Arilena Ara trumfoi dhe u shpall fituesja e edicionit të ’58 të Festivalit të Këngës në RTSH me këngën “Shaj”. Në momentin që Arilena mori kupën fjalët e para të saj në skenë si fituesja e Festivalit ishin: Unë nuk këndoj për trofe, unë këndoj për të tjerë. Këtë herë shkruam një kenge për veten time.
Në një intervistë pas përfundimit të festivalit, këngëtarja u shpreh:
“Nuk e kisha menduar asnjëherë. Më emocion kam tani sesa para publikut se po shikoj gjithë këto kamera e nuk di çfarë kam bërë për ta merituar. Dhashë gjithë shpirtin gjithë muzikën time dhe u përpoqa të artikuloj çdo ndjesi e emocion timin, jam e lumtur që ia arrita dhe që publiku e vlerësoi këngën time, qoftë dhe juria. Tani kam një përgjegjësi më të madhe, nuk e di a jam gati të përfaqësoj një shtet. Zemra po më del nga vendi. Falenderoj publikun që më rriti mua dhe që më solli këtu ku jam sot”.
Artistja u shfaq në skenë dhe mori kupën mes emocionesh të shumta.
“Kjo është për ju” tha ajo duke ngritur kupën.
Në vend të dytë u ngjit Elvana Gjata dhe në vend të tretë Sara Bajraktari. Arilena do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës që këtë vit do të mbahet në Hollandë.