Shkruan në Facebook Benet Beci, kandidat për kryetar i Bashkisë Shkodër: Me banorët e Bahçallëkut, të rinj a të moshuar që ndajnë shqetësimet e tyre për çështje që ndikojnë përditshmërinë. Problemet me trafikun a sinjalistikën në rrugën hyrëse janë të mëdha.
Mbikalimi në rrugën kryesore hyrëse për në Shkodër nuk është i përshtatshëm as për të moshuarit, as për fëmijët në karroca apo personat me aftësi të kufizuara. Këto çështje kanë nevojë për zgjidhje të mirëmenduara e përfundimtare, me buxhete të konsiderueshme e bashkëpunim me qeverinë dhe me donatorë.
Kemi filluar bashkëpunimin me një nga bankat e zhvillimit për konceptimin e një hyrjeje moderne dhe funksionale për të gjithë Shkodrën, por edhe për banorët e Bahçallëkut.
Bashkë me ta, ndaj bindjen se ka edhe shumë gjëra që mund e duhet të ishin ndryshuar me punë e vullnet. Koshat e mbeturinave janë krejt afër derës së shkollës duke penguar hyrjen e fëmijëve, ashtu si edhe rruga e dëmtuar mbushur me pellgje uji e baltë.
Ndërhyrjet duhen bërë sa më parë, cilësia e jetesës së qytetarëve shkodranë nuk mund të neglizhohet më.