Ngjarja e rëndë që u shënua dy ditë më parë në Shkodër ka tronditur opinionin publik, kur u mësua se një nënë e hodhi foshnjën e saj të sapo lindur në lumin Kir.
Ndonëse gruaja është vënë në pranga nga ana e Policisë dhe madje është vënë nën akuzë dhe po hetohet nga Prokuroria, asnjë autoritet shtetëror nuk doli ditët në vijim të shpjegonte se çfarë ka ndodhur vërtet me gruan e re, e cila ndërmori aktin e tmerrshëm të vrasjes së fëmijës së saj. Mjekët dhe sociologët kanë dalë me reagime konkrete, ndonëse ende nuk janë mësuar shumë detaje nga jeta e gruas së arrestuar për aktin e rëndë, ngjarje, e cila u regjistrua ditën e shtunë. Ajo pritet që ditën e sotme të dalë para Gjykatës së Shkodrës ku do të njihet edhe me masën e sigurimit personal deri në zbardhje të plotë të rrethanave të atij akti horror.
NGJARJA
Kjo është ajo që mund të dyshohet paraprakisht për ngjarjen e rëndë që është zbuluar sot në qytetin e Shkodrës, ku 32-vjeçarja Orjana Gremi ka braktisur në lumin Kir, foshnjën e saj vetëm një javë pasi e ka lindur. Por ‘Dosja’ ka mësuar se ajo që ka ndodhur është paralajmëruar nga gruaja. 32- vjeçarja ishte e pamartuar. Ajo jetonte me dajën e saj në fshatin Myselim, komuna e Postribës në Shkodër. Orjana Gremi është paraqitur me dhimbjet e lindjes më 30 dhjetor 2022. Ajo ka lindur atë natë në spitalin e Shkodrës. Burime nga Spitali i Shkodrës bënë me dije se gruaja kishte dalë nga materniteti më datë 4 janar 2023.
Në certifikatën e parë të lindjes, fëmijës nuk i është regjistruar atësia. Ndërkohë, që gruaja ka komunikuar me stafin e spitalit, të cilëve nuk iu ka rrëfyer për planin makabër që kishte në plan të kryente. Ajo ishte shprehur se fëmijën do ta hidhte në lum pasi nuk kishte ku ta linte. Edhe pse gruaja e ka bërë këtë njoftim, nuk është marrë asnjë masë, si nga Policia e Shkodrës, qoftë edhe spitali rajonal për të trajtuar 32- vjeçaren dhe për të ruajtur jetën e fëmijës. Por gruaja është lënë të dalë nga spitali, ku më pas ka shkuar dhe ka hedhur fëmijën në lumin Kir. Atje, bebja njëjavëshe është gjetur e mbuluar me batanije dhe plastmasë. Ky rast është tejet i ngjashëm me rastin e 29-vjeçares në Greqi, që hodhi foshnjën 11 muajshe në lumin Aliakmonasit në Veria, dhe më pas shkoi të festonte ndërrimin e viteve në hotel.
REAGIMET
Për ngjarjen e rëndë që ndodhi më 7 janar në Shkodër ku u mësua se një 32- vjeçare ka hedhur në lumë foshnjën e saj, kanë folur psikologë dhe mjekë duke treguar edhe shkaqet e rënda që kanë çuar gruan të kryejë aktin makabër kundër foshnjës së saj. Orjana Gremi, e cila ka rënë në pranga, në polici ka deklaruar se arsyeja e një veprimi të tillë ishin arsyet ekonomike. Sipas sociologëve bëhet me dije se duhet të ketë politika sociale që i mbështesin nënat e reja me kopshte, me çerdhe, bonusin e qirave, duhen shtuar punonjësit social, të kemi më shumë shërbime shëndetësore. Po ashtu kanë folur edhe mjekët, të cilët kanë dhënë opsionin e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë të cilët kishin besuar se gruaja do ta çonte foshnjën në jetimore, pasi ajo jo vetëm e kishte pa atësi, por madje ishte ankuar se edhe nuk mund ta mbante për shkak se kishte një pagë të papërfillshme për të rritur një fëmijë e vetme.