Ka njerëz nuk nuk mungojnë, vijojnë të jenë të pranishëm edhe pas ikjes së tyre fizike. Mejdan Zhivani vijon të mbetet i tillë, edhe 8 vite pas largimit nga kjo botë, në një moshë shumë të re.
Pjesë e një komuniteti të mrekullueshëm gazetarësh sportivë të Shkodrës, Mejdan Zhivani apo “shteti” siç e thërrisnin thuajse të gjithë, arriti që brenda një kohe të shkurtër të evidentohet me profesionalizimin e tij por mbi të gjitha, për vlerat e tij si mik, shok e koleg.
Sëmundja e pabesë, me të cilën u përball për një kohë jo të shkurtër, arriti ta shkëpusë vetëm fizikisht nga familja, të afërmit, miqtë, kolegët të njohurit. Falë rrjeteve socialeve, kujtimeve të të afërmëve e kolegëve, Mejdani nuk është larguar asnjëherë realisht nga gazetaria, nga Shkodra, nga Shqipëria.
Edhe lamtumira e tij, nuk ishte e zakonshme. Ai u përcoll si një yll i sportit, specifikisht i futbollit, nga mjediset e mitikut stadium “Loro Boriçi”, u nis për në banesën e fundit, i mbështjellë me respektin, mirënjohjen e dashamirësinë e dashurinë e të gjithë atyre që e njohën, që e takuan të paktën një herë në jetë.
Sot, në këtë 8 vjetor të ikjes shumë të parakohshme, mungesa e tij ndjehet në komunitetin e gazetarëve të Shkodrës e Shqipërisë. Megjithatë, Mejdani ka arritur atë që jo të gjithë e arrijnë edhe pse e synojnë. “U kujtofsh për të mira”, është shprehja që simbolizon edhe sot Mejdan Zhivanin, sepse ai ishte vetë mirësia. /Nga Blerti DELIJA/