Çmimi i madh i Hungarisë dhuroi një garë mjaft të bukur, por dhe aq shokuese për nga renditja e pilotëve. Gara u fitua nga piloti francez Esteban Okon për të cilin ishte triumfi i parë në karrierë. Në vend të dytë u rendit Sebastian Vetel, ndërsa Luis Hamilton u ngjit në podium vetëm në vendin e tretë. Garë jo e mirë për Verstapen që u rendit në vendin e 10-të.
Çfarë ndodhi? Gjysmë ore para se të startonte gara nisi të binte shi i rrëmbyeshëm dhe gjeti pilotët të papërgatitur. Piloti i Mercedesit, Valteri Botas zbriti disa vende në renditje në start, por kjo u përkthye negativisht nga piloti finlandez i cili rrëshqiti në kthesën e parë të garës duke nxjerrë nga pista Verstapenin i cili mundi të rikthehej prapë në garë, por me makinën e dëmtuar. Në këtë moment ndodhi dhe një aksident tjetër, ku piloti Stroll goditi keq Ferrarin e Leklerk duke e nxjerrë jashtë gare.
Gara nisi dhe një herë nën drejtimin e makinës së sigurisë, teksa të gjithë pilotët hynë në pole ndërruan gomat vetëm Hamilton preferoi të qëndronte në piste. Britaniku gaboi rëndë pasi një xhiro më vonë hyri në pole për të ndërruar gomat duke u renditur në vend të fundit. Por kjo nuk e pengoi pilotin e Mercedesit që të luftonte duke u renditur nga vendi i fundit në të tretin. Garë mjaft të mirë zhvilloi dhe Sebastian Vetel i cili përballoi dhe presionin e Hamilton për gati gjysmën e garës duke mos e lënë britanikun ta parakalonte.