Dëshira për të parë botën e lirë përtej perdes së hekurt, e cila kishte ndarë vendin tonë nga pjesa tjetër e europës, më mirë se kudo manifestohet tek beteja mes shtetit komunist i cili bllokoi edhe valët televizive dhe dëshirës së njerëzve për ta sfiduar atë.
Mendjet e atyre që punonin në sektorin montimit apo riparimit të radiove dhe televizorëve sajuan kanocen (në Shkodër quhej “grupi i sekondave”) e cila sfidoi zhurmuesit që pengonin valët televizive anëembanë vendit. Një pajisje fare i thjeshtë sillte në aparatet televizive magjinë e televizioneve të huaja,italiane,jugosllave dhe greke.
Epiqendra e prodhimit të kanoceve natyrisht që u bë Durrësi pasi aty ndodhej URT(Uzina e prodhimit të radiove dhe televizorëve)si dhe një numër laboratorësh që punonin me pjesë të cilat përdoreshin në këtë uzinë.Kështu në Durrës vec URT funksiononte UEMI(Uzina Elektromekanike),Radiostacioni i Fllakës,laboratorët e riparimit të radiotelevizorëve,laboratori i kantierit detar,laboratori i marinës etj,të cilët furnizoheshin në mënyrë sistematike me pjesë që u përdorën për prodhimin e kanoceve.
Prodhimi i tyre ka nisur pas vitit 1972 kur shteti bllokoi me anë të zhurmuesëve valët e televizioneve të huaja.Kjo ngjau pas Festivali të 11 të këngës ne RTV dhe pleniumit të IV të KQPPSH i cili u pasua me burgosje funksionarësh të lartë apo degdisje në zonat e thella të artistëve që kishin manifestuar shfaqje të huaja.
Fillimisht me kanoce u pajisën vetëm një numër i vogël njerëzish të cilët ishin drejtues të lartë të asaj kohe por më vonë nisi prodhimi masiv i tyre.Kërkesat ishin të papërballueshme pasi vinin nga të gjitha anët e vendit.
Për të justifikuar pjesët që përdoreshin për prodhimin e kanoceve, plotësoheshin fiktivisht daljet e tyre gjoja për riparime radiosh me tranzistorë apo të televizorëve me defekte. Dhe në këtë lojë barrën më të rëndë e kishin repartet e riparimit të radiove dhe televizorëve pasi ato furnizoheshin me tranzistorë sistematikisht.
Vetëm pak kohë më parë se kjo punë të niste në seri, ishte burgosur Petro Papa, drejtori i URT .Një ndër akuzat që ju bë atij ishte edhe se ai kishte lëshuar autorizime për të furnizuar me televizorë me grupin UHF, që nuk ishte gjë tjetër vetëm se kanocja por e prodhuar në kushtet e fabrikës disa klientë.Ata që kishin marrë këto aparate,në fakt ishin funksionarë të lartë të asaj kohe si drejtorë,shefa kuadri,përgjegjësa të rëndësishëm nëpër ndërmarrjet ekonomike etj.
Por dëshira për të parë stacionet e huaja televizive ishte shumë e madhe dhe e sfidoi frikën e pushtetit të asaj kohe. Ali Bardheti,në atë kohë punonte në laboratorin e riparimit të radiove dhe televizorëve në Durrës.Ai tregon se si prodhoheshin kanocet dhe si siguroheshin pjesët.Ai madje thotë se edhe televizorin e shtëpisë e montoi vetë duke mbledhur pjesët pak e nga pak.Kjo pasi televizorët siguroheshin me autorizim dhe radha ishte e gjatë për të marrë një të tillë.
Si e kujton prodhimin apo kohën e kanoceve.
