Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla ka dëshmuar në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) pas akuzave të Partisë Demokratike se shfaqet në një video duke thithur me hundë ko.kainë. Mësohet se Alla ka mohuar të jetë ai në video, duke kërkuar që prokuroria të gjejë përmes atyre që e publikuan, personin që shfaqet në video.
Lefter Alla për rreth një orë para prokurorëve të SPAK, lidhur me videon ku PD pretendon sa ai po pi ko.kainë, ka mohuar gjithçka. Alla është shprehur se nuk është ai personi në video. “Nuk jam unë personi në video. Të gjendet nga prokuroria duke pyetur ata që nxorën videon se kush është personi në video”, mësohet të jetë shprehur Alla.
Ndoshta nuk është Alla në video, mbase “i kanë rënë në qafë” por ka një mënyrë shumë të thjeshtë për ta zbuluar: Vetëm një fije floku e kryebashkiakut! Ekzaminimi i saj nga laboratorë të specializuar që janë edhe në Shqipëri, tregojnë nëse Alla ka konsumuar lëndë psikotrope, kur dhe çfarë lloji. Pyetja që ngrihet është: A e di vallë këtë SPAK, trupa që ka marrë përsipër të çrrënjosë korrupsionin në vend…?!