Edhe më naivi nuk do t’a vinte në dyshim: Vizita e kryeministrit të vendit në një familje në kushte ekstreme varfërie, do të sillte përmirësim të dukshëm të jetës së saj! E kështu ka ndodhur vertetë. Madje, propaganda qeveritare (sepse nuk i gjej emër tjetër!) për mesazhin e përmirësimit të jetës së familjes Niko Ahmeti nuk zgjodhi “sensibilizimin” e bisnesit privat por të strukturave shtetërore. Niko do të jetë habitur patjetër kur e kanë njoftuar. Sepse padyshim e kanë vënë në dijeni se pas kryeministrit të vendit në shtëpinë që ka nisur të transformohet do të shkonte një ministre dhe shefi i madh i OSHEE.
Një transformator të veçantë për këtë familje, instalime të reja elektrike dhe një…komplet tavoline+ karrike krejt i bardhë, borë i bardhë. Normalisht tryeza e mbushur plot me të mira e pije, nuk mungon edhe një frigorifer goxha i madh dhe një fëmijë i shtëpisë që me gishtin e tij shtyp një buton që ndez një televizor plazma apo LCD. Ja pra shembulli i “mirëqeverisjes” së kryeministrit! Një vizitë dhe jeta ndryshon menjëherë… Po sa vetë e kanë këtë fat?! Aq më shumë kur kjo familje i përket qarkut ku shefi i qeverisë është zgjedhur deputet dy herë, Vlorës. Mesazhi është i qartë: Duhet nga një kryeministër për çdo qark dhe varfëria do të reduktohej sa hap e mbyll sytë. Edhe pse kjo “përgenjeshtrohet” disi nga qarku i Elbasanit, ku është deputet numri 2 i PS-së Taulant Balla: Edhe ai po “zbut” varfërinë, madje duke ndërtuar edhe shtëpi për famijet në nevojë.
Deri këtu, mund të gjesh një farë ngushllimi me shprehjen që i pëlqen aq shumë kryeministrit: Sa të mallkosh varfërinë, ndihmo një familje të hedh hapin e parë të dalë nga ajo skëterrë! Në fakt, shprehje e përshtatur nga unë, për ta lidhur me aktualitetin edhe me shprehjet e Shën Terezës së Kalkutës. Sepse është e qartë se edhe këtë dimension, kjo qeveri e ky kryeministër po kërkon t’ia veshë vetes.
Morali shqiptar kërkon që kur bën një nder, të mos e tregosh as tek të afërmit. Por mjeshtrat e imazhit të kryeministrit, nuk shqetësohen shumë. E rëndësishme është që shefi të dalë një farë lloj “mesie”, i cili çdo gjë që prek e ngjall, e kthen në shkëlqim. E për këtë, nuk ka asnjë problem nëse përdoren edhe fëmijët, madje edhe në prani të prindërve që nuk kanë fuqi ti kundërshtojnë bamirësit.
E farsa ka edhe më. Vazhdohet me librat, të cilët gjoja janë falas. Në fakt, janë me lek. Po, po me lek! Thjesht nuk i paguajnë paradhënie kur marrin librat dhe nuk duhet të paguajnë për të gjithë librat. Nuk paguhet vetëm nëse librat nuk shkarraviten me stilolaps, nuk dëmtohen nga përdorimi i të miturëve nga 6- 10 vjeç. Është e qartë se kjo është një sipërmarrje e pamundur. Çfarë edukate mund ti imponosh një fëmije që mund të hapë librin me duar të papastra, të mbajë në dorë një petull dhe ta prekë librin me ato duar apo ti derdhet një gotë uje ose pije që mban në dorë? Dënimi për fëmijën do të jetë i pamëshirshëm: Prindërit do të duhet ta blejnë librin dhe më e bukura, ta blejnë kur të mos u duhet më, kur fëmija të mbarojë klasën për të cilën i mori “falas” librat! Indirekt, imponimi i këtij “rregulli” sjell edhe përdorimin e “mjetevs bindëse” apo ndëshkuese për fëmijët që do të dëmtojnë librat: Të bërtiturat apo edhe dackat! Mos bëni çudi, sepse vazhdojmë të jemi shqiptarë, sidomos kur mund të na djegë xhepi. E pra, me shumë mundësi librat nuk mund të mbeten falas. E nëse mund të mbijetojnë të tillë, bashkë me dorëzimin “shëndosh e mirë” të librit, fëmijët mund të mbajnë mend ndonjë dackë “edukuese”, sidomos për familjet e varfëra, si ajo e Niko Ahmetit që nxorri në selamet kryeministri.
Natyrisht, kjo është hipotetika. Mund të mos verifikohet edhe në masë. Por që do të ketë të bërtitura, dacka dhe ngritje tensioni tek prindërit, është e padiskutueshme. Kjo, sepse qeveria sugjeron edukim “spartan” tek 6- 10 vjeçarët…
E ndërsa kryeministri poston “suksesin” e rradhës të qeverisë në “luftën” kundër varfërisë, opozita sot përkujtoi 20 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit. Pak a shumë këtë moshë ka sot Azemi i ri, sepse kur i ekzekutuan babanë, ishte akoma në barkun e nënës. Disa me praninë e tyre nderuan Liderin e Dhjetorit për veprën e tij. Mungesa e disave, përcolli në mesazh të qartë. Besoj se edhe ju i’u duket qasje e pakuptimtë në rreshtat e fundit me ato të fillimit. Në fakt është punë “fati”. Por edhe perceptimi. Kaq. /Shënim i ShkodraWeb/