Ipeshkvi i Rrëshenit Dom Gjergj Meta ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë, ku humbi jetën 17-vjeçarja Griselda Gjinkolaj me origjinë nga Mirdita, mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Duket se kleriku i njohur ka një mesazh të qartë, i cili shkon direkt për mediat, për misionin që kanë për të informuar. Dom Gjergji kërkon që mediat të bëjnë më parë verifikime para se të shpërndajnë lajmin.
“Kur gënjehet apo sajohet për një klik më shumë. Pse? Tragjedia e vajzës së vrarë mbrëmë na ka prekur të gjithëve. Vetëm 17 vjeç dhe me shumë dëshirë për të jetuar si të gjitha bashkëmoshatarët e saj. Informacioni është një e drejtë, por… mos ia vdisni nënën se e ka gjallë e as të atin mos e bëni me faj duke gënjyer se është larguar. Janë një familje normale e Shqipërisë dhe Mirditës tonë që janë larguar nga Kurbneshi për një jetë më të mirë në Tiranë ashtu si mijëra familje që nuk shohin një të ardhme aty. Iliri dhe Drita janë prindërit e vajzës së vrarë dhe janë bashkë. Verifikoni përpara se të shkruani të dashur gazetarë. Mos vrisni dy herë. Respektoni familjen dhe dhimbjen e tyre. Mos ushqeni thashethemin e kureshtarëve epshorë vetëm për pak klikime duke thënë gjëra të pavërteta”, është mesazhi i ipeshkvit të Rrëshenit.
Gjinkolaj ishte në një makinë me 23-vjeçarin Erion Benga, kur mbrëmjen e djeshme ndaj tyre është qëlluar me armë zjarri. Vajza mbeti e vdekur ndërsa 23-vjeçari u plagos. Policia ka identifikuar autorin e ngjarjes dhe është vënë në ndjekje të tij.