Që në fillim dua të bëj një sqarim.Kanoce ja vuri emrin populli se pajisja përbëhej nga një llamarinë katrore brenda së cilës montoheshin pjesët.Në të vërtetë kanocja nuk ishte gjë tjetër vetëm se grupi UHF që i mungonte televizorëve që montoheshin në URT. Kjo pajisje e televizorit nuk montohej me urdhër nga lart me qëllim që të pengoheshin valët e televizioneve të huaja.Në fillim televiziorët u montuan sëbashku me grupet VHF dhe UHF por pas vitit 1972 ato montoheshin pa grupin UHF.
Në këto kushte nisën të prodhoheshin fshehurazi grupet UHF. Ka shumë spekullime përsa i përket autorësisë së shpikjes së kanoces.Cili e ka shpikur atë?
Unë nuk di ndonjë emër si shpikës të kësaj pajisjeje.Unë për vetë skemat i kisha marrë nga inxhinierët e URT dhe i zbatoja në kushtet e laboratorit ku punoja.Unë kam punuar në repartin e riparimit të radiove.Ne kishim një avantazh të madh se furnizoheshim me pjesë për riparimin e radiove me tranzistorë.
Si bënit për ti justifikuar pjesët për kanocet?
Problem përbënte vetëm tranzistori pasi pjesët e tjera siguroheshin pa ndonjë vështirësi të madhe.Fillimisht kanocet u prodhuan me tranzistorë AF 106 më pas me AF 139.Vazhdoi me AF 239 dhe në fund me AF 239S që ishte edhe më i miri.Korniza katrore bëhej me tabak fibre të stampuar si dhe me fletë bakri.Vidat prodhoheshin nga tornitorët.Në fakt ajo ka qenë një pajisje e thjeshtë.Për të justifikuar konsumin e tranzistorëve bëheshin fiktivisht fletëdalje gjoja sikur ishin përdorur për riparimin e radiove me tranzistorë apo të televizorëve.Një herë më thirrën në prokurori për këtë problem.Frikë kisha se të dënonin për agjitacion e propagandë.Por dola mirë se cdo gjë e kisha të justifikuar me dokumentat përkatëse.
A kishte kërkesa për kanoce?
Jashtëzakonisht shumë.Kishte kërkesa nga i gjithë vendi.Për hir të së vërtetës dua të them se kanocet prodhoheshin në disa pika.Në URT,nëpër laboratorë të ndryshëm ,radiostacion,Flotë detare etj mjafton që të siguroheshin pjesët.
Mbaj mend një numër inxhinerësh apo teknikësh që janë marrë me këtë punë si :Ali Citaku,Hysen Agolli,Gazmend Delvina,Val Cumashi,LLambi Jorgollari,Alfred Spiro,Uljan Jakova,Jorgo Gjika,Petrit Mezini,Qani Drita,Budjon Pojani,Ugo Xhoja,Luan Jaupi etj ,mjaft të aftë në profesion.
Kërkesat më të mëdha vinin kryesisht nga rinia.Ata shikonin programe të huaja sikurse kanë qenë në ato Elektrik Blu që shikohej te Beograd 2 apo Kolpo Groso të Tele Norba etj emisione.
Një kanoce shitej 200 deri 250 lekë,që në atë kohë nuk ishte pak.Ajo shoqërohej edhe me antenat përkatëse.Janë prodhuar mijra e mijra pajisje të tilla.Sot brezi i ri habitet kur dëgjon të flitet për kanocet.Por e tillë ka qenë koha atëhere.
Ndërkohë Bashkim Kopliku,inxhiner në URT e kujton fare mirë atë kohë.Lidhur me autorësinë e kanoces ai sqaron se ajo nuk ka një shpikës.Kanë punuar disa përsona në të njëjtën kohë për prodhimin e saj.Rinia duhet të njihet me atë kohë por duhet të mësojë edhe të vërtetën.Kam respekt për burgun që ka bërë ing.Maloku por nuk pajtohem me ato që thonë se ai ka shpikur kanocen.Ajo është produkt i disa mendjeve.