Ambasada e SHBA- së në Tiranë ka evidentuar një të ri shkodran, si mjaft i suksesshëm si student në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Arlind Kaçirani, një i ri jo vetëm i etur për dije por i përkushtuar dhe mbi të gjitha, shumë i suksesshëm. Në publikimin e Ambasadës Amerikane thuhet shumëçka, duke evidentuar pse jo, një shkencëtar të ri që po formohet.
“Njihuni me Arlindin, i cili e nisi rrugëtimin e tij akademik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një kolegj komunitar dhe këtë vit do të fillojë studimet për doktoraturë në Universitetin Yale. Pasi në 2018 u diplomua për Kimi nga Kolegji Komunitar Queensborough, ai u tranferua në City College në Nju Jork për të përfunduar studimet në Inxhinieri Kimike, dhe ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera.
Arlindi shqyrtoi disa shkolla të mirënjohura përpara se të zgjidhte Universitetin Yale, ku gjatë studimeve për doktoraturën ai synon të ndërthurë inxhinierinë kimike, biofizikën molekulare dhe biokiminë për të zhvilluar kërkime mbi një tipar molekular, i cili thuhet se lidhet ngushtë me sëmundjet shkatërruese të trurit.
Ëndërroni edhe ju të studioni në Shtetet e Bashkuara? Ndiqni faqen tonë EducationUSA Albania për informacionin më të saktë, gjithëpërfshirës dhe të fundit mbi të gjithë gamën e mundësive për të studiuar në kolegje apo universitete të akredituara në Shtetet e Bashkuara.”, shkruhet në publikimin e Ambasadës Amerikane në gjuhën shqipe, ndërsa shoqërohet edhe me të njëttin tekst në anglisht.
Arlindi është krenari për familjen e tij por edhe për miqtë, të njohurit e bashkëmoshatarët. Është një shembull frymëzues për të rinjtë, për të mos u ndalur asnjëherë në rrugë drejt dijes që përmes saj, të kontribuohet për Shkodrën, Shqipërinë dhe përtej. Suksese Arlind, jemi krenarë për ty, e gjithë Shkodra! /ShkodraWeb/