Dashuria për qytetin tonë është e pakufishme dhe dëshira për ta parë më të bukurin e botës na bën t’ia ngulim sytë çdo cepi e shpesh të jemi vëzhgues kritikë e madje edhe skeptikë. Edhe pse në adhurim e sipër i kemi thënë djep, metropol, kryeqendër, zonjë, shkodërloce etj.,jemi ndalur në vëzhgime të vrenjtura jo rrallë. Ja të bëjmë nja 600 metra në këmbë në zemër të “së dashurës së shekujve” në itinerarin nga biblioteka e Universitetit deri tek Shatërvani dhe sheshi para Bashkisë. Meqenëse qyteteve të lashtë ua japin fytyrën jo vetëm muret e ndërtesave, por sidomos obelisqet, statujat, komplekset skulpturale, fasadat e objekteve artistike dhe të atyre të kulteve, e ngulim vështrimin tonë në të tilla gjëra. Te gardhi rrethues në anë të bibliotekës së universitetit shfaqet busti i poetit Martin Camaj.
Pa ngatërruar veprat me autorët, pasi për fat nuk e njoh kush e ka realizuar dhe nderuar qoftë, kushdo që të jetë, mund të them me bindje se, po të mos ishte emri i shkruar në bust, askush nuk do t’i binte në të se ç’është ky personazh me pamje shtatanike të një njeriu distrofik, përmasat e të cilit janë në krizë e kundërshtim me çdo logjikë antropologjike dhe me çdo plastikë minimale që i japin personazhit të sublimuar në artin e skulpturës identitetin më të vogël, qoftë artistik, qoftë njerëzor. Sapo e sheh të zhduket çdo mbresë e artistit Camaj, këtij poeti dhe individi të hijshëm të racës sonë. E shoqja tregonte për adhurimin ndaj Martinit dhe krenarinë që pati e gjithë familja e saj gjermane kur u prezantuan me këtë ekzemplar të shkëlqyer të dheut shqiptar.
Zbresim 150 metër më poshtë. Mu përballë teatrit “Migjeni”, që sot është strukur në grumbullin e humnershëm të inerteve që e rrethojnë, të zë rrugën një kompleks i ndryshkur tubash hekuri, që nuk dihet se cila fuqi demoniake ka vendosur t’i shesë për art dhe ua ka përplasur shkodranëve me shpirt artisti para syve. Kjo masë e përbindshme e oksidit të hekurit, sado e mnershme që është, nuk ka marrë dot një emër dhe në mungesë pagëzimi, thërritet me sintagmën toponimike “te ish- pesë heronjtë”.
Zbresim te Shatërvani. Në lulishte fle masivi i ndryshkur i një tjetër komplesksi të gërditshëm dinosaurësh, gjysmëfshehur nën degët e pemëve dekorative. Një kombinim i okrës së oksidit të hekurit me të gjelbrën dhe variacionet e ngjyrave të luleve. E gjitha kjo, gjasme një aplikacion. Por mjaft trashanik.
Bashkia, që dikur ishte prefekturë, qe restauruar aty nga vitet 2000. Ndër të tjera, u akordua asokohe një fond prej 60 milion lekë të vjetër për ndërtimin e murit rrethues, i cili u shemb nga ideatorër e rinj nuk e di me çfarë kostoje dhe mirë u bë, pasi u fitua një nga sheshet më të bukur të qytetit, e, nga ana tjetër nuk pati asnjë konflikt a polemikë mes ndërtuesve të murit 60 milionësh dhe shembësve të tij. Aty përballë u ngrit memoriali i Gjergj Fishtës, vepër e cila i bëri të gjithë shkodranët të rrudhnin buzët atë ditë e sot. Mbase nga karakteri paksa abstrakt i realizimit artistik, shtoji kësaj edhe faktin se në qytetin e Shkodrës nuk kishte një shtatore a bust konkret, në frymë realiste të poetit të madh Fishta dhe imazhi për qytetarët përcillej në formën e një pirgu rrasash, që mëtonin ta jepnin poetin të zhytur mes veprash, por që ky lexim paraqitet fort i alienuar, sado që diku në majë të stivës së rrasave spikat një hundë si kokë breshke dhe neve na duhet, për hatër, ta marrim për Fishtën e madh.
Ka raste kur artistët lëvrojnë zhanrin e karikaturës, por edhe po të destinohet si e tillë një vepër, duhet të ruhet një tipar dominues që i jep identitetin primordial personazhit. /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/