Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton se ka nisur planin e masave për zbatimin me korrektësi të legjislacionit tatimor, nga tatimpaguesit që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike, në mbarë vendin.
Mbarëvajtja e këtij sezoni është në interes të gjithë ekonomisë, të fluksit të turistëve, si dhe të bizneseve, që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike. Administrata Tatimore, ju bëj thirrje të gjithë bizneseve dhe operatorëve turistikë që të zbatojnë me korrektësi legjislacionin tatimor dhe detyrimet që rrjedhin prej tij.
Tatimet sjellin në vemendje se strukturat e administratës tatimore do të kontrollojnë dhe verifikojnë të gjithë tatimpaguesit, përgjatë gjithë sezonit, në lidhje me:
– Respektimin e detyrimit për të qenë të regjistruar si biznes në QKB dhe në administratën tatimore. Mosrespektimi i këtij detyrimi penalizohet me bllokimin e mallrave dhe detyrimin për regjistrim direkt në TVSH.
– Respektimin e detyrimit për dokumentimin e mallrave gjendje apo në transport. Në rastin kur tatimpaguesi i paregjistruar në TVSH gjendet me mallra të padokumentuar, përveç penalitetit përkatës të barabartë me detyrimin tatimor të mallrave pa dokument, gjithashtu bëhet edhe ndryshimi përgjegjësisë tatimore, duke e kaluar në tatimpagues me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së. Në rastin kur tatimpaguesi është regjistruar në TVSH, vendoset penaliteti përkatës, i barabartë me detyrimin tatimor të mallrave pa dokument.
– Respektimin e detyrimit për të lëshuar kupon tatimor apo faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij. Sipas ligjit të Procedurave Tatimore, kur gjatë një verifikimi në terren konstatohet një tatimpagues, i cili nuk lëshon kupon tatimor për herë të parë, përveç vendosjes së gjobës në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet edhe vlerësim tatimor nga zyra për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative.
Pas konstatimit të parë, nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, përveç aplikimit të dënimit në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë, merret edhe masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike. Çdo konstatim i përsëritur i moslëshimit të kuponit tatimor, pas dy konstatimeve të sipërpërmendura, përveç aplikimit të dënimit, konsiderohet evazion tatimor sipas pikës 2, të nenit 116, të ligjit të Procedurave Tatimore. Gjithashtu, publikohen emri i tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
– Respektimin e detyrimit për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar në biznes me kohë të plotë apo të pjesshëm. Nëse, nga verifikimi dhe kontrolli, rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar çdo të punësuar, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ai penalizohet: nëse është tatimpagues i biznesit të madh me gjobë 200,000 (dyqind mijë) lekë dhe nëse është tatimpagues i biznesit të vogël me gjobë 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
– Respektimin e detyrimit për të afishuar çmimet e shitjes së mallrave apo të shërbimeve të ofruara. Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë në masën 100,000 ( një qind mijë ) lekë për tatimpaguesit e biznesit të madh dhe 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tatimpaguesit e biznesit të vogël.
Administrata Tatimore deklaron se me të gjitha strukturat e saj, është e angazhuar për të qenë në çdo kohë e pranishme në territor, për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike të vendit. /Monitor/