Ç’është humorizmi?
Po të marrim parasysh të gjitha përgjigjet që i janë dhënë kësaj pyetjeje, të gjitha përkufizimet që autorët dhe kritikët kanë tentuar të japin, mund të mbushim faqe të panumërta dhe me siguri në fund, të ngatërruar nga shumë mendime, nuk do të mbërrijmë tjetër veçse të përsërisim pyetjen:
-E pra, çfarë është humorizmi?
Tashmë kemi thënë se të gjithë ata që rastësisht apo me synim na kanë folur për të, përputhen vetëm në një gjë: në mendimin se është shumë e vështirë të thuhet se ç’është në të vërtetë humorizmi, sepse ai ka variacione të pafund dhe aq shumë karakteristika sa, po të duam ta përshkruajmë në përgjithësi, rrezikon gjithnjë të harrojmë ndonjërën.
Kjo është e vërtetë; por tashmë duhet kuptuar se është po aq e vërtetë që nuk është rruga më e mirë shqyrtimi i karakteristikave për të kuptuar thelbin e humorizmit, mbasi gjithmonë ndodh që të merret për themelore ajo që krahasohet e përbashkët në shumë vepra a shkrimtarë të studiuar me pëlqim të veçantë, në mënyrë që të ketë aq përkufizime për humorin sa ka karakteristika të krahasuara; dhe secila natyrisht ka një pjesë nga e vërteta dhe asnjëra nuk është e vërteta.
Natyrisht, nga shuma e të gjitha këtyre karakteristikave të ndryshme dhe e përkufizimeve përkatëse mund të arrihet të kuptohet, ashtu, në përgjithësi, çfarë është humorizmi; por do të ketë gjithmonë një njohje të përmbledhur dhe të jashtme, pikërisht sepse, është themeluar mbi këto përcaktime të përmbledhura dhe të jashtme.
Për shembull, karakteristika e një zemërbutësie të veçantë e shpirtmirë që zbulojnë disa tek humorizmi, e përkufizuar nga Richter si “trishtimi i një shpirti të lartë që mbërrin të argëtohet edhe me atë që e trishton”, ai “shikim i qetë, i hareshëm dhe i mendueshëm mbi gjërat”, ajo “mënyrë pritjeje e shfaqjeve zbavitëse, që duket në maturinë e tij, për të kënaqur ndjenjën e qesharakes e për të kërkuar ndjesë për çfarë është delikate në një pëlqim të tillë”, një i tillë “zgjerim i shpirtrave nga brenda- jashtë, i takuar dhe i vonuar nga rryma e kundërt e një lloji shpirtmirësie të mendueshme”, për të cilën flet Sully në “Essai sur le rire” (Ese mbi të qeshurën”), nuk gjenden në të gjithë humoristët. Disa prej këtyre mënyrave, që kritikut francez dhe jo vetëm atij, i duken parime të humorizmit, gjenden tek disa, tek të tjerë jo; dhe madje tek të tjerë gjendet e kundërta, si për shembull tek Swift, që është i trishtuar në kuptimin fillestar të fjalës, domethënë plot vrer; e veç kësaj shohim më përpara duke folur për don Abondion e Manzonit se në çfarë katandiset ajo shpirtmirësi e veçantë apo zemërbutësi simpatike.
Në të kundërt, “ajo prirje e athët për të zbuluar dhe shprehur qesharaken tek seriozja dhe seriozen tek qesharakja njerëzore”, për të cilën flet Bongi, i mvishet Swif-tit dhe baraz me të edhe gaztorëve e thumbuesve, nuk u mvishet të tjerëve as teprica, siç vëren Lipps, duke iu kundërvënë teorisë së Lazzarus-it, që e konsideron edhe ai humorizmin vetëm si një prirje të shpirtit, kjo mënyrë e të quajturit është e përfunduar. Nuk është e përfunduar as ajo e Hegelit që i thotë “sjellje e veçantë e intelektit dhe e shpirtit ku artisti vë veten në vend të gjërave”, përkufizim që, duke mos na lënë të shohim mirë anën nga ku e sheh Hegeli, merr formën e një rebusi.
