Kryeministri Edi Rama mbajti sot një takim në Londër me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe. Takimi u zhvillua në kuadër të turit që kryeministri ka ndërmarrë me diasporën. Më parë Rama ka qenë në Athinë, Selanik, Romë, Milano dhe New York.
Nga Londra, Rama dha një lajm për shqiptarë që jetojnë atje, sidomos për ata që kanë deklaruar emër dhe prejardhje të rreme kur mbërritën në botën britanike vite më parë. Falë kësaj nisme pritet të përfitojnë ata shqiptarë të cilët në Britaninë e Madhe janë deklaruar si shtetas nga Kosova, por edhe të tjerë që për arsye të ndryshme kanë gënjyer për identitetin dhe origjinën e tyre. Rama tha se po punohet që shqiptarët prindër në Britaninë e Madhe me emra të tjerë, të regjistrojnë në Shqipëri fëmijët, sikurse premtoi se ata do të kenë edhe mundësinë të rikthejnë emrat e tyre të dikurshëm.
“Më pëlqejnë shumë shqiptarët i shkruante Lord Bajron të ëmës, nga Preveza në 12 nëntor të vitit 1912. Ata nuk janë të gjithë turq, ai e kishte fjalën për fenë, disa fise janë të krishtera, por feja e tyre bën shumë pak ndryshim në sjelljen dhe qëndrimin e tyre. Jo më shumë se 1 javë më parë një kryetar shqiptar pasi na ndihmoi të dilnim nga një anije turke në vështirësi, na ushqeu dhe na strehoi mua dhe shoqëruesit e mi. Refuzoi çdo shpërblim, përveç një letre ku të thuhej se isha pritur mirë. Mua dhe personave me mua na ndihmuan dhe nuk pranuan asnjë shpërblim. Dua të më duash, tha, jo të më paguash. Bajroni u mahnit nga heroizmi dhe krenaria e shqiptarëve. Edith Durham u bë nga zërat më të fortë për mbrojtjen e çështjes shqiptare mbrojtëset. Eduard Lir la në histori piktura të bukura të qenies së Shqipërisë mesdhetare. Të gjithë britanikët që radhën në Shqipëri ishin dëshmitar të mikpritjes së një konbi që priste miqtë dhe dallonte armiqtë.
Një popull që kurrë nuk i ka mbyllur derën të tjerëve kur kërkuan mbrojtje. Një popull që i dha Shqipërisë kurorën e nderit kur kishim më shumë hebrenj se para Luftës së Dytë Botërore sepse nuk ua dorëzuan nazistëve siç bënë disa të tjerë. Disave prej jush, edhe këtu në Britani, ju është dashur të fshihni identitetin apo të bëni punë që as nuk ju kishte marrë mendja se do të bënit. Ndërsa disa ende sot kalojnë vështirësi burokratike për regjistrimin e fëmijëve në Shqipëri pasi tjetër emër kanë në pasaportën angleze dhe tjetër duan të kenë në certifikatën e lindjes shqiptare. Ne do të ndërmarrim së shpejti një nismë ligjore që regjistrimin pa telashe në Shqipëri të të gjithë fëmijëve të prindërve që u regjistruan si kosovarë këtu në Angli. Do vijojmë përpjekjet diplomatike për t’ju mundësuar ju që keni një emër tjetër nga ajo kohë, që të riktheni emrin e nënës dhe të babës”, tha ai.