“Kur një ditë nuk shkruaj një varg/
Dijeni: rruazat e bardha më kanë rënë në gjak.”
Edhe në këtë pjesë të vëllimit ka poezi me narrativë; ka poezi me fabul dhe natyrë aforistike; ka lojëra të bukura fjalësh, që kthehen në ligjërime elegante dhe alternative, të përshkuara nga meditimi, mendimi filozofik në një parashtrim të thjeshtë. Gjuha është e zhdërvjellët dhe fjalori poetik i freskët e i pasur. Poezitë janë të shkurtra, për shkak se autori është një poet virtuoz me përvojë dhe e dominon emocionin apo mesazhin artistik dhe marrëdhëniet me gjuhën i ka mjaft të mira. /Nga Zija VUKAJ, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës/