Policia e Shkodrës ka ndaluar shtetasin Erdgys Arrazi, i cili dy ditë më parë denoncoi në polici se gruaja bashkë me tre fëmijët janë zhdukur. Ndërkohë bëhet e ditur se një prej fëmijëve të mitur është gjetur nga peshkatarët i pajetë në ujërat e lumit Drin.
Ndërkohë dyshohet se edhe dy fëmijët e tjerë dhe nëna shtetasja Alma Arrazi kanë humbur jetën. Ndërkohë palombarët e forcave Renea ndodhen në Shkodër duke bërë kërkime për trupat e tre personave të tjerë.
Fëmija që u gjet nga peshkatari në mënyrë rastësore një ditë më parë dyshohet se ka shenjë dëmtimi në pjesën e fytyrës. Fëmijët e mitur janë dy vajza dhe një djalë të moshës 8, 6 dhe 4 vjeç.
Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet duke marrë në pyetje familjarë të shtetases Alma Arrazi dhe bashkëshortit të saj të ndaluar nga policia nëse kanë dijeni për ngjarjen dhe arsyet që çuan nënën bashkë me 3 fëmijët që të mbyten në ujërat e lumit Drin.
NJOFTIMI I POLICISË
Shkodër
Hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje.
Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.
9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.
Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.
Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.
Shkodër/Informacion sqarues shtesë
Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për gjetjen në ujërat e lumit Buna, të trupit të pajetë të 9-vjeçares, ju informojmë se nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punen për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.