Ishte vetëm 6-vjeç, mosha kur krijon kujtimet e para, kur Albina Marashi (Pervizi) do të nguliste në sytë e memories së saj, kujtimin më të tmerrshëm; atë të varjes së babait të saj, majorit Llesh Marashi, nga komunistët e sapoardhur në pushtet. Që nga ai moment, jeta e saj do të ishte një rrugëtim vuajtjeje nëpër kampe internimi, por edhe një akt qëndrese ndaj komunizmit të egër. Albina Marashi, e cila u martua me një tjetër të internuar politik, Genc Pervizin, djalin e Prenk Pervizit, gjatë kohës që ishte në internim. Në 6 janar 2020, në New York, u nda nga jeta zoja Albina Marashi Pervizi, një viktimë dhe heroinë e kampeve të internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Albina Marashi – Pervizi, ishte vajzë e parafundit e major Llesh Marashit, me tre vllazën dhe nji motër ma të vogël. Në maj tё vitit 1945, familja e tyre do tё internohesh në Berat, ku Albina do tё ishte vetёm gjashtë vjeçe. Me kapjen e arrestimin e Llesh Marashit, familja Marashi lirohet, kёshtu ajo në moshë tё njomё fëminore, do tё ishte e pranishme në varjen e atit tё saj, nё mes tё qytetit tё Shkodrёs, tue pësue nji tronditje tё madhe, dhe njё traumё qё do kthente nё forcё pёrballё sё keqes…!
Qysh atё çast në shpirtin e vajzёs, do tё lindte urrejtja për ata që i kishin vra babën. N’ato kushte tё vёshtira, familja qëndron në Shkodër, ku ajo me shumё vёshtёrsi mund tё vazhdojë shkollën e tё mbarojё gjimnazin.
Në vitin 1955, do tё arratiseshin dy vllaznit e saj: Alfredi dhe Rudolfi, kurse i treti Eduardi, do tё përfundonte në burg. Pra, sёrish pa mbushё 17 vitet, Albina sё bashku me nanёn e saj, do tё nisnin internimin e dytё tashmё nё Fermën “Çlirimi”, në rrethin e Fierit, ndёrsa e motra, Xhina do tё martohej e re ndёr Pistullorёt e Shkodrës.
Si vajzё e internueme, Albina do tё përfshihej në punët e rënda e tё detyrueme të bujqësisё deri në vitin 1958, ndërkohë qё do tё fejohej me Genc Pervizin, djalin e dytë të gjeneral Prenk Pervizit, (ish-Komandant i Mbrojtjes Kombëtare në vitet 1943-’44, i arratisur nga Shqipëria dhe me banim në Belgjikë) dhe do tё transferohej nё Gradishtë të Lushnjes, ku nё nji vorfni ekstreme do tё bëhej edhe martesa e tyne.
Burrë e grue u pёrballёn me punët e rënda të bujqësisë, me nji forcë të madhe shpirtërore dhe dinjitet tё naltё. Edhe pse nё njё kamp internimi, ajo do tё ishte nana e gjashtë fëmijëve, dy vajzave dhe katër djemve. I shoqi, Genci do tё vazhdonte nё internim tё pafundmё. Mbas 10 vitesh burg, ai s’do tё lejohej të lëvizte kurrё nga kampi dhe baltat e famshme tё Gradishtës së Lushnjes ku ishin të internuar familjarisht.
Sot, përshkrimi i asaj periudhe, duket si diçka normale, ndërsa gjendja e familjes Pervizi ishte tejet e rëndueme. Trajtimi i keq, mbajtja gjithë kohёs nën kontroll, presionet e Degёs sё Punëve të Brendshme, varfënia ekstreme. Por ata, kёt gjendje e përballen me vendosmёri e krenari, për mos me i’u mposhtё kurrë se keqes. Nga fundi i viteve ’70-të, nё Gradishtë u ba nji seri arrestimesh nga Sigurimi i Shtetit dhe kudo nisi tё mbretëronte klima e pasigurisë.
