Babai i 32-vjeçarit të vdekur, Artur Kurti akuzon policinë për vdekjen e të birit Laer Kurti, pak para mesnatës së kaluar. Ai ka deklaruar për “Top Channel” se nuk e ka parë trupin e djalit dhe se ai nuk ka pasur probleme shëndetësore.
Artur Kurti, babai: Nuk e kam parë trupin e djalit, Kam qenë gjithë natën jashtë morgut dhe sot dhe nuk më kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi.
Gazetarja: A të kanë kontaktuar autoritetet?
Babai: Cilat autoritete? Ato që e kanë mbytur?! Ku ka ktu shtet. Gjeta ata të shkb-së aty më thanë nuk dimë gjë, kur të bëhen ato… nga ora 10 ose 11 do të të themi.
Gazetarja: Të thanë çfarë ka ndodhur?
Babai: Jo s’më dhanë asnjë përgjigje.
Gazetarja: Ku ishte Laerti?
Babai: Në rrugë të zotit ka qenë o motra ime. Nuk ka qenë asnjë person i rrezikshëm për ta trajtuar në ato lloj formash.
Gazetarja: A ka pasur djali yt probleme shëndetësore?
Babai: Jo asgjë. Djali ka qenë 2 metra si luan.
Lear Kurti ndërroi jetë teksa po transportohej nga rajoni i policisë në spital, Në bazë të dëshmisë të punonjësve të policisë Lear Kurti, ka qenë duke lëvizur në rrugën “Riza Cuka” në këmbë vetëm.
Policia i ka kërkuar të ndalojë për verifikim. Ai është larguar me vrap dhe patrulla i është vënë në ndjekje duke e kapur në rrugën “Don Bosko” pranë një marketi. Momenti i ndalimit është i fiksuar në kamerat e sigurisë. Pas prangosjes i ndaluari ka qëndruar në një stol derisa ka mbërritur makina që e shoqëroi. Në momentet e pritjes aty kanë kaluar dhe shokë të tij që kanë komunikuar me policinë për arsyen e ndalimit.
Gjatë rrugës për në komisariat ai ka shfaqur probleme shëndetësore (dridhje dhe nxjerrje sekrecionesh). Pas mbërritjes në komisariat ku po ashtu ka kamera duke parë që gjendja mund të rëndohej deri në mbërritje të ambulancës është transportuar nga vetë policia në spitalin e traumës ku ka mbërritur me puls të dobët dhe pas disa minutash ka ndërruar jetë.
Lear Kurti është fëmijë i vetëm, ndërsa jetonte tek ish-parku i autobusëve. Ka pasur episode të tjera të ndalimit në polici pasi ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, sipas policisë.