Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e ka gjetur të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit- KPK për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Shkodrës, Arben Smaçi më 21 korrik 2021 dhe konkludon se ai ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë. Pretendimet e ngritura në shkaqet për aspektin procedural janë gjetur të pabazuara nga KPA, ndërkohë që është konfirmuar deklarimi i rremë i rezultuar gjatë hetimit administrativ në shkallën e parë për çmimin e një apartamenti, si dhe pamundësia financiare për krijimin e kësaj pasurie.
Në deklaratën veting, Smaçi ka pasqyruar një kontratë premtim shitje për blerje apartamenti me sipërfaqe 123.3 m2 në Tiranë për shumën 50 mijë euro. Nga hetimi ka rezultuar se, apartamentin për të cilin subjekti ka deklaruar se e ka blerë për 50 mijë euro, pala shitëse e kishte prenotuar në të njëjtën ditë kundrejt çmimit 90 mijë euro, vlerë që i është paguar shoqërisë ndërtuese.
Lidhur me këtë pasuri, Komisioni ka arritur në përfundimin se Smaçi nuk arriti të kundërshtojë barrën e provës sa i takon çmimit të blerjes dhe ka krijuar bindjen se ka paguar vlerën 90 mijë euro, aq sa shitësi e kishte prenotuar pasurinë në të njëjtën datë që ka lidhur kontratën për premtimin e shitjes me subjektin dhe po aq sa janë shitur 11 apartamente të tjera në të njëjtin pallat.