Prej tokës sime të zezë jug-afrikane, prej guximit që më jep gjithë biografia jote, gjithë jeta jote, gjithë vuajtja jote, në kulmin e pikëllimit që zhburrëron disa sekonda jetën e çdo njeriu, po të shkruaj pjesën e pashkruar të testamentit të Martirit të Demokracisë. Po ulem të bisedoj me ty, i nderuar Madibë prej Shqipërie, sepse ashtu si qe vuajtja jonë e njëjtë, ashtu si qe qelia jonë e një prerjeje të njëjtë, fat që ta jep veç diktatura dhe skllavëria, i njëjtë është edhe dëshpërimi mes nesh kur humbet njëri. E njëjtë është edhe kujtesa, kur mbahet fort në dashurinë e madhe për lirinë. Ne jemi udhëtarë të së njëjtës rrugë.
Kjo ishte një rrugë e gjatë, bashkëvuajtësi im, sepse ishte rrugë lirie, dhe ajo është më e mundimshmja rrugë në jetën e një burri. Ti fute në vuajtjen e kësaj rruge edhe artin e të shkruarit, të letërsisë, se bota nuk është aq e qartë pa shpjegimin e artit. Unë dhe ti e shmangëm fatin e keq të të mos dashurit prej njerëzve, por më shumë vuajtëm, sepse shmangëm shkatërrimin që të sjell kur nuk do të tjerët, kur nuk aspiron, kur nuk ëndërron. E gjithë dashuria jonë është revolta ndaj padrejtësive dhe diktaturës skllavëruese.
Qelia jote dhe qelia ime kishin të njëjtin fat, na bënë të njohim më shumë se kushdo vlerën e madhe të lirisë. Të njohim më shumë se kushdo dëshirën e madhe të skllavit që rebelohet dhe di të thotë –Jo!- një herë të vetme në jetën e tij. Na privuan nga shpresa, por nuk arritën të na dëshpëronin dot. E kundërta e një populli të civilizuar është një popull krijues dhe ne jemi bij të popujve tanë krijues. Kur diktatura vonoi dhe mohoi civilizimin, popujt tanë krijuan ëndrrën më të madhe, atë që të tjerët e kishin para syve dhe nuk ia dinin vlerën, lirinë. Vuajtja e popullit tim dhe popullit tënd na përpiu dhe na mësoi si t’i bënim ballë vuajtjes sonë personale, duke na shfuqizuar prej gjerave të vogla e duke na civilizuar deri në atë pikë sa na barazvlerësuan me vuajtjen e tyre, skllavërinë.
E zezë qe skllavëria e popullit tim afrikan, e kuqe qe skllavëria e popullit tënd shqiptar, megjithatë të dyja kulluan gjak, të dyja rënduan nga prangat, të dyja mbajnë peshën e madhe të burgut. Ne të dy do vazhdojmë të flasim, sepse i vetmi justifikim, nëse kemi një, është të flasim në emër të gjithë atyre që nuk mund ta bëjnë. Dhe ata që nuk mund ta bëjnë janë me dhjetëra e dhjetëra martirë të demokracisë. Nuk di në ç’pallate ëndrrash i ka strehuar vendi yt, por këtu tek plisi i zi i jetës sonë afrikane, dashuronjësit e atdheut dhe demokracisë enden me një çelës kashte në dorë duke u përpjekur të hapin veç një kasolle kashte me dëshirën për të ndezur një zjarr kashte prej saj. Ky është demoralizimi më i madh që i është bërë sakrificës njerëzore të gjithë atyre që aspiruan për liri dhe demokraci, për një jetë të mirë dhe për një rehabilitim të regjistrit themeltar të vuajtjes dhe kalvarit të përndjekjes. Është ky regjistër që ndonjëherë ndesh në keqkuptime edhe prej vet demokracive të mëdha të njohura. Ndaj duhet respektuar deri në radhën e fundit, duke mos harruar të vdekurit që nuk e panë dot dritën e lirisë dhe të gjallët që ende nuk janë kurrkund me shpresën e tyre të pandreqshme.
Mos u tremb nga vdekja bashkëvuajtësi im! Ajo është si e vërteta dhe e vërteta është si drita për të verbrit. Turpi, gënjeshtra dhe hipokrizia është një muzg i bukur që nxjerr në pah lavirët e demokracisë. Ju jeni një intelektual i lartë dhe në ka njeri në botë, të cilit i duhet mendja, të cilit i blejnë mendjen është vetëm intelektuali. Burgu im, burgu yt, burgu i gjithë njerëzve të tillë që nuk e ndrydhën mendjen deri në shfarosje të ëndrrës, është një makinë e madhe rrëqethëse e cila pas 28 mijë torturash çnjerëzore mbi vullnetet tona, u shkatërrua para civilizimit dhe qëndresës sonë. Kjo qëndresë ishte e justifikuar sepse i shërbeu demokracisë së vërtetë. Dhe ajo do të jetë e tillë, kur të gjithë të ndjejmë se jemi bashkëfajtorë. Secili të njohë fajin e tij, secili të njoh kuptimin për vlerën e qëndresës së tij.
Ne arritëm të preknim ëndrrën, arritëm të dallonim konturet e hijes së fortë të lirisë e cila është po aq e fortë sa është dhe drita që e krijon. Ti je dritë miku im, je dritë që dëshirove të krijoje planetin tënd të lirisë. Po rri dhe pak, po provoj shijen që të lë ikja e bashkëvuajtësit të urtë. Po të premtoj, i urti Pjetër, se ikja jote është gjithmonë një kthim pas, një fjalë që nuk duhet harruar asnjëherë nga popujt, nëse duan të ndjejnë lirinë si pjesë të gjakut të tyre, të jetës së tyre, të shpresës së tyre;- nuk duhet harruar se demokracia e ndjen rrezikun e shpërbërjes në kulmin e saj të ilaritetit dhe bukurisë sfilitëse të cilën e mbars fuqishëm politika dhe politikanët e palumtur, të pavuajtur, të paditur. Kur ky çast të ketë mbërritur, do fillojnë sërish burgjet dhe diktatura do përçmojë edhe varret tona, jo më emrin tonë! Ndaj le ti përulemi vuajtjes njerëzore si më të lartit virtyt që e shkëlqen demokracinë!
* Madiba është titull nderi që grupi i bashkëluftëtarëve të vjetër i kanë dhënë Mandelës.
P.S. Per Historine e bustit tend para Parlamentit nuk po them asgje. Me mire te flase Taulant Balla… /Nga Miranda HAXHIA, marrë nga profili në Facebook/