Sot ishte dita e tij e fundit në këtë botë. Vetëm para pak orësh ai nisi udhëtimin drejt një tjetër bote. Të paktën sipas asaj çfarë shkruhet në librat e shenjtë. Nuk e kishte menduar se do të ikte kaq shpejt, kaq papritur dhe vetëm pak kilometra nga shtëpia e të parëve dhe vetëm pak metra nga njeriu me të cilin kishte thurur endrra për një jetë të lumtur.
Vetëm 29- vjeç Vidushi. Kaq do të mjaftonte për të mbushur me trishtim çdo zemër, për të ngjallur dhimbje në çdo shpirt. Por ai nuk iku për ndonjë kapriço plazhi, për të demonstruar diçka në sy të dikujt. Iku pa zhurmë, pa u ndjerë duke u përpjekur të shpëtojë një tjetër jetë. Jetën e njeriut mt të cilin kishte menduar të jetonte dhjetra vjet me të.
Natyrisht, nuk e kam njohur personalisht. Por në shumë raste, mjaftojnë vetëm pak sekonda, disa minuta për ta njohur. E unë e njoha, më duket se e kam njohur gjithmonë. Një i ri, por shumë i veçantë. I dhënë, i përkushtuar pas familjes, të afërmëve, të njohurve. Ishte shumë punëtor, përpiqej për vete por edhe për njerëzit, qoftë edhe ata që nuk e lidhje gjaku.
Vdekja është gjithmonë tragjike. Por sot disa burra u përpoqën me të gjitha mënyrat ta ndalnin atë. Tentuan ti hiqnin nga thonjtë një 29- vjeçar që sot nuk e mendonte kurrë se do të ishte dita e fundit në këtë tokë. Por vdekja u tregua e pamëshirshme, ashtu siç ndodh thuajse gjithmonë. Nga lartësia e shpirtit që shkëputej trupit, ai duhet të jetë ndjerë mirë: shumë vetë luftuan të pengonin nisjen e rrugëtimit të tij drejt të panjohurës.
Unë nuk e kam njohur. Nuk e di nëse ka qënë ekzakt siç e përshkruajta unë në këto pak rreshta. Por jam i bindur se nëse ekziston bota tjetër, ky 29- vjeçar do të jetë banor i Parajsës. Dha një jetë për të lënë pas një tjetër jetë, e cila në fakt nuk do të jetë kurrë si më përpara. Një zemër do të rrahë këtu mbi tokë, por tik- taku i saj do të plotësohet në qiell.Vdekja gjithmonë ka fajtorë. Edhe kjo vdekje ka fajtorët e vet, edhe pse jemi mësuar të ngushllohemi me “aty e kishte të shkruar”. Por për një hero, vdekja nuk vjen dhe nuk duhet të vijë për faj të këtij apo atij. Prandaj janë heronjtë, për të sfiduar edhe vetë vdekjen. E ky djalosh, të paktën sot na u shfaq i tillë, i pafrikësuar as nga dallgët, as edhe nga vetë vdekja. Deri në minutat e fundit të jetës e sfidoi, madje bashkë me disa burra të mirë deri në kapërcyell të jetëve.
E kemi trashëguar si traditë nga, por ngushëllimi në këto raste nuk ka forcë. Familje e të afërmëve do tu mbetet përjetësisht një vend bosh në zemër. Do të ketë gjithmonë brerje shpirti, ndërgjegje “pse e bëmë këtë” apo “pse nuk e bëmë atë”, “po ta bënim nuk do të kishte ndodhur” apo “po të mos e bënim nuk do të kishte ndodhur”. Por në shumë raste, një fund i tillë mbi tokë, mund të jetë edhe fillim i një marrëdhënie të re jo fizike por shpirtërore, deri në kufijtë e krenarisë. Sa herë të dëgjohet emri Ervid. Sepse sot e tutje ky emër do të jetë i lidhur me atë të një ëngjëlli që u ngjit në qiell pasi shpëtoi një jetë në tokë. Në tokëdetin e pafund të Velipojës, të cilin nga sot do ta shohë përmes dritares së madhe qiellore!
Lamtumirë Ervid! /Nga Blerti DELIJA/