Një ekzekutim me armë zjarri ka ndodhur këtë mbrëmje në autostradën Tiranë-Durrës. Burime bëjnë me dije se viktimë ka mbetur një person rreth 35-vjeçar.
Sipas raportimeve i riu është qëlluar brenda në makinë nga një tjetër mjet që i ka prerë rrugën, ndërsa identiteti i tij ende nuk dihet. Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.
Policia ka ngritur disa pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorit. Dyshohet se autorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës.
Fillimisht sipas raportimeve policia ka dyshuar se i riu ka pësuar aksident, pasi trupi i pajetë i tij ishte në mes të rrugës. Në të njëjtën kohë mësohet se viktima ishte duke udhëtuar vetëm në makinën tip fouristradë.
Por teksa ka kryer inspektimet më të detajuara ka dalë në përfundimin se ndaj tij ishte kryer atentat, faktuar kjo nga gjetja e gëzhojave në vendngjarje. Mjeti “Land Rover” me targa AB988AS rezulton në pronësi të Hekuran Xhixhës që ia ka shitur një komanie që jep makina me qira.
Dera e pasagjerit në mjet është gjetur e hapur dhe policia dyshon se bashkë me viktimën, mund të ketë qenë edhe një person tjetër. Po kontrollohen spitalet pasi dyshohet për të plagosur.
Njoftimi i policisë:
Më datë 03.04.2022, në autostradën Tiranë-Durrës, përballë DHL-së, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti tip “Land Rover” dhe si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, ende i paidentifikuar.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Në bashkëpunim me DVP Durrës, Elbasan e Lezhë janë ngritur menjëherë pika kontrolli në rrugët interurbane.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.