Një planet do të mbajë emrin Arbër, ndërsa ylli ndaj të cilit ai do të rrotullohet, do të quhet Illyrian. Lajmin e bën të ditur fizikanja e njohur Mimoza Hafizi, sipas të cilët, Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikanëve certifikoi këto emra të propozuar nga mijëra shqiptarë.
Postimi i Mimoza Hafizit:
Sot Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikanëve certifikoi zgjedhjen që mijëra shqiptarë i bënë emrit Arbër për planetin HD 82886b dhe emrit Illyrian për yllin rrotull të cilit ai sillet.
Këto dy objekte astronomike ndodhen më shumë se 400 vite-dritë larg nesh, distancë gjigande në dimensionin njerëzor, por e vogël në dimensionin universal, të cilin njerëzimi po përpiqet ta kuptojë, eksplorojë e madje ta pushtojë.
Me këtë zgjedhje, ne shqiptarët dërguam një copë të historisë sonë drejt qendrës së Galaksisë. Le të presim që në këmbim të marrim Urimin Galaktik për jetë të gjatë e mirëqenie të kombit tonë! Le të jetë planeti Arber një burim dijesh për ne dhe njerëzimin tokësor!
Le të jetë Arberi simboli i progresit të pandalshëm të inteligjencës sonë! Le të jetë ky planet mik, një pasqyrë për të parë me dashuri Tokën tonë të bekuar, ku natyra na fali jetën.