Në Gradishtë jetonin edhe nana e Gencit, Ana, e shoqja e gjeneralit Prenk Pervizi, djali i madh, ushtaraku Valetin Pervizi, (i diplomuar në Itali si ushtarak), kurse djali i tretë, Leka, jetonte i internuem nё Pluk, afër Lushnjës.
Në këto kushte terrori e frike, Albinës iu bë nji gjyq para popullit, duke e demaskue pse fliste në fushë kundër partisë dhe shtetit. Ky demaskim ishte njëё presion i hapёt mbi burrat e familjes, Gencin e Valentinin. Nuk vonoi, u demaskua edhe kunata e saj, gruaja e Lekës, Gjuliana, apo Beba, siç njihej ajo nga të gjithë të internuarit. Tё dyja gratё kurajoze e krenare qёndruen tё pamposhtura edhe në kёtë rast.
Albina, ishte grua me zemёr tё madhe e shpirt tё bardhё. Energjike e palodhur, nënë shembullore, e arsyeshme dhe e ndjeshme edhe n’ato kushte tmerrësisht të vështira i rriti me kujdes e sakrifica, me mundime dhe pёrkushtim, me vlera dhe dashuri gjashtё fёmijёt e saj.
Me forcën e krahëve po edhe tё krenarisё sё malёsores stoike, ajo s’u ligёshtua kurrё, as nё kampet e vuajtjes as në kanalet e kёnetёn e Myzeqesё, ku të internuemit ishin pёrcaktue robёr tё pёrjetshёm pune dhe nёnshtrimi.
Ndërkohë jeta e saj pёson trauma e drama tё pafundme. Agjentët e Sigurimit të Shtetit, i vrasin në Paris, vëllanë e madh, Alfredin. Ndёrkohё vëllait në burg, Eduardit, i presin tё dyja këmbët dhe e lirojnё. Mbas pak kohёsh vdes, e prej dёshpёrimi i vdes edhe nana. Diktatura e kishte realizue nё mёnyrё shembullore, masakrimin e familjes Marashi.
Kur pritesh tё gёzonte ndonjë ditё lirie mbas rrёzimit tё Murit tё Berlinit, i vdes edhe i shoqi, Genci, nё prill 1989, mbas nji jete me 42 vite burg e internime. Edhe kёtu shfaqet sёrish ana makabre e diktaturёs dhe shpirtligësia komuniste arrin kulmin, sepse Lekës, vёllait tё vogёl tё Gencit qё jetonte nё Plug, mezi i dhanё pak orё leje veç të shkonte e të vinte brenda ditës, pa i dhanё mundёsi të merrte pjesë në varrimin e tё vëllait.
Këto rrethana të tregueme sot thjesht si njohuri, fshehin nё vetvedi, tragjedinë e nji gruaje tё thjeshtё si Albina Pervizi – Marashi, po dёshmojnё dramёn e gjithё të internuemve dhe të burgosunve politikё të Shqipërisë, nën regjimin komunist diktatorial monstruoz të Enver Hoxhës.
Atё terror që mbretëronte kudo, nën të cilin ishe i detyruem të jetoje, tё punoje e tё rrisje fёmijё tё pashkolluem, nën diktatin e komunist, që i kishin vue qёllim vetes me asgjesue familjet ma të nderueme të Shqipnisë, duke i trajtue si robër, si skllevër, si bujkrobër.
Albina Marashi Pervizi, ishte dhe mbeti nji vajzë e grua krenare, energjike e stoike, guximtare dhe e papёrkulun. Me vendosmëni të pashoqe, u bë shembull qëndrese dhe përballimi e vuajtjeve, survejimeve dhe sakrificave.
Sigurisht një viktimë ndër mija viktimash të shumta, po sigurisht një heroinë midis heroinave si shumё vajza dhe gra të internueme, mes tё cilave Albina, spikaste me shpirtin e saj tё pamposhtur, si një Norё e vërtetë Kelmendi.
Fëmijët e saj, gjithë familja Pervizi, ruajnë respektin, nderimin dhe kujtimin e saj, si njeri i dashtun dhe i sakrifikuar, si grua e nanë shembullore, që do tё mbetet e paharrueme në historinё e kёsaj familje