Bashkudhëtarët e rrugës së jetës janë të paparashikueshëm. Ka që shfaqen e zhduken shpejt; ka që lindin para ose bashkë me ne dhe kur ikin na shkaktojnë pla gë të thella. Bashkë me ta vdés edhe një pjesë e madhe e jona. Ka pastaj të tjerë që futen pa u ndjerë, pa na rënë në sy, bashkudhëtojnë me ne baltrave të pista apo rrugëve me diell, duke ngjyrosur edhe panoramën e ditëve tona dhe pa e kuptuar vjen një kohë që janë rritur në ne dhe ne jemi rritur në ta, duke u bërë pjesë e pandashme e sfondit tonë ekzistencial.
Kush na i ka sjellë në rrymën e përditshmërisë sonë disa njerëz, që pastaj nuk hiqen më?
Si janë kombinuar rrethanat e njohjes me ta? E pashpjegueshme. Thuajse një mister. Por ajo që mbetet, është rëndësia e madhe e tyre. Rrezatimi i gjatë dhe i pambarim që projektohet tek ne. Këto përsijatje më shkaktohen tani kur mendoj për Skënder Drinin. Dhe sa herë që mendoj për këtë njeri, përjetoj një ndjenjë krenarie, që e pata mik. E siç ndodh rëndom me njerëzit e çmuar që të mungojnë, shfaqet në mua kompleksi i fajit për çfarë lashë pa bërë në nderimin dhe respektin e tij për së gjalli.
Them me vete: kushdo që të ishte në vendin tim, sado i kujdesshëm dhe i respektueshëm të ishte, prapëseprapë do të linte diçka mangut. Kjo përshtypje krijohet kur përfytyron shpirtin e tij të gjerë, altruizmin e tij të thellë, përkushtimin dhe devocionin për çdo problem të tjetrit, vëmendje maksimale për çdo qenie njerëzore sado e vogël qoftë dhe pastaj erudicionin olimpik dhe talentin e spikatur, që rrallë takohet përgjatë jetës sonë. Individë të tillë janë të rëndësishëm për brezat bashkëkohës dhe ata që vijnë. Kjo, sepse kanë ndërtuar modele artistike dhe njerëzore të spikatura; për vete kanë kaluar në përjetësi, kurse për kulturat e kombeve kanë vendosur stadet e larta të vlerave të vërteta.
Shumë është folur e shkruar për Skënder Drinin, kryesisht nga njerëzit e artit e të kulturës dhe fare pak e aspak nga njerëzit dhe strukturat e politikës. Kjo i bën edhe më nder figurës së tij. Me jetën dhe me vdékjèn e tij ky artist i madh dhe njeri i vërtetë vulosi një pohim të përjetshëm, për të gjithë individët njerëzorë që udhëhiqen nga parimet e moralit dhe idealizmi: “Njeriu paska mundësi të jetojë dhe të vdèsë pa u jargavitur e nënshtruar përballë meskiniteteve dhe intrigave të jetës, duke injoruar çdo joshje tokësore që kompromenton sadopak imazhin fisnik të njeriut”.
Dhe ky është një shembull tepër i rrallë, për të mos thënë i vetëm në përditshmërinë tonë. Për Skënder Drinin si artist flet vepra e tij. Natyrisht ai është nga romancierët më të rëndësishëm të letërsisë sonë dhe po i tillë është edhe në zhanrin e prozës së shkurtër si dhe në eseistikë e në shkrime të tjera publicistike. Mbase ky kalibër artisti tashmë jo vetëm është i rrallë, por thuajse mungon fare në letërsinë tonë. Statura të tilla intelektuale dhe artistike janë të paarritshme. Janë produkte gjeniale talenti, përpjekjesh e vullneti, që nuk përsëriten më.
Por nga ana tjetër, kultura relativisht të vogla si e jona kanë nevojë më shumë se të mëdhatë për kampionë të tillë, që ndërtojnë identitete kulturore dhe skalitin profile etnike. /Nga Zija VUKAJ/