Deri ku ka shkuar androidizimi i racës njerëzore. Ky globalizim i trurit dhe unifikimi i shpirtit, është skllavëria më e pashembullt dhe rrafshimi më tinëzar ndër shekujt e rrugëtimit të homo sapiensit.
Pastaj rrimë e habitemi me nivelet kulturore dhe modelet që na shfaqen në të gjitha segmentet e jetës sonë moderne, mbushur me “bukë e cirk”.
Gjëra që ndodhin/ Letërsi
Romani fitues i çmimit më të rëndësishëm letrar japonez është shkruar duke përdorur Chat GPT.
Fituesja e edicionit të shtatëmbëdhjetë të çmimit “Akutagawa” (më i rëndësishmi në Japoni) është Rie Kudan, vlerësuar për romanin e saj “Tokyo- to Dojo- to”, histori fantashkence ku një arkitetk i Tokios ndërton një kullë gjigante dhe vendos të banohet vetëm nga kriminelë që të ktheheshin në shoqëri. Pas fitores shkrimtarja ka pranuar që një pjesë e meritës për romanin nuk është e saja, por e Chat GPT. Për më saktë, 5% e meritës është atribut i inteligjencës artificiale; aq është përqindja e frazave të pranishme në roman, të gjeneruara prej AI. Por kontributi i Chat GPT nuk është vetëm ky: Kudan ka thënë se në muajt që po merrej me shkrimin e librit bisedat me AI e kanë ndihmuar shumë dhe ajo ka mundur të flasë për gjëra “për të cilat nuk do të mund të fliste me askënd tjetër”. Një pjesë e bisedave mes saj dhe Chat GPT janë bërë pastaj dialogje të romanit.
“I përsosur, është vështirë të gjendet një defekt”, me këto fjalë juria e çmimit “Akutagawa” e ka përcaktuar romanin e Kudan. Dhe në fakt, shkrimtarja ka thënë që ka përdorur “gjithë kapacitetin” e Chat GPT për të shkruar “Tokyo-to Dojo- to”. E bindur se AI e ka ndihmuar të arrijë “majën krijuese”, Kudan ka thënë se në të ardhmen duhet mbajtur një “raport i mirë” me Chat GPT. Jo të gjithë, natyrisht, ndajnë të njëjtin entuziazëm për potencialet letrare të inteligjencës artificiale: disa përdorues e kanë komentuar fitoren e saj dhe “rrëfimin” duke pyetur se a mund të konsiderohet një shkrimtare e vërtetë një person, talenti kryesor i së cilës konsiston në mbajtjen e bisedave me një makinë. Për momentin, asnjë koment nuk ka mbërritur nga organizuesi i çmimit “Akutagawa”. /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/