Karakteristika më të përbashkëta e, megjithatë, përgjithësisht më të vëzhguara, janë kontradikta themelore të cilat duhen mbajtur si shkaku kryesor i mospërputhjes që zbulojnë ndjenja dhe meditimi o mes jetës reale dhe idealit njerëzor o mes aspiratave tona dhe dobësive e mjerimeve tona dhe si efekt kryesor, atë mëdyshje mes të qarës dhe të qeshurës; pastaj skepticizmi me të cilin mbulohet çdo vëzhgim, çdo pikture humoristike dhe, së fundi, procedimi analitik në mënyrë të hollësishme e madje djallëzore.
Së fundi, nga të gjitha këto karakteristika dhe përkufizime mund të arrihet të kuptohet se ç’është humorizmi, por askush nuk do ta mohojë se nuk rezulton një njohje tepër e përmbledhur. Që pranë disa përcaktimeve të papërfunduara, siç kemi parë, ka të tjera padyshim më të përgjithshme, pastaj arsyeja e tyre e brendshme nuk është parë as shpjeguar fare.
A duhet të heqim dorë nga të shikuarit dhe nga shpjegimi me saktësi, duke pranuar opinionin e Benedeto Kroçes, që në “Journal of comparative Literature” (1903) e deklaroi të papërkufizueshëm humorizmin si të gjitha gjendjet psikologjike; dhe në librin e “Estetikës” e rreshtoi mes shumë koncepteve të estetikës simpatike? “Kërkimi i filozofëve- thotë ai- është një sfilitje e gjatë rreth këtyre fakteve dhe veçanërisht rreth disa prej tyre, si, në radhë të parë, ‘komikja’ e pastaj ‘sublimja’, ‘tragjikja’, ‘humoristikja’ dhe ‘e këndshmja’. Por duhet shmangur gabimi i të quajturit ‘ndjenja të veçanta’, ‘tone’ të ndjenjës, duke pranuar kështu dallime dhe klasa klasash; është e nevojshme të sqarohet në ç’kuptim mund të thuhet ‘fakte’ të përziera. Ato u japin shkas koncepteve ‘komplekse’ apo komplekseve të fakteve, ku futen ndjesitë organike të kënaqësisë e të pakënaqësisë (apo edhe ndjenja shpirtërore- organike), e japin rrethana të jashtme që ushqejnë mbi ato ndjenja krejtësisht organike apo shpirtërore- organike një përmbajtje mbizotëruese. Mënyra e përkufizimit të këtyre koncepteve është ‘gjenetike’: Vendosja e organizmit në situatën a, duke ardhur befas rrethana b, jep faktin c. Këto dhe procese të ngjashme nuk kanë asnjë kontakt me faktin estetik: përveç atij të përgjithshmit që të gjithë ata, që përsa përbëjnë materien apo realitetin mund të jenë të ‘paraqitshëm’ nga arti; dhe tjetra, e rastësishme, që në këtë proces hyjnë nganjëherë fakte estetike si në rastin e mbresës së ‘sublimes’, që mund të prodhojnë veprën e një artisti titan, të një Danteje apo një Shekspiri apo të asaj ‘komike’ të orvatjes së një piktori të keq apo të një shkrimtaruci. Edhe në këto raste procesi është i jashtëm ndaj faktit estetik, me të cilin e lidh vetëm ndjenja e kënaqësisë dhe e pakënaqësisë, e vlerës edhe e pavlerës estetike, e së bukurës dhe e së shëmtuarës”.
Para së gjithash, pse janë të papërkufizueshme gjendjet psikologjike? Ndoshta janë të papërkufizueshme për një filozof, por artisti, në fund të fundit, nuk bën gjë tjetër veç paraqet dhe përkufizon gjendjet psikologjike. E pastaj, nëse humorizmi është një proces apo një fakt që u jep shkas koncepteve komplekse apo komplekseve të fakteve, si mund të bëhet pastaj ai një concept? Koncept është ai që shkakton humorizmin, jo humorizmi.