Familjarët e një vajze e cila ishte e përfshirë në aksidentin tragjik në Kroaci ku humbën jetën 10 kosovarë, nuk dinë asgjë për fatin e saj.
Djali i xhaxhait të Anjezës, Burim Bellanica, ka thënë se nuk kanë ndonjë informacion se ku ndodhet ajo pasi që ajo nuk ndodhet as në spital.
“Zyrtarisht nuk kemi ndonjë informacion. Vëllai është nisur nga Austria edhe ka mbërritur aty në spital, kur ka pyetur i kanë thanë që nuk kemi pacient me këtë emër. Është nisë edhe daja i saj prej Kosovës, ka mbërritur aty mirëpo nuk po e lënë të hyjë brenda. Kemi teleforuar në spitalin e Zagrebit, mirëpo ajo paciente është prej Gjakovës, nuk është Anjeza”, ka thënë ai në RTK.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacisë ka publikuar një numër telefoni ku mund të merren informacione rreth pasagjerëve kosovarë që u aksidentuan këtë të diel.