Nga Blerti Delija
Seanca dëgjimore në Kuvend ka nisur. Janë plot 7 kandidatë për postin e kreut të ri të akuzës në vend. Përballë tyre janë deputetët e Komisionit të Ligjeve ku mungon…opozita. Mazhoranca thotë se mund ta zgjedhë prokurorin e ri të përkohshëm edhe me vetëm 36 vota pro në Kuvend. Opozita thotë se shefin e Akuzës e emëron e shkarkon vetëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë që nuk mund te funksionojë sepse Shoqëria Civile nuk zgjedh dot përfaqësuesit e saj në KLP. Të dy palët përbetohen në dëshirën për të zbatuar vetëm ligjin.
Edi Rama ka të garantuara 74 vota ne Kuvend. Por nga ana tjetër opozita brenda e jashtë parlamentit, madje edhe aleatë jozyrtarë si PDIU, nuk janë pjesë e procesit. Ambasadorë të rëndësishëm si Lu i SHBA dhe Vlahutin e BE-së janë në krah të Ramës. Duket e pabesueshme që ambasadorët të mbështesin Ramën në shkelje të ligjit e Kushtetutës. Natyrisht, jo e përjashtuar 100%. Aq më tepër kur ambasadorët janë në kapërcyell të mandateve të tyre diplomatike.
Duhet pranuar se Rama nuk është në pozitën më të mirë të mundshme për të zgjedhur i vetëm prokurorin e ri. Ai dhe Ekzekutivi kanë një perplasje të hapur ligjore me Prokurorinë. Një ish- ministër shumë i rëndësishëm është nën hetim me një akuzë shumë të rënde. Njëkohesisht, mazhoranca e PS-së është shprehur me votë kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Tahirit. Shpejtësia e reagimit të Ramës për emërimin e prokurori të ri, mund të lexohet edhe si një lëvizje për të mbyllur shpejt hesapet e Tahirit e mazhorancës me prokurorin e vjetër Llalla. Por edhe nëse nuk ddo të ndodhë kështu, pra që prokuroria ta nxjerrë me prova të larë Tahirin, vendimi me një prokuror të zgjedhur vetëm nga PS, do të paragjykohej. Dhe me të drejtë.
Nëse Rama i shkon deri në fund idesë së tij për të emëruar i vetëm prokurorin e ri të Shqipërisë, jam i bindur se pikerisht aty do të nisë edhe fundi i tij në politike. Mbase edhe shumë më shpejt se 2021.