Alban Xhaferi ka folur në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Presidenti i Vllaznisë është shprehur se ekipi i tij do të luftojë për titullin kampion, ndërsa situata ndryshon nga sezoni i kaluar ku nuk mund të kërkohej kaq shumë.
Gjithashtu është prekur edhe tema e rrogave teksa Xhaferi ka garantuar se nuk do të ketë probleme.
“Mund të kishim bërë edhe më mirë, por kampionati për Vllazninë deri tani ëhstë në kushte të mira. Jemi të kënaqur deri diku me performancën e skuadrës. Ne duam më të mirën, nëse do kishim më shumë pikë, do ishim akoma më shumë të kënaqur.
Mendoj se është vetëm fillimi. Ka shumë ndeshje përpara, ka shumë sfida. Nuk mund të themi se jemi në formën tonë maksimale. VAR është diçka e re për ne dhe ndonjëherë kemi ato kontestimet tona.
Vitin e kaluar ishte pak e vështirë që në fillim të flisnim për titull, por tani kemi të bëjmë me një situatë tjetër, Vllaznia e tregoi me lojëra të bukura.
Në përgatitje ia kam bërë të ditur se skuadra do të duhet të luajë për titullin kampion dhe Kupën. Objektivi minimal është Europa dhe maksimali është titulli kampion. Futbolli ka të papritura dhe nuk i dihet.
Menjëherë pasi përfunduan procedurat, ne arritëm të bënim likuidimin e rrogave të lojtarëve. Janë paguar të gjitha detyrimet deri në muajin gusht. Çështja e rrogave do të jetë e zgjidhur te Vllaznia. Do mundohemi të jemi korrektë dhe të zbatojmë kontratat”, u shpreh Xhaferi.