Brenda muajit nëntor një pjesë e madhe e institucioneve do të pastrohen nga militantët e LSI. Javën që lamë pas kryeministri Edi Rama u dha ultimatum ministrave e deputetëve që të vihen në lëvizje, pasi ka shumë socialistë të zhgënjyer sepse nuk po punësohen dot. Por ditët e fundit ka pasur një valë të madhe largimesh. Sipas burimeve të gazetës, shumë drejtorë të LSI në qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe të Vlorës janë larguar, edhe pse disa prej tyre kanë qenë pjesë e nëpunësit civil. Prej disa javësh atyre u është kërkuar dorëheqja, por shumë kanë këmbëngulur se nuk janë emëruar politikisht. Por pavarësisht këtyre, mësohet se urdhrat e shkarkimeve janë firmosur drejtpërdrejt nga ministrat, edhe pse kjo mund të ketë kosto financiare për shkak të ankesave që mund të bëhen në gjykata.
Por një detaj tjetër interesat, është se ka shumë nga ata që janë dorëhequr. Mësohet se në drejtoritë e drejtuara nga LSI, ka nisur një proces auditimi, për të parë nëse ka pasur shkelje apo jo. Për të shpëtuar nga kallëzimet penale, shumë drejtorë kanë vendosur që të dorëzojnë detyrën dhe kanë hapur procesin e emërimeve të reja. Një tjetër lëvizje e ditëve të fundit është se punonjësit në drejtoritë e LSI janë njoftuar se do i nënshtrohen procesit të testimit. Javës që vjen nisin testimet dhe kushdo që ngel do të largohet. Kjo është mënyra më efikase që ka gjetur qeveria, duke bërë të mundur që të mbeten në detyrë vetëm individët e aftë. Kryeministri prej disa kohësh ka akuzuar LSI se ka emëruar persona që nuk kanë lidhje me detyrën dhe përmes testimeve do të vërtetohet nëse janë emëruar persona të aftë, apo ata që kanë ndihmuar më shumë partinë.
Shkarkime në Hipoteka
Po dje ka pasur shkarkime në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pas denoncimeve që janë bërë nga qytetarët në platformën “Shqipëria që Duam”, ministrja Etilda Gjonaj ka marrë masa ndëshkuese me largim nga detyra. “Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kam urdhëruar hetimin të detajuar për rastet në fjalë. Pas konstatimit të shkeljeve kam kërkuar masa të menjëhershme ndëshkimore për personat përgjegjës. Rasti i parë, i referohet Znj. Enerida Mema, një qytetare nga Fieri e cila ka paraqitur ankesën e saj në Platformën e Bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” më datë 29 tetor 2017. Znj. Mema kishte aplikuar dhe shlyer të gjitha detyrimet pranë ZVRPP Fier për rivlerësim të pronës së saj që në muajin maj 2017. Me kërkesë të Zyrës së Bashkëqeverisjes është kontaktuar me ZQRPP dhe ZVRPP, Fier dhe në datën 10 nëntor 2017 ZVRPP Fier ka lëshuar çertifikatën e pronësisë për Znj. Mema.
Qytetarja më është drejtuar përmes platformës “shqiperiaqeduam.al” dhe ka fituar të drejtën e saj. Duke i kërkuar ndjesë qytetares për vonesat e pajustifikueshme, kam kërkuar marrjen e masës ndëshkimore me përjashtim nga zyra, të Z. F. Myrto jurist pranë ZVRPP Fier, si person përgjegjës për abuzim me detyrën në shkelje të së drejtës së qytetares”, tha ministrja. Sipas saj, rasti i dytë i referohet Znj. Laureta Bajrami. Ajo ka aplikuar pranë ZVRPP Tiranë në dt. 29 shtator 2017. Që nga data 18 tetor 2017 dokumentet kishin ngelur për firmë tek drejtori. “Kam kërkuar marrjen e masës ndëshkimore me përjashtim nga zyra, të B.Salku dhe S.Ismaili, të dy juristë pranë ZVRPP Tiranë, si persona përgjegjës për abuzim me detyrën në shkelje të së drejtës së qytetares”, tha ministrja. /sot.com.al/