Në një nga këto muzgje të lagështa vjeshte, teksa po kthehesha nga shëtitja rutinë anës Bunës, më kapi syri siluetën e një gruaje të imët që kishte dalë bashkë me konen e saj të dashur për të bërë edhe ajo shëtitjen rutinë të mbrëmjes. Gruaja e ka emrin Tamara Kudrickaja, ndërsa koneja (apo qeni) quhet Pupi. Po e përmend Pupin, sepse u bë shkak të ndalesha e të takoja të zonjën. Pupi më njohu, më lehu miqësisht, më shumë më përshëndeti, pasi ishim takuar shpesh. Zbrita nga biçikleta dhe u përshëndeta me Tamarën Kudrickaja, gruan e Pjetër Gacit, moskoviten e bukur që dikur ia mori mendjen këtij artistit tonë, Pjotrit të madh, siç i pëlqente ta thërriste Tamara. U përshëndetëm, biseduam për gjërat e jetës dhe u ndamë.
Pas këtij çasti ndarjeje po meditoja nën lajtmotivin e stërpërsëritur: “Si qenka jeta?” Ose, ja ndeshtrashat e jetës. Vajza moskovite, Tamara, që sot është një zonjë 86- vjeçare, pati ardhur në Shqipëri në vitin 1957, pas yllit të saj shkëlqimtar, artistit Pjetër Gaci, të këtij fenomeni të papërsëritshëm të muzikës shqiptare, autorit të hitit “Për ty atdhe”, themeluesit të koncertit të parë për violinë e orkestër në historinë e muzikës shqiptare, kompozitorit të mbi 350 këngëve, autorit të muzikës së shumë filmave dhe valleve simfonike dhe kontributeve të tjera pa fund, lëvrues i çdo zhanri, që nga kënga deri tek simfonia, mbreti i melodisë etj.
Tamara e pati njohur Pjetrin kur ky ishte student në “Çajkovski” dhe kjo, me gjithë shoqet saj shkonin të ndiqnin performancat muzikore të studentëve. Të gjitha këto i kisha mësuar teksa po përgatisja një punim monografik për Pjetër Gacin dhe takohesha shpesh me Kudrickajan (Gaci), dy vjet më parë.
Më mbeti gjatë stampuar në mendje biseda me Tamarën. Më kishin mbetur të gjalla frazat e bisedës së saj me akcentin moskovit, stolisur me atë mjaki znakun e ëmbël. Pyesja veten: A e kishte përfytyruar ndonjëherë këtë udhëtim të çuditshëm të jetës së saj drejt së panjohurës, duke braktisur habitatin e saj në emër të dashurisë e cila siç thuhet, ka arsye që arsyeja nuk i njeh. Si ia bën kjo zonjë në këtë qytet që nuk ia kishte dëgjuar kurrë emrin më parë? Një vetëmohim sublime në emër të dashurisë.
Në vitet ’90, kur u hapën rrugët, Tamarës iu bë e mundur të shkonte në Moskën e saj. Udhëtimi kushtonte dhe Pjetri shiti pianon për t’i siguruar asaj udhëtimin. Blerësve të pianos u kërkoi të vinin ta merrnin pasdite, kur ai të mos ishte në shtëpi. Nuk e duronte ndarjen nga pianoja. U desh një Papavram i fisëm t’ia zëvendësonte. E megjithatë Pjetri u nda në moshën 64 – vjeçare nga jeta. Këto dhe shumë të tjera m’i zgjoi ky takim i beftë me Tamarën, këtë vetëflijim, që u bë një ex- voto dashurie. Çudira jete… /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/