Vetëm pak vite si trajner dhe ish- futbollisti i Vllaznisë Ilir Nallbani po i ngjit me shpejtësi hapat e karrierës së tij. Një vit më parë u emërua trajner i ekipeve kombëtare rajonale për Zonën e Pejës, ndërsa nga sot ka marrë një detyrë shumë më të rëndësishme.
Ish- mesfushori i njohur i kuqebluve është emëruar trajner i ekipit kombëtar U15 të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi ku shkruan:
Zyrtare: Selektor në ekipin Kombëtar U -15 në Federatën e Futbollit të Kosovës. Faleminderit për mundësin dhe besimin Kryetarit z.Agim Ademi, nënkryetarit z.Bakir Burri si dhe te gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Futbollit të Kosovës”.
Nallbani është një nga futbollistët shkodranë që ka lënë më së shumti gjurmë me aktivizimin e tij për disa vite me fanellën e Vllaznisë dhe për rrjedhojë, tifozët shkodranë vazhdojnë ta vlerësojnë dhe respektojnë.
Përpos vlerave të tij në fushë, shkodranët kanë vlerësuar tek Iliri edhe karakterin e tij njerëzor dhe për rrjedhojë janë lidhur shumë me të. Por tashmë karriera e tij si trajner po njeh vetëm rritje dhe kjo ia rrit edhe më shumë vlerat